Aktuale
Lista e uzurpatorëve s`bëhet publike me gjithë zotimin e kryetarit të Gjilanit
Komuna e Gjilanit nuk e ka bërë publike listën me emrat e uzurpatorëve të pronave publike. Një premtim të tillë e ka dhënë në debat publik më 10 qershor të këtij viti kryetari Lutfi Haziri.
I kontaktuar nga gazeta, Haziri ka përsëritur se lista do të publikohet pa dhënë ndonjë datë të saktë, shkruan sot Koha Ditore.
“Publikohen në uebfaqen komunale edhe për publikun”, ka thënë Haziri.
Kurse opozita e ka akuzuar atë se po e fsheh listën e uzurpimeve të pronës publike, ngase dyshojnë se uzurpatorët mund të kenë lidhje politike e familjare me partinë në pushtet.
Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Komuna nuk është duke u treguar transparente karshi publikut, ngase nuk ka informacione nëse ka raste të reja të uzurpimeve të pronës.
“Nga mandati i parë i qeverisjes së LDK-së dhe tash gjysma e mandatit të dytë që e kanë mbajtur të fshehur këtë listë e kanë pranuar si kryetari Haziri po ashtu edhe drejtori i Kadastrës, se ata kanë identifikuar gjithsej 56 uzurpime. Të njohur vetëm për drejtorin e Kadastrës dhe kryetarin e Komunës, por jo edhe për publikun dhe as anëtarët e Kuvendit. Gjithashtu nuk dihet nëse këta uzurpues të pronës publike janë të njëjtë me ata të listës së publikuar më herët nga PDK-ja, apo janë raste të reja, por që duket se janë 24 uzurpime më pak se atëherë sipas kësaj shifre të përmendur”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.



