Aktuale
Haskuka thotë se ka përmbushur 10 premtime, 43 të tjera thotë se i kryen deri në fund të mandatit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/06/mytaher-haskuka1-780x439.jpg)
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka folur në Puls të KTV-së, për premtimet që kishte bërë para se ta marrë mandatin dhe me procesin e implementimit të tyre.
Ai ka thënë se ka pas 43 premtime në fushatë, por sipas organizatave joqeveritare që po monitorojnë punën e Komunave, bazuar në debatet publike e televizive ishin rreth 53-54 premtime.
“Janë 10 të realizuara, ndërsa pjesa dërmuese është planifikuar për të ardhmen”, ka thënë ai.
Haskuka ka thënë se ka premtuar 4 çerdhe, ndërsa ka treguar se ndërtimi për dy prej tyre ka filluar, e për dy të tjera do të fillojë këtë vit. Haskuka ka premtuar në Puls të KTV-së se do t a tejkalojë këtë premtim, duke mundësuar ndërtimin edhe dy çerdheve të tjera deri në fund të mandatit të tij.
Ai ka thënë se ka bërë disa zgjidhje edhe në aspektin e ujit të pijes.
Haskuka ka folur edhe për bllokimin e dy projekteve milionëshe, për të cilat ka thënë se do ta shëmtonin qytetin.
I pari është ai për teleferikun në Kalanë e Prizrenit, për të cilin Haskuka ka thënë se ka rënë ndesh me shumë ligje që rregullojnë Qendrën Historike të Prizrenit dhe trashëgiminë kulturore.
“Nuk ka qenë e lehtë se ka qenë projekt 2,7 milionë euro, mirëpo ishte paraparë edhe ndërtimi i një objekti 2 mijë metra katrorë. Pas shumë peripecive është parë që vendimi im ka qenë i drejtë”, ka thënë Haskuka.
Ai ka folur edhe për stopimin e projektit të betonizimit të Lumëbardhit.
“Ka qenë projekt rreth 1,2 milion euro. Kanë dashur që ta fusin kanalizimin përfundi Lumëbardhit, ndërsa sipër të bëhet beton. Paramendoni, Prizreni e ka bukur Lumëbardhin me gjithë atë barë dhe gurë që i ka. Kanë dashur ta mbulojnë, tash kur shumë qytete që e kanë bërë këtë më parë e kanë kuptuar që ka qenë gabim dhe po i pastrojnë lumenjtë nga betoni. As kjo nuk ka qenë e lehtë sepse kontrata vetëm se ishte nënshkruar, por ne nuk e kemi vazhduar”, ka thënë Haskuka.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)