Aktuale
VV-ja deklarohet kundër spitalit në oborr të QKUK-së, në 2017 Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga VV-ja ia vazhdoi lejen
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/ndertimi-4.jpg)
Përmes një konference për media, Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës se sotme ka deklaruar se kjo parti ka qenë gjithmonë kundër ndërtimit të spitalit privat në oborr të QKUK-së. Megjithatë në mandatin e parë kur Shpend Ahmeti me Lëvizjen Vetëvendosje kishin fituar për të udhëhequr me Prishtinë, komuna ia ka vazhduar lejen e shfrytëzimit të pronës komunale Spitalit Amerikan.
Fillimisht leja për shfrytëzim të pronës nga komuna i është dhënë në vitin 2007, kur me Prishtinën ka udhëhequr LDK-ja. Kontrata për shfrytëzim ka qenë dhjetë vjeçare me opsion të vazhdimit edhe për dhjetë vjet tjera. Në shtator të vitit 2017 kjo leje ka skaduar, Komuna e Prishtinës ia ka zgjatur lejen e shfrytëzimit edhe për dhjetë vjet të tjera, transmeton Koha Ditore.
Në një procesverbal të një prej mbledhjeve të Kuvendit Komunal, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pati deklaruar se ai dhe LVV-ja janë kundër ndërtimit të këtij spitali.
“Qëndrimi im personal është se nuk duhet me pasur spital privat në afërsi të QKUK-së dhe qëndrimi i LVV-së është ky, por po e them, nuk është ky diskutimi që ne duhet ta kemi, mendoj se duhet qeverisja e re të vendosë, megjithatë unë do të isha kundër vazhdimit të asaj kontrate pa e pasur, d.m.th. nuk është tek Komuna me vendosur a duhet ky spital. Nëse vendoset se mund të ketë spital aty, mund të flasim se për tokë çka do të marrim ne si Komunë, e ma përpara isha shkuar me ndonjë ndërtim të Qendrës së Mjekësisë Familjare apo diçka ashtu, por po e them, nuk jemi për atë opsion”, ka thënë Ahmeti.
Përkundër që Ahmeti ishte dekalruar kundër, leja për shfrytëzim të pronës i ishte vazhduar këtij spitali në vitin 2017.
Kur në vitin 2007 ishte nënshkruar kontrata për dhënie në shfrytëzim të kësaj prone, në kontratë precizohej se çdo ditë punë ky spital në bazë të listës se pacientëve të komunës do të duhet që çdo ditë të kryejë një kontroll pa pagesë, , çdo muaj duhej të kryente nga dy operacione pa pagesë vitin e parë ndërsa pas vitit të parë ky spital obligohej që të kryejë çdo ditë nga nga një operacion pa pagesë sipas listës se Komunës se Prishtinës.
Ditëve të fundit partitë politike pas publikimit të videove nga mediet e Grupit KOHA që flasin për dhënie të parave në emër të funksionalizimit të një spitali privat brenda hapësirave të QKUK-së po e akuzojnë njëra tjetrën se kanë lejuar ndërtimin e një spitali të tillë.
Megjithatë sipas dokumentacionit që posedon “Koha Ditore”, Komuna e Prishtinës e udhëhequr në vitin 2007 nga LDK-ja ka lejuar ndërtimin e një objekti dhe dhënien në shfrytëzim të kësaj hapësirë për Faton Dalladakut.
Ish-kryeministri i AAK-së, Agim Çeku përmes një vendimi qeveritar e kishte cilësuar të jashtëligjshëm një vendim të tillë për shkak që leja e ndërtimit dhe leja e shfrytëzimit të pronës komunale ishte në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Kushtet e Përgjithshme dhe Specifike për Spitale. Në këtë UA përcaktohej rrezja 1.5 kilometër distancë mes spitalit publik dhe atij privat. Vendimin e Çekut në qershor të 2009 e pati shfuqizuar ish-kryeministri i Kosovës nga PDK-ja, Hashim Thaçi.
Ai përmes një vendimi që tani është fshirë nga arkiva e Qeverisë pati shfuqizuar vendimin e Çekut duke i hapur rrugë ndërtimit e licnencimit të këtij spitali përkundër që Udhëzimi Administrativ e ndalonte. Në vitin 2015 ish-ministrit, Imet Rrahmani që vjen nga LDK-ja e ka ndryshuar këtë UA dhe ka larguar nenin ku kërkohej distance prej 1.5 kilometër duke ia hapur rrugën fillimit të punës Spitalit Amerikan.
Në vitin 2017 leja për shfrytëzim të pronës komunale pati skaduar por që sipas kontratës me pëlqimin e dy palëve komunës dhe spitalit leja mund të vazhdohej edhe për dhjetë vjet.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)