Aktuale
Ku i çoi “Ta pastrojmë Kosovën” 815 mijë euro, mbi 19 mijë për thasë mbeturinash [dokument]
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/pastrimi2.jpg)
Në tre muajt e fundit të 2018 u zhvillua aksioni për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat, që buxhetit të vendit i ka kushtuar mbi 800 mijë euro (815,035€). Mirëpo, me këtë fond, të marrë nga organizata “Let’s Do It Kosova” për këtë aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, po dyshohet se nuk ka shkuar gjithçka siç duhet.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), lidhur me pagesat për këtë aksion nuk ekzistojnë dëshmi të përshtatshme dhe të mjaftueshme nëse ato janë shpenzuar në pajtim me procedurat dhe kërkesat ligjore.
“Vlera e projektit ishte 815,035€. Në projekt përfshihet pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i afër 1000 deponive ilegale dhe pastrimi i mbeturinave në hapësirat publike. Për qëllime të këtij projekti, deri në fund të vitit 2018 janë kryer gjithsej pagesa në vlerë prej 806,838€. Për realizimin e këtij projekti janë anashkaluar procedurat për subvencionimin e OJQ-ve, siç janë të përcaktuara me Rregulloren nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve”, thuhet në raportin e ZKA-së, pas në analizimin të pasqyrave financiare të Zyrës së Kryeministrit.
ZKA-ja ka gjetur se nuk ka munguar një kontratë që do të bënte të qartë detyra dhe obligimet e palëve në këtë projekt.
“Nuk ka kontratë në mes ZKM dhe përfituesit të subvencionit OJQ-së ‘Ta pastrojmë Kosovën’, e cila do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizimin e këtij projekti. Nga plani i aktiviteteve shihet se MMPH duhej të merret me alokimin e mjeteve logjistike dhe financiare, ndërsa ZKM do të merrej vetëm me pjesën ceremoniale të organizimit, por në këtë rast ZKM ka kryer të gjitha pagesat”, thekson ZKA-ja në raport.
Tutje, sipas këtij raporti, organizata “Let’s do it Kosova” nuk ka dorëzuar raport financiar për shpenzimet e bëra për këtë aksion.
“Pagesat ishin kryer vetëm në bazë të faturave të dorëzuara nga ana e OJQ-së përfituese. Përveç faturave, ZKM nuk ka raporte financiare dhe narrative të dorëzuara nga ana e përfituesit për arsyetimin dhe përshkrimin e saktë të artikujve të faturuar dhe aktiviteteve të kryera në kuadër të këtij projekti”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Mungesë të një raporti financiar, ZKA-ja ka gjetur edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Në fund të aktivitetit, MMPH ka dorëzuar një raport përmbledhës për punët e kryera gjatë këtyre tre muajve, por jo edhe ndonjë raport financiar dhe ndonjë raport përshkrues për shpërndarjen e disa artikujve, siç janë kontejnerët dhe shportat; dhe Koordinatori i Task Forcës nuk kishte raportuar në Qeveri për zbatimin e Planit operativ një herë në muaj, siç përcakton Vendimi i Qeverisë Nr. 03/58”, ka gjetur ZKA-ja.
Për shkak të mungesës së raporteve më sipër, ZKA-ja ka thkesuar se nuk është në gjendje të konfirmojmë rregullsinë e shpenzimit të këtyre fondeve.
E, për këto parregullsi të identifikuara, ZKA-ja ka nxjerr rekomandime.
“Sekretari i Përgjithshëm në bashkëpunim me Kabinetin e Kryeministrit dhe Koordinatorin e Task Forcës brenda një afati sa më të shpejtë duhet të bëjnë një analizë gjithëpërfshirëse të realizimit të projektit ‘Ta pastrojmë Kosovën’ dhe të sigurojnë të gjitha raportet financiare dhe raportet tjera të cilat konfirmojnë se të gjitha pagesat e kryera janë të bazuara dhe të mbështetura me dëshmi. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm duhet të siguroj raportet edhe për pagesat që lidhen me dy rastet tjera që ndërlidhen me shpenzimet e varrimit dhe rivarrimit, për të cilat mungojnë dëshmitë e duhura”, ka rekomanduar ZKA-ja.
Shpenzimi i 815 mijë eurove nga “Let’s do it Kosova” për tre muaj
Organizata “Let’s do it Kosova” ka marrë nga Qeveria e Kosovës rreth 1 milion euro (815 mijë euro) për realizimin e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, me kohëzgjatje tre muaj gjatë vitit 2018. Gjatë këtij aksioni janë pastruar disa lokalitete të disa komunave të Kosovës.
E, për mënyrën e shpenzimit të këtyre parave kjo organizatë nuk kishte dorëzuar raport financiar në Zyrën e Kryeministrit, deri në muajin maj të këtij viti, pesë muaj pasi ka përfunduar aksioni, duke mos u dorëzuar menjëherë pas përfundimit të aksionit.
Zyra kombëtare e Auditimi ka gjetur se nuk janë dorëzuar raportet financiare dhe për këtë është ngritur dyshimi për parregullsi në ndarjen edhe shpenzimin e këtyre mjeteve.
Ndërtimi.info ka siguruar raportin financiar për këtë aksion, i përpiluar në muajin maj 2019, ku paraqiten shpenzimet për aksionin “ Ta pastrojmë Kosovën”.
Sipas këtij raporti, vetëm për furnizimi me vegla dhe materiale të nevojshme për aksione, janë shpenzuar hiç më pak se 294 mijë e 270 euro. Prej kësaj vlere, 159 mijë e 890 euro janë shpenzuar për maica, dizjanim dhe shtypje të llogove si dhe distribuimin në vendet ku është zhvilluar aksioni. Mijëra euro kanë marrë edhe dorezat e thejshta për punë, gjithsej 34 mijë euro, ndërsa thasët e mbeturinave 19 mijë e 470 euro dhe maskat kanë kushtuar 9 mijë euro.
Në kuadër të këtij aksioni është përfshirë edhe aktivitete me komunitete, ligjërata, ese tryeza dhe aktivitete vetëdijesuese. E, këto sipas asaj që ka para qitur “Let’s do it Kosova” kanë pasur kosto 28 mijë e 500 euro.
Qeveria hesht për dyshimet rreth ndarjes dhe shpenzimit të fondit për “ Ta pastrojmë Kosovën”
Për të paraqitur punën në aksionin që mori 815 mijë euro nga Qeveria, sipas “Let’s do it Kosova” janë organizuar edhe katër konferenca. Nga këto konferenca tri janë paraqitur se kanë kushtuar 6 mijë euro, ndërsa vetëm konferenca përmbyllëse është raportuar se ka kushtuar po 6 mijë euro.
Nga ndarja në disa kategori e 815 eurove të shpenzuara, për kategorinë e pagave kanë shkuar plotë 14 mijë e 400 euro.
Ndërkaq, sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditmit, zyra e Kryeministrit nuk ka lidhë kontratë me “Let’s do it Kosova” për fondin e dhënë për aksionin “T pastrojmë Kosovën”, e cila do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizimin e këtij projekti . Sipas raportit të auditimit të ZKA-së, nga plani i aktiviteteve shihet se MMPH duhej të merret me alokimin e mjeteve logjistike dhe financiare, ndërsa ZKM do të merrej vetëm me pjesën ceremoniale të organizimit, por në këtë rast ZKM ka kryer të gjitha pagesat.
Ndërtimi.info ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit për arsyen pse nuk është nënshkruar një kontratë e tillë dhe në lidhje me raportin financiar të “Let’s do it Kosova”, por edhe pas dy ditë pritje nuk ka marrë përgjigje. /Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)