Aktuale
Shumica e shfrytëzuesve të banesave kolektive në Fushë Kosovë ende pa kontrata

Në vitin 2017, 58 familjeve në fshatin Miradi e Epërme, të Komunës së Fushë Kosovës u janë dhënë në shfrytëzim banesat kolektive me qira, mirëpo vetëm 15 prej tyre janë pajisur me kontrata.
Në raportin e audtimit thuhet se komuna kishte dërguar kërkesa me postë për shfrytëzuesit të cilët nuk kishin nënshkruar kontratat, mirëpo një gjë e tillë nuk kishe ndodhur dhe pronat publike kishin vazhduar t’i shfrytëzonin.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka paraparë rreziqet të cilat vijnë nga shfrytëzimi i këtyre banesave pa kontrata.
“Mungesa e kontrolleve adekuate dhe veprimi me kohë nga komuna lidhur me shfrytëzimin e pronës publike rritë rrezikun që këto prona të keqpërdoren, dhe mjetet e parapara të mos arkëtohen asnjëherë”, thuhet në raport.
Ata gjithashtu kanë rekomanduar të parin e Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, që të sigurohet që të gjithë qiramarrësit të kenë kontrata për shfrytëzimin e banesave kolektive, në mënyrë që të ketë bazë ligjore në arkëtimin e të hyrave nga qiradhënia e tyre.
Zyra Kombëtare e Auditimit bën me dije se gjatë auditmit të tri prej kontratave për shfrytëzimin e pronës publike dy prej tyre për shkak të mos pagesës së qirasë sipas kontratës, komuna kishte humb një sasi të konsiderueshme të ardhurash.
“Gjatë auditimit të tre (3) kontratave për shfrytëzimin e pronës publike, identifikuam se në dy raste për shkak të mos pagesës mujore nga qiramarrësit sipas kontratës komuna nuk kishte arritur të arkëtojë të hyrat për borxhin e akumuluar në vlerë totale 13,820€. Mungesa e kontrolleve dhe neglizhenca e komunës, ka ndikuar në mos arkëtimin e këtyre të hyrave”, shkruhet në raport.
Rreziku sipas ZKA-së nga menaxhimi i dobët i kontratave të qirave shkakton papërgjegjshmëri të bizneseve të cilat shfrytëzojnë pronat publike në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa rekomandimet për kryetarin Berisha janë që të të sigurojë se asnjë pronë publike nuk do të lejohet të shfrytëzohet dhe keqpërdoret pa pagesën e qirave të parapara me kontratë. Duhet të gjenden forma, që të merren masa të menjëhershme, që detyrojnë obliguesit të respektojnë detyrimet kontraktuale./Ndertimi.info
