Aktuale
Kryeministri Haradinaj tri shtëpi, një banesë e mbi 8 mijë euro të ardhura mujore
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka tri shtëpi e një banesë, me vlerë nga 70 mijë euro deri në 300 mijë euro. Nga këto pasuri të paluajtshme dy shtëpi dhe një banesë janë në pronësi të kryeministrit, ndërsa një shtëpi është në pronësi të përbashkët.
Shtëpia me hapësirë 950 m2, e cila është në pronësi të kryeministrit, sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsion, kap vlerën 300 mijë euro. Kjo shtëpi është deklaruar se është ndërtuar me mjete vetanake të kryeministrit dhe me ndihmën e dhënë nga bashkëluftëtarët e tij. Ndërsa, 30 mijë euro më pak e ka vlerën shtëpia familjare.
202 mijë euro kushton shtëpia tjetër 500 m2, që kryeministri e ka blerë në vitin 2016. Ndërsa, një vit më vonë, Haradinaj ka blerë një banesë 213 m2, që ka kapë vlerën vetëm 70 mijë euro, raporton Ndërtimi.info.
Kryeministri ka edhe tokë kodrinore, në pronësi të përbashkët, që ka vlerë 75 mijë euro si dhe ka blerë një tokë truall me çmim 27 mijë e 300 euro, që është në pronësi të tij.
Përveç pasurive të paluajtshme, kryeministri Ramush Haradinaj ka të ardhura mujore 8 mijë e 229 euro, nga qiraja e shtëpisë, paga e kryeministrit si dhe pensioni invalidor. Ndërsa bashkëshortja e tij Anita, ka të ardhura mujore 2 mijë e 660 euro, nga tri vende pune. Sipas deklarimit të pasurisë, kryeministri me bashkëshorten e tij marrin 140 mijë euro në vit.
Bashkëshortja e kryeministrit, ka në pronësi një veturë, në vlerë 8 mijë euro, ndërsa kryeministri nuk ka veturë në pronësi.
I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ka para gatshme 71 mijë e 720 euro, të cilat i mbanë në bankë. Por, Haradinaj ka deklaruar se ka edhe kredi.