Aktuale
A mund të përfundojë Autostrada “Agim Ramadani” deri në verën e vitit 2020?

Në Autostradën 22 kilometërshe që lidh Gjilanin me Prishtinën punimet kanë filluar në qershor të vitit 2018. Edhe pse ishte planifikuar që punimet të nisnin në mars të 2018 ato u shtynë. Me gjithë problemet dhe shpenzimet milionëshe në shpronësime, Ministria e Infrastrukturës është optimiste se autostrada do të kryhet para afatit kohor prej 30 muajsh sa është paraparë.
Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht zëvendësministri Rexhep Kadriu, në përgjigjen për Gazetën Express ka thënë se punimet në Autostradën Prishtinë-Dheu i Bardhë, po vazhdojnë me dinamikën e duhur pavarësisht problemeve të cilat i kemi pasur në shpronësime.
“Punimet në Autostradën, Prishtinë-Dheu i Bardhë, segmenti Banullë-Bresalc janë të kontraktuara në 8 llote, punimet e së cilës kanë filluar në qershor të vitit 2018 po vazhdojnë me intensitet të shtuar, me gjithë problemet të cilat i kemi pasur në shpronësime, prapë se prapë punimet janë duke vazhduar në dinamikën e duhur”.
Në shkurt të vitit 2018, Ministri Pal Lekaj, kishte nënshkruar kontratat me operatorët për ndërtimin e autostradës dhe ishte prezantuar traseja e Autostradës Gjilan-Prishtinë, ku do të ketë kyçje në Banullë, më pas do kaloj nëpër Sllovi, Zhegovc e që më pas do të ketë dalje në Bresalc.
Shpronësimi i tokave sipas Ministrisë do të kap shumën e 39 milionë e 332 mijë e 973 eurove. Më së shumti sipërfaqe të tokës do të shpronësohet në pjesën Përlepnicë-Tjegullore.
Në këtë pjesë do të shpronësohen 789 mijë e 99 metra katror, të cilat do të kushtojnë 5 milionë e 891 mijë euro.
I pyetur se kur pritet përfundimi i Autostradës “Agim Ramadani”, zëvendëskryeministri Kadriu është shprehur se ofertat e kontraktorëve parashohin afatin kohor prej 30 muajve.
“Përfundimi i punimeve në Autostradën “Agim Ramadani” sipas ofertave të kontraktorëve është paraparë 30 muaj përfundimi i punimeve, por sipas dinamikës të cilën e kemi në teren, konsiderojmë dhe jemi optimist se autostrada prej 22.3 km e kontraktuar në 8 llote do të përfundoj para afatit kohor”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka thënë se vlera e kontraktuar e 8 lloteve për Autostradën “Agim Ramadani” kap vlerën e 88 milionë eurove.
Ai ka thënë se segmentet tjera në drejtim të Dheut të Bardhë, në kufi me Serbinë ti shpallim gjatë vitit 2019.
