Connect with us

Aktuale

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit investon mbi 3.5 milionë euro në Prizren

Published

on

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar dhjetë memorandume me Komunën e Prizrenit, të cilat i nënshkruan ministri Kujtim Gashi dhe kryetari Mytaher Haskuka, në vlerë totale prej 3 milionë e 670 mijë euro, por gjithashtu do të investohen edhe 3 milionë për trashëgimi në këtë qytet.

Projektet në të cilat MKRS-ja do të investojë janë:

  1. “Pishina Olimpike, Prizren” 1 milion e 350 mijë euro për tri vite,
  2. “Ndërtimi i Stadiumit në Zhur, Prizren” 1 milion euro për tri vite,
  3. “Stadiumi Përparim Thaqi, Prizren” 840 mijë euro,
  4. “Fusha Sportive në Lubinjë të Epërme – Prizren” 120 mijë euro,
  5. “Stadiumi i fshatit Gjonaj – Prizren” 100 mijë euro,
  6. “Poligoni Sportiv në Mushnikovë – Prizren”, 60 mijë euro,
  7. “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Novo Selo në Prizren” 50 mijë euro,
  8. “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Pauske në Prizren” 50 mijë euro,
  9. “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Skorrobisht në Prizren” 50 mijë euro,
  10. dhe “Kompleksi sportiv “11 Marsi”, Prizren” 50 mijë euro.

Ministri Gashi tha se projektet në të cilat do të investojë MKRS-ja janë mbështetje në kuadër të politikave dhe programit të ministrisë dhe se pret që pas realizimit të projekteve do të krijohen mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët, ashtu që ata ta kenë më të lehtë t’i kryejnë aktivitetet kulturore e sportive.

Ministri sqaroi se një pjesë e vogël e projekteve janë vazhdimësi e viteve të kaluara, ndërsa pjesa më e madhe e projekteve janë projekte të reja që MKRS-ja do të investojë në Prizren.

“Është një shumë 3.5 milionë euro projekte që janë fokusuar te pjesa e sportit pa e llogarit pjesën tjetër 3 milionë tek trashëgimia kulturore. Pra, ministria është e fokusuar në investimet në fushën e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit, meqenëse është qytet që ngërthen në vete një pjesë të madhe të monumenteve dhe të aseteve”, u shpreh ministri.

Ai ka shfrytëzuar këtë mundësi për të kërkuar përkushtim më të madh prej komunës te projektet e reja.

“Ne kemi projekt të përbashkët me UEFA-n, kemi edhe 12 stadiumet ndihmese dhe aktualisht Prizreni nuk ka një hapësirë të cilën do të na e siguronte për fillimin e ndërtimit të këtij projekti, pra për të pasur edhe një stadium ndihmës në qytetin e Prizrenit, megjithatë jemi dakorduar që mundësia për një stadium ndihmës të jetë në Gjonaj, meqë edhe aty kemi një klub aktiv dhe kemi një hapësirë, por për momentin është ende e kontestuar si pronë. Po ashtu, e njoftova që për disa ditë do kemi edhe stadiumin ndihmës në Boka, investim i MKRS-së”, sqaroi tutje ministri Gashi.

Ministri paralajmëroi se do të vizitoi edhe stadiumin e qytetit dhe pishinën olimpike ku po kryhen punimet për të inspektuar ato dhe për të biseduar me operatorët për intensifikimin e punës pasi që mjetet janë të siguruara qysh nga viti i kaluar.

“Jam i interesuar që stadiumi ‘Përparim Thaçi’ të përfundojë këtë vit që klubeve tona t’i krijohen mundësi të reja edhe për shfrytëzim dhe për zhvillimin e lojërave. Prizreni ka vëmendjen time të shtuar për ta avancuar infrastrukturën dhe këto memorandume do të jenë mundësi e mirë dhe e re për sportdashësit dhe njerëzit e kulturës. Me këto projekte jemi shtrirë në pjesën e Hasit, Lumbardhit dhe në të gjitha pjesët e Prizrenit”, tha ministri.

Ndërsa, kryetari Haskuka shprehu falënderimin për mbështetjen nga ana e MKRS-së dhe e ministrit Gashi për projektet në fjalë.

Haskuka ka thënë se nga marrveshjet e nënshkruara, ka edhe të atilla që kanë nis në vitin që shkoi, por shumica janë për projekte të reja.

“Ne kemi edhe projekte me Ministrinë e Kulturës, diskutuam edhe për projekte në Prizren. E falënderoi për gatishmërinë dhe bashkëpunimin që e kemi në të gjitha këto projekte dhe besoj që me këto investime Prizreni do të bëhet qytet i kulturës dhe sportit “, ka thënë ai.

Ai tha se mbetet për t’u punuar me çështjen e hapësirave se ku do të realizohen këto projekte.

Ministri e ka njoftuar kryetarin Haskuka që ministria ka marrë vendim që në qytetin e Prizrenit t’i ngritët shtatorja e kongresmenit Eliot Engell.

Deri më tani Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për këtë vit ka investuar qindra mijëra euro në projekte të trashëgimisë, me theks rehabilitimi dhe restaurimi i objekteve në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.

“Shumë shpejt do të fillojnë edhe punimet në rrugën ‘Marin Barleti’. Është një projekt tashmë i finalizuar dhe shumë shpejtë do të fillojmë me restaurimin e të gjitha atyre shtëpive që gjinden në këtë rrugë, ku në fazën e parë të projektit janë të përfshira 14 shtëpi”, njoftoi ministri Gashi

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending