Aktuale
Auditori gjenë dobësi në menaxhimin e kontratave në Komunën e Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa parregullsi në lidhje me realizmin e punëve nga kontratat e nënshkruara nga disa kompani në Komunën e Prishtinës.
ZKA-ja ka numëruar disa projekte, të cilat kanë qenë të nënshkruara në kontratë por që nuk kanë shkuar si duhet.
Në procedurën e prokurimit “Ndërtimi i disa rrugëve”, në të cilën hyjnë ndërtimi i rrugëve në Makovc, Lagja Balaj dhe Grashticë e Epërme Lagja Musaj, Rexhaj dhe Obzovik, në kontratë është paraparë sigurimi i punishtes, ku përfshihej edhe sigurimi i punëtorëve deri në kryerjen e punimeve. Mirëpo, operatori ekonomik, nuk e kishte kryer këtë veprim e për moskryerjen e tij menaxheri i punimeve nuk ka pasur ndonjë arsyetim.
Projekti tjetër, sipas Zyrës së Auditimit është “Ndërtimi i objektit parashkollor në Kodrën e Trimave”, ku gjatë ekzekutimit të kontratës, menaxheri i kontratës kishe ndryshuar disa kërkesa në kontratë si: muratimi i mureve sipas kontratës ka qenë i paraparë me blloqe të Silcaporit, ndërsa janë realizuar me blloqe nga argjila; dhe furnizimi, transporti dhe montimi i dyshemesë sipas kontratës ka qenë i planifikuar nga druri ndërsa është realizuar me pllaka. Sipas menaxherit nuk ishin paraparë pozicionet e duhura, prandaj janë ndërruar.
Rasti i tretë është projekti “Ndërtimi i objektit të shkollës fillore në lagjen Arbëria”, periudha garantuese e defekteve është pesë vite, pas pranimit të punëve. Objekti ishte pranuar në muajin nëntor 2018. Gjatë ekzaminimit, ZKA-ja thotë se ka vërejtur se disa pjesë të objektit (mure, tavane) ishin shkatërruar dukshëm. Komuna nuk kishte kërkuar nga punë kryesi sanimin e këtyre prishjeve, sepse ata nuk kishin pranuar asnjë ankesë nga drejtoria e shkollës. Pas ngritjes së vërejtjeve tek komuna, ajo ka kërkuar nga operatori ekonomik që të bëjë sanimet e duhura.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka paraparë disa rreziqe që vijnë nga monitorimi i dobët i kontratave.
“Menaxhimi dhe monitorimi i dobët i kontratave mund të ndikojë në mos zbatimin e kontratave sipas kushteve kontraktuale, rrjedhimisht në mos arritjen e objektivave dhe kërkesave të përcaktuara në kontratë. Derisa përfshirja e pragut në kontratën publike kornizë prej +/-30%, kur nuk kërkohet, paraqet rrezik për entitetin pasi që, OE mund të kërkojë përmbushje të saj. Po ashtu pakujdesia për mos aplikimin e periudhës garantuese shkakton shpenzime shtesë për komunën”, theksohet në raport.
Gjithashtu janë dhënë edhe disa rekomandime për të parin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, në të cilat thuhet se ai duhet të sigurojë se menaxherët e projektit të kujdesën që të kryhen të gjitha punët sipas kontratës. Pas kësaj të bëhen edhe kontrolle gjatë periudhës punuese. Po ashtu kontratat duhet të lidhen ashtu siç kërkohen me udhëzimet e prokurimit publik./Ndertimi.info
