Aktuale
Muzeu i Hekurudhave të Kosovës që ruan artefakte të shumta

Stacioni i trenit në Fushë Kosovë dikur kishte qasje direkte në shumë hekurudha evropiane. Pak gjëra kanë mbetur që nga viti i largët i 1984, atëherë kur Kosova u bë me linjën e parë hekurudhore.
Por, edhe pak gjëra thuhet të jenë ndryshuar që nga ajo kohë. I ka mbetur vetëm funksioni i njejtë Stacionit në Fushë Kosovë i cili mbetet nyje i stacioneve të hekurudhave të Kosovës.
Në qoshe të saj në pak metra katrorë, sot po ruhen artefakte dhe eksponate si disa nga pjesët e transportit të atëhershëm, shkruan Klan Kosova.
“Gjitha këto eksponate që ruhen në këtë hapësirë, janë të tubuara nga të gjitha stacionet në nivel vendi. Iniciativa për ta pasur një muze të tillë ka qenë e inxhinierit të komunikacionit hekurudhor, Mehdi Berisha”, tregon Ekrem Tahiri nga Muzeu i Hekurudhave të Kosovës.
“Këtë muze e vizitojnë shumë vizitor dhe ithtar të hekurudhave, ata që janë të fascinuar pas trenave, fëmijë nga çerdhet, nxënës, student dhe hulumtues të llojeve të ndryshëm”, tregon Tahiri.
Ky muze me koleksionet e veta ekzistuese i ka hapur dyert për hulumtuesit me shije të mbrehtë.
“Kohët e fundit e kanë vizituar një grup i pensionisteve të hekurudhave gjermane dhe në shenjë respekti për pasurimin e këtij muzeu, ata kanë sjellë një lokomotivë të improvizuar të ish hekurudhave gjermane. Po ashtu kanë sjellë edhe një uniformë të cilën personeli i hekurudhave gjermane e ka në shërbim. Përpos këtyre ata kanë sjellë edhe disa libra për të kaluarën e hekurudhave gjermane dhe një telegram falënderues për mikpritjen që ua kemi bërë”, rrëfen Tahiri
Përveç pensionistëve gjerman, kanë qenë edhe pensionistët e vendeve skandinave, të cilët kanë sjellë një muze të improvizuar të kohërave të vjetra, të hekurudhave të tyre.
E, në fakt muzeu është një lloj strehimi për koleksionet e vjetra, që njerëzit dhe ngjarjet me dhunë i kanë ndarë nga mesi i tyre e që i kanë lënë në mëshirë të kohës e të fatit.
