Aktuale
Komuna e Prishtinës angazhon për projektin e ndriçimit publik ofertuesin më të shtrenjtë

Sipas procesit të prokurimit për projektin “Zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të ndriçimit publik”, në Komunën e Prishtinës, ishte si kriter që fitues i projektit të ishte kompania e cila kishte çmim më të ulët, mirëpo Zyra Kombëtare e Auditimit tregon që kjo nuk ndodhi.
Pas krahasimit të çmimeve nga ZKA-ja ndërmjet ofertuesit fitues dhe atij të dytë kishte dalë që Komuna e Prishtinës kishte paguar rreth 40 mijë euro më shumë.
“Në procesin e prokurimit “Zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të ndriçimit publik” ishte kriter çmimi më i ulët, bazuar në këtë oferta fituesi ishte me vlerë 164,403€ (kontratë publike kornizë). Ne kemi bërë krahasimet me ofertuesin e dytë me radhë dhe doli se për sasitë e njëjta të furnizuara, komuna ka paguar 39,757€12 më shumë. Pra, si shkak i vlerësimit të dobët të sasive të kërkuara dhe atyre të nevojshme për furnizim, komunës ofertuesi më i lirë i kushtoi më shtrenjtë. Rrjedhimisht për një pozicion ishin kontraktuar 50 njësi dhe janë pranuar 1302 njësi, derisa disa pozicione tjera nuk ishin marrë fare”, thuhet në raportin e auditorit.
Rreziku nga planifikimi jo i përafërt i sasive, sipas Zyrës së Auditmit është që kjo dërgon në shpërblimin e ofertuesve më të shtrenjtë dhe si pasojë do të shkaktohet humbje për komunën. Gjithashtu ekziston gjithmonë rreziku i keqpërdorimit gjatë procesit të tenderimit dhe nënshkrimit të kontratës.
Për të parin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, auditori rekomandon që të sigurojë që njësitë kërkuese të vlerësojnë saktë nevojat për punët që porositen dhe për të mos ardhur deri te keqpërdorimi të zgjidhet edhe një staf mbikëqyrës./Ndertimi.info
