Aktuale
Hapet tenderi që Adem Demaçit t’i ndërtohet shtatorja e gjatë katër metra
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/Adem-Demaci.jpg)
Qeveria e Kosovës pasi një viti që ka mrrë vendim për ngritjen e shtatores së veprimtarit Adem Gemaçi, ka nisur procedurat për realizimin e kësaj të fundit.
Tashmë është hapur tenderi për projektimin e shtatores së veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi, e cila do të vendoset tek rrethrrotullimi i spitalit në Prishtinë.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik janë cekur edhe kushtet e pjesëmarrjes për konkursin e projektit me titull “Ndërtimi i shtatores së Adem Demaçit” .
Por aty nuk është bërë e ditur shuma që zyra e kryeministrit Haradinaj ka planifikuar të shpenzoj në këtë shtatore.
E afati i fundit për pranimin e projekteve është data 17 korrik 2019.
Arbresh.info gjatë të hënën ka provuar të kontaktoj me djalin e veprimtarit Demaçi, Shqiptar Demaçi por nuk ka arritur të marrë përgjigje.
Ndërsa nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj kanë thënë se shtatorja do të jetë katër metra.
Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit i cili është edhe anëtarë i Komisionit të krijuar për monitorimin e vendosjes së shtatores ka konfirmuar gjithashtu përfundimin e afatit.
“Konkursi është publik deri më 17 të muajit të ardhshëm do të kenë mundësi autorët të aplikojnë dhe do të bëhet përzgjedhja. Do të jetë katër metra i gjatë dhe do të vendoset në parkun ‘Adem Demaçi’ te rreth rrotullimi”, ka thënë ai.
Lluka ka shtuar gjithashtu se komuna e Prishtinës do të merret me përgatitjen e projektit për ambientit rreth shtatores.
Ndryshe në mbledhjen e mbajtur më 31 korrik 2018, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë- “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emëruar parkun e qytetit të Prishtinës – “Parku Adem Demaçi”.
Madje në këtë mbledhje ishte formuar edhe Komisioni për këto tri çështja e në përbërje të së cilit ishin caktuar një përfaqësues i Zyrës së Zryeministrit të Republikës së Kosovës, një përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës, një i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, një i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksëve Memoriale dhe një përfaqësues i Komunës së Prishtinës.
E në të njëjtin vendim thuhet se të gjitha shpenzimet do të mbulohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Veprimtari i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar në moshën 82 vjeçare.
Demaçi njihej si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit.
Ai u arrestuar dhe dënua tri herë, duke vuajtur kështu 28 vjet me radhë në burgjet e ish-Jugosllavisë.
Në vitin 2010 ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”./arbresh.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)