Aktuale
Eksperti tregon pse vërshohen komunat e Kosovës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/rahovec.png)
Mjafton që të ketë reshje shiu vetëm disa orë pandërprerë që shumë pjesë të Kosovës të vërshohen dhe të shkaktohen dëme të mëdha. E, për këto përmbytje të shpeshta në vendin tonë ekzistojnë disa shkaktarë.
Inxhinieri i hidroteknikës, Lavdim Osmanaj, në një intervistë për Ndërtimi.info ka treguar në detaje shkaktarët kyç që sjellin përmbytje në disa komuna të Kosovës.
“Një problematikë që e kisha theksuar këtu, si nga ana e organeve kompetente – komunat, banorët përreth kanë filluar t’i ngushtojnë brigjet e lumit, të hedhin mbeturina të ndryshme dhe kjo e rit efektin e vet. Por, një problematikë tjetër është sepse nuk e kemi një ndërmarrje që merret me këto problematika, me lumenjtë. MHPH-ja është përgjegjësi kryesor, por është një sfidë e madhe për këtë ministri sepse shumë pjesë të lumenjve janë degraduar në gjendjen më të keqe. Zhavori është pjesë përbërëse e ndërtimit dhe operatorët legalë dhe ata ilegalë e kanë i kanë keqshfrytëzuar minertat. Lumi Drin, këtë rast nga fshati Xërxë deri në fshatin Kramovik është gjendja më alarmante, po ashtu edhe pjesë të tjera si Bistrica e kështu me radhë”, është shprehur ai.
Sipas inxhinierit Osmanaj komunat si Klina, Drenasi e Malisheva dhe të tjera, që nuk ka kanë konfiguracion të lartë, kryesisht janë në përmbytje sepse reshjet vinë nga lumenjtë dhe detyrimisht krijojnë mosqarkullimin e mire të prurjes së ujit në drejtimin e rrjedhjes së lumit.
Ai, ka treguar se tashmë ka filluar puna drejt parandalimit të përmbytjeve, duke theksuar se në lumin Drin janë duke u caktuar hartat potenciale të rrezikut nga përmbytjet. Sipas tij, pas identifikimit të atyre pikave, që janë më problematike, analizohen ato dhe arsyejet e përmbytjes, e për të vazhduar me menaxhimin e përmbytjeve.
Mirëpo, ekzistojnë dy masa preventive që duhet të marrin institucionet kompetente për parandalimin e vërshimeve.
“Janë dy preventiva për parandalimin e përmbytjeve si rregullimi i lumenjve në mënyrë të rregullt dhe realisht parashihen projekte të ndodhin ato dhe t’i kthehen normalitetit. Hapi i dytë është ndërtimi i akumulacioneve, që quhen penda, për parandalimin e asaj kohe kur kemi intensitet të lartë reshjeve që ta parandalojnë. Realisht ky quhet menaxhimi i resursit ujor. Para se të fillojnë reshjet t’i shkarkojmë ato akumulime dhe kur të vinë reshjet të akumulojnë gradualisht dhe me përfundimin e reshjeve të lëshohet uji që të mos përmbytet”, ka shtuar Osmanaj.
Në lidhje me projektet për rregullimin e shtretërve të lumenjve, Osmanaj ka nënvizuar se lumenjtë po shndërrohen në kanale dhe se rregullimin e lumenjve po e projektojnë njerëz që nuk janë përgjegjës për atë disiplinë, pa i llogaritur prurjet dhe pastaj dalin problemet.
Sipas tij, se duhet që në mënyrë ekologjike shtretërit e lumenjve të jenë të këndshëm për qytetarët, që lumenjtë të shihen deh si kënde të bukura për rekreacion.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)