Aktuale
Ministria për Kthim dhe Komunitete kreu procedura të prokurimit pa projekte ekzekutive
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/11/Material.jpg)
Ministria për Kthim dhe Komunitete ka treguar dobësi në procesin e mbikëqyrjes te projektit i ndërtimit të shtëpive për të kthyerit si dhe në dy raste ka zhvillimin e procedurave të prokurimit pa projekt, shkruan Ndërtimi.info.
Gjatë auditimit për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se nuk ishte përfunduar ndërtimi i një shtëpie (95m²) në Preoce të Graçanicës me vlerë 34,657 euro, e financuar nga Ministria për Kthim dhe Komunitete. Sipas ZKA-së, nuk ishin kryer disa punime në vlerë 2,326 euro si dhe montimi i stiroporit ishte me dimensione 3 centimetër, ndërsa ishte paguar për 5 centimetër.
ZKA ka identifikuar edhe në Shtërpcë mos përfundim të ndërtimit të një shtëpie, në vlerë 24,886 euro.
Sipas raportit të ZKA-së, nënshkrimi i raporteve nga menaxheret e kontratave para se punimet e kontraktuara të jenë kryer, rritë rrezikun e dëmtimit të buxhetit të ministrisë si dhe mos përfitimin e vlerës për paranë e shpenzuar.
ZKA-ja për këtë çështje ka nxjerr rekomandim për të ministrin për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtic.
“Ministri duhet të siguroj që mbikëqyrja e projekteve të jetë më efektive për tu siguruar që ekzekutimi i punimeve të kryhet në pajtim me kushtet e kontratës dhe pagesat janë kryer vetëm për punët apo shërbimet e kryera”, thuhet në raportin e këtij institucioni.
Ministria për Kthim dhe Komunitete kishte zhvilluar aktivitetin e prokurimit për projektin e asfaltimit të rrugës në fshatin Koretishtë të Komunës së Novobërdës në vlerë 58,605 euro, pa hartuar paraprakisht një projekt ekzekutiv. Njëjtë kishte vepruar edhe për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komunën e Ranillugut, në vlerë 247,690 euro.
E, shkaqet e zhvillimit të procedurave të prokurimit, sipas raportit të ZKA-së, janë se komunat përkatëse për realizim të projekteve kishin ofruar vetëm projektet ideore, dhe jo projektin ekzekutiv me ç’rast zyra e prokurimit kishte zhvilluar procesin e prokurimit.
Por zhvillimi i procedurave të prokurimit pa projekt ekzekutiv paraqet rrezik.
“Zhvillimi i procedurës së prokurimit pa projekt ekzekutive, rritë rrezikun që projekti të mos realizohet sipas standardeve të pranuara të ndërtimit dhe për pasojë mos marrjen e vlerës së duhur për paranë e shpenzuar”, ka theksuar ZKA-ja.
Për këtë, ky institucion rekomandon që ministri të shtoj kontrollet për të siguruar se zyra e prokurimit nuk do të bëjë inicimin e procedurave të prokurimit për kontratat e punës pa projekt ekzekutiv./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)