Aktuale
Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës pa raporte për punën në riparimin e deponive
Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) gjatë vitit të kaluara nuk i kanë shkuar të gjitha projektet siç duhet. Në këtë kompani menaxherët e kontratave nuk kanë raportuar për punët e kryera në projektin për riparimin e infrastrukturës së deponove të KMDK-së.
Këtë e ka identifikuar Zyra e Kombëtare e Auditmit (ZKA), gjatë auditmit të vitit 2018, raporton Ndërtimi.info.
“Në projektin ‘Riparimi i infrastrukturës së deponive të KMDK-së’ nga shtatë (7) situacionet e pranuara kemi vërejtur se në dy prej tyre (në fund të vitit) plani për menaxhimin e kontratës nuk ishte plotësuar nga menaxheri i kontratës me qëllim të raportimit për punët e kryera. Kjo kishte ndodhur për shkak se menaxheri i kontratës nuk e kishte vlerësuar të nevojshme raportimin e këtyre dy situacioneve të pranuara me arsyen se projekti është ende në vazhdim”, ka gjetur ZKA-ja.
E, nga ky mos-raportimi, ZKA-ja parasheh rrezik për KMDK-në.
“Mos raportimi për punët e kryera nga menaxheri i kontratës sipas kërkesave të LPP, nuk jep informata të plota për vlefshmërinë e vlerës së paguar dhe obligimeve të mbetura të Kompanisë për punët në proces”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Për këtë, ZKA-ja thekson se kryesuesi i bordit duhet të siguroj se menaxheri i kontratës monitoron punën dhe harton raporte lidhur me ecurinë e punës për secilin situacion të pranuar me qëllim të evidentimit të dobësive në proces dhe evitimit të pagesave për punët e papërfunduara.