Aktuale
Inspektorët në aksion për të rrënuar tri kate pa leje në Rrugën B

Inspekcioni i Komunës së Prishtinës të hënën kishte ndarë mëngjesin për të rrënuar një pjesë të një objekti pa leje.
Policia e Kosovës dhe inspektorë kishin ardhur në Rrugën B, ku një objekt që ishte P+2 etazhe, pa leje kishte filluar ndërtimin dhe e kishte bërë objektin në P+5 etazhe.
Ky objekt kishte pasur disa tentime për t’u ndërtuar njëjtë, mirëpo inspektorët kishin dhënë paralajmërime dhe ndalimi nuk kishte ndodhur. Punëtorët e kompanisë së kontraktuar për rrënim, vetëm u ngjitën në katin e fundit për të filluar rrënimin.
Drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri e sqaroi të gjithë situatën.
“Në këtë objekt madje ka pasur rrënim edhe gjatë vitit të kaluar, por pala nuk e ka respektuar vendimin e Inspekcionit dhe ka filluar me ndërtim përsëri. Në procesverbalet që kam gjetur, një procesverbal të tetorit të vititi të kaluar dhe një tjetër të janarit, sipas inspektorit thuhet se është mbindërtim mbi objektin p+2. Ju sot e shihni se në cfarë pike ka arritë ky objekt. Pavarësisht procesverbaleve pala nuk i ka ndërprerë punimet, edhe pse është urdhëruar nga Inspekcioni dhe ka vazhduar me punime. Ne javën e kaluar e kemi nxjerrë vendimin për rrënim, vendim i cili e obligon palën që brenda 15 ditëve të fillojë ta rrënojë vet objektin dhe në rastin kur vazhdon me punimet ndërmarrim masa ne”, është shprehur Tahiri.
Njëri nga investitorët, Agim Mani fillmisht nuk deshi të flasë për media, mirëpo më pas filloi të tregojë për ngjarjen, ku shihet se leje nuk ka pasur dhe mbi atë se po renovon ka filluar të ndërtojë.
“Është objekti i parë që është ndërtu në këtë zonë, p+2. Në 2017-tën është ndalë legalizimi, për me ia përshtatë dhe me ia dhënë ambientit një pamje më të mirë tjetër e kemi renovu, për me i dhënë pamje profesionale. Lejen nuk e kemi marrë se ka qenë në legalizim projekti, ka deklaruar Mani.
Më parë ky objekt ka qenë i ndërtuar, por për ngritjen e etazheve tjera janë vendosur shtylla tjera jashtë objektit. Tash shihet se atij i është vënë edhe stiropori për ta bërë gati fasadimin./Ndërtimi.info/
