Aktuale
95 mijë euro për rrënimin e objekteve pa leje në Fushë-Kosovë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/001-1.jpg)
Një vlug i madh ndërtimesh ka përfshirë të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe atë të Fushë-Kosovës, ku janë gjetur madje edhe ndërtime pa leje.
Por, ndërtimeve pa leje në këtë komunë duket se iu ka ardhur fundi.
Tashmë komuna e Fushë Kosovës ka hapur tender për t’i rrënuar gjitha objektet që u ndërtuan pa poseduar leje ndërtimore.
Kjo komunë ka ndarë 95 mijë euro për t’i bërë rrënimet e objekteve të cilat janë jashtë linjave të parapara për ndërtim.
Për këtë aktivitet, të gjithë ofertuesit mund t’i dërgojnë ofertat e tyre deri më 6 qershor 2019, në sistemin elektronik të prokurimit publik, raporton Ndërtimi.info.
Mirëpo, njoftimi për kontratë për këtë aktivitet nuk është i pari. Një njoftim i tillë ishte bërë edhe më parë, por, për shkak të një gabimi teknik, lënda është kthyer në ritender.
Kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info Zyrtari i Prokurimit Publik në Komunën e Fushë-Kosovës, Bedri Obërtinca.
“Aktiviteti më parë është anuluar sepse tek paramasat ka ndodhë një gabim teknik, nuk i kanë definu qartë pastaj në implementim , komisioni ka vërtetu që mundet me pasë probleme të matjeve dhe pastaj ka hapësirë për me manipulu, për këtë arsye e kemi përmirsu paramasën dhe e kemi shtu edhe një njoftim”, ka bërë të ditur Obërtinca.
Ai ka bërë të ditur se ky vendim do të aplikohet tek të gjitha ndërtesat në të cilat Inspekcioni parasheh se janë bërë shkelje.
“Atje ku ka nevojë dhe ku e parasheh Inspekcioni se është bërë diçka jashtë linjave të parapara, përkatësisht në të gjithë territorin e kësaj komunës”, ka theksuar Obërtinca./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)