Aktuale
Ahmeti flet për aferën e spitalit: Komuna nuk e ka vazhduar kontratën për shfrytëzimin e tokës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/Shpend-Ahmeti.jpg)
Afera e spitalit të ndërtuar brenda oborrit të QKUK-së po vjen duke u thelluar. Në të po del të jenë të përfshira pothuajse të gjitha institucionet e shtetit si ato komunale po ashtu edhe ato qendrore.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur ekskluzivisht për Indeksonline për këtë çështje duke shpalosur detaje interesante për mënyrën se si ka ardhur deri te funksionalizimi i këtij spitali.
Ahmeti thotë se Komuna e Prishtinës nuk i ka vazhduar kontratën e qerasë së tokës në të cilën është ndërtuar ky spital i cili është në pronë të Komunës së Prishtinës. Aktualisht ky spital operon me kontratë të skaduar në tokë të komunës dhe për këtë nuk i paguan asnjë cent buxhetit të shtetit.
“Komuna e Prishtinës në vitin 2005 i ka dhënë në shfrytëzim token pwr ndërtimin e spitalit kardiologjik me vendim të Kuvendit, kontratën mund të ja u dërgojmë. Mendoj se kjo ka qenë në kohën kur Ismet Beqiri ka qenë kryetar. Kontrata wshtw për 10 vite duke filluar nga data e dhënies së lejes (2007) me mundësi vazhdimi për 10 vite të tjera. Në ndërkohë në vitin 2013 ka ndryshuar Ligji për Dhënie në shfrytëzim dhe nuk ka pasur mundësi për kontrata të tilla pa konkurrencë. Kontrata origjinale e nënshkruar nga Sami Hamiti në emër të Komunës dhe Fatmir Dalladaku në emër të Qendrës Kardiale e Kosovës SH.P.K parasheh që mos të paguhet qera, ndërsa si kundërshpërblim për qeranë është e paraparë që:
- Në vitin e parë me kërkesë të komunës të bëj dy operacione pa pagesë në muaj
- Në vitet tjera çdo vit nga një operacion pa pagesë në javë
- Çmimi i shërbimeve për operacione kardiokirurgjike të jetë 5 përqind më lirë se në regjion
Sipas informatave tona kjo nuk ka ndodhur asnjëherë për shkak se spitali kardiologjik nuk është ndërtuar asnjëherë” thotë për Indeksonline, Shpend Ahmeti.
Ahmeti thotë se Komuna e Prishtinës nuk i ka vazhduar kontratën e qerasë këtij spitali duke pasur parasysh se ka pasur shumë parregullsi dhe për më tepër me të marrë mandatin më 2014 e ka dërguar lëndën në prokurori por prokuroria nuk ishte marrë me këtë çështje duke thënë se lënda është e parashkruar dhe nuk është objekt hetimi.
“Ne NUK e kemi vazhduar kontratën për shfrytëzimin e tokës. Në ndërkohë në tokë është ndërtuar spitali i cili më nuk është ai kardiologjik por është Spitali Amerikan. Objekti është pronë e Ekrem Lluka për të cilin nuk dimë se në çfarë relacioni është me Spitalin Amerikan. Komuna e Prishtinës nuk lëshon licenca për spitale por kemi qenë të informuar se askush nuk mund të hap spital pa qenë distanca 1.5 km nga QKUK. Me vendime të njëpasnjëshme të qeverisë ato kufizime janë larguar. Në vitin 2014, me tu bërë kryetar komune e kam dërguar gjithë lëndën në prokurori. Në afat rekord (brenda pese ditëve) prokuroria më ka kthyer përgjigje për të më thënë se lënda është e parashkruar prandaj nuk mund të jetë objekt hetimi për të cilën kemi pretenduar ne”, ka deklaruar Ahmeti për Indeksonline.
Kryetari Ahmeti thotë se aktualisht objekti i spitalit brenda QKUK-së nuk i paguan asnjë centë Komunës së Prishtinës dhe nuk është duke i ofruar asnjë shërbim QKUK-së siç ishte paraparë në kontratën e mëparshme dhe për momentin nuk dijmë si të veprojnë karshi kësaj situate pasi që kjo nuk është specifikuar qartë me ligj.
“Edhe sot pretendojmë se shfrytëzuesit e tokës NUK kanë kontratë të vazhduar dhe nuk kanë mundësi të vazhdimit me legjislacionin në fuqi. Në raste të tilla nuk ka udhëzime si të veprohet kur një objekt që ka vlerën më të madhe se toka është pronë e tjetërkujt në toke të një pronari tjetër”, ka përfunduar kreu i komunës Shpend Ahmeti.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)