Aktuale
Ndryshohet projekti për Unazën së Re në Tiranë
Loti i Parë i Unazës që u fitua nga firma fantazmë DH Albania do bëhet me një projekt të ri. Vepra pa mbikalim, rrethrrotullimi do të kalojë nën tokë. Nuk tregohet vlera e segmentit, që u vlerësua 20 milionë euro
Loti i parë i Unazës së re, i cili krijoi furtunë, me zbulimin e falsifikimit të firmës së kompanisë “DH Albania”, vjen me një tjetër zhvillim. Pas shumë përpjekjeve, nga ana e qeverisë për të fshehur gjurmët e saj në këtë aferë me vlerë 20 milionë euro, dhe me disa konkurse farsë në gara tenderësh, dje përfaqësues të institucioneve që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me ndërtimin e veprës, kanë lëshuar në tryezë një projekt të ri. Kjo tentativë,duket si një kapitullim i qeverisë, por këtë herë jo pa kushte, pasi sedra për të mos u lënë hapësirë banorëve në zonë që protestojnë prej afro gjysmë viti, nuk ka shkuar me anulim, por me devijim projekti.
Në dhjetor të vitit të kaluar projekti i lotit të parë që kushtonte 20 milionë euro nga 40 në total që shkonte projekti të Unazës së Re u anulua në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare pas konfirmimit nga autoritetet amerikane se kompania fituese “Dunwell Haberman Albania” ka falsifikuar bilancet me të cilat është paraqitur në tender. Pas këtij vendimi, po në dhjetor Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi tenderin për ritenderimin e ndërtimit të mbikalimit tek sheshi “Shqiponja”, ndërsa dje pasdite, kryetari i bashkisë Erion Veliaj së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantuan projektin e ri.
Projekti ka ndryshuar dhe tashmë nuk parashikon mbikalim te sheshi Shqiponja, por vetëm një nënkalim duke ulur kostot, pasi i pari shkonte 20 milionë euro.
Ekspertët e bashkisë së Tiranës nuk dhanë shifër sa do të kushtonte, por u shprehën gjatë prezantimit të projektit se objektivi është që të mbetemi brenda tavanit financiar që ishte parashikuar.
“Objektiv ishte që të mbeteshim brenda tavanit financiar që kishte projekti dhe brenda gjurmës së shpronësimeve, por edhe të optimizmin e transportin publik”.
Nga pamjet e renderave, projekti nuk do të ketë mbikalime, por vetëm nënkalime.
Veliaj tha se kalimi nëntokë i rreth-rrotullimit i jep qytetit një pamje krejt tjetër.
“Një nga temat kryesore që kemi adresuar ka të bëjë me mundësinë dhe propozimin për transformimin e rrethrrotullimit “Shqiponja”, nga një zgjidhje në lartësi në një zgjidhje në thellësi. Kur infrastrukturat masive, pra autostradat, përshkojnë zona urbane, si ato që kemi parë në kryeqytete ose qytete të mëdha të Europës, kemi parasysh këtu rastin e Brukselit apo Milanos, zgjidhja ka qenë në thellësi. Pra, në vend që të kemi kate, që pengojnë pamjen e hyrjes së qytetit me infrastrukturë masive të betonizuar në lartësi, këto i çojmë në thellësi. Propozimi kryesor fillestar ka të bëjë me kalimin në kate nëntokësore, që nuk ndërpresin qarkullimin”, tha Veliaj.
Po ashtu, ai theksoi se ky propozim sjell mosndarjen e qytetit me një mur artificial, i cili do të krijohej nga lidhja e unazës me rrethrrotullimin nëpërmjet këmbëve dhe murit të betonit.
“Propozimi ynë shkon nga alternativa ku autostrada ngrihet në këmbë dhe në njëfarë mënyre krijon një urë artificiale midis Njësisë 7 dhe zonës së Astirit, Kasharit apo Yzberishtit, në kalimin në nivel zero, çka për këmbësorët, bizneset dhe ata që duan të shfrytëzojnë hapësirat e trotuareve apo mini-sheshet që krijohen në çdo kryqëzim, të kemi mundësi që t’i shtojmë vlerë dhe jo të krijojmë një mur ndarës, që shërben vetëm për makinat si mjet lidhës, kurse për dy komunitetet shërben si mjet ndarës”, theksoi kreu i bashkisë.
Ndërkohë, ai vuri theksin në fjalën se askush që preket nga zhvillimi i këtij projekti nuk do të mbetet pa strehim.
“Sigurisht, për ata që janë pa asnjë pronë, pa asnjë të ardhur, pa asnjë letër, kemi filluar një trajtim social. Kemi sot familje që jetojnë shumë herë më mirë te banesat sociale, që i kanë me letra dhe që i kanë me gjithë rregullat e shtetit, krahasuar me çfarë i kemi gjetur mbi pusetat dhe kolektorët te zona e Astirit”, tha Veliaj, raporton shekulli.