Aktuale
Në këtë xhami u ligjërua shqip për herë të parë në Prishtinë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/445B282D-7B76-421C-A28D-A79E10F71526.jpeg)
Xhamia e Jashar Pashës gjendet ë Prishtinën e Vjetër. U ndërtua mes viteve 1834 – 1835 nga prishtinasi i pasur dhe i njohur i kohës Jashar Pasha, që ishte guvernator i Shkupit. Këtë e kishte ndërtuar për nder të djalit të tij.
Arkitekti i BIK-ut, Sami Isufi ka treguar për Ndërtimi.info se enterieri i xhamisë ka katër pjesë të pashmangshme të xhamisë: mimberin, mihrabin, kursinë dhe mafilin.
“Këto katër elemente për nga dekori vlen të theksohet mafili. Por, mimberi, që mbahet hutbja, është klasiko-osman me të gjitha elementet. Mihrabi, po ashtu njësoj, ndonëse ka disa korniza që janë shtruar me llaq në vitin 1834. Rroshi, përmbi mihrabin është element i rëndomtë tipin e tillë të xhamive. Kursi, ndonëse më modeste, i cila shërben për mbajtjen e derseve jashtë xhumasë. Mafili është i punuar i tëri nga druri. Për nga profili, druri është i gdhendur bukur, në veçanti frizi i mafilit” theksoi tutje.
Përkushtimi në punimin e mafilit, i njohur si pjesa për femra, vërehet qartë. Punime dore të mahnitshme e ngjyra që pushojnë sytë. Përballë saj qëndron mimberi. Është pak më rëndësishëm për një arsye. Në të për herë të parë në Prishtinë u mbajt ligjërata e të premtes në gjuhën shqipe, rreth vitit 1930. E, që nga ajo kohë ligjëratat vazhduan në gjuhën shqipe për të mos u ndalur kurrë.
Lashtësia e kësaj xhamie, me sipërfaqe mbi 200 metra katrorë, ku u ligjërua shqip për herë të parë, është e vulosur që në hyrje. Sipër derës së sallës së xhamisë zë vend vula e Sulltan Mahmutit të Dytë, për të vërtetur periudhën e ndërtimit. U konsiderua xhevahiri i kohës, por epitetin nuk po e lëshon. Në epigrafin e objektit, në gjuhën osmanishte iu dha ky epitet. Aty tregohet edhe arsyeja që Prishtinës ua dha ky objekt.
Për këtë xhami Ndërtimi.info kishte realizuar një reportazh, ku ka sjellë gjithçka në detaje rreth këtij objekti unik fetar në Prishtinë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)