Aktuale
Protestojnë 25 kompanitë vendore që pretendojnë se u mashtruan nga ‘Bektel-Enka’
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/protesta_5978.jpg)
25 kompani vendore të cilat pretendojnë se janë mashtruar nga kompania “Bektel Enka”, për shkak se kanë kryer shërbime ndërtimi, për të cilat nuk janë paguar, protestuan sot para kampit të “Bektel Enkës”, në Ferizaj.
Me moton “Mbani premtimin, kryeni pagesat”, 25 kompanitë e kontraktuara për kryerje të punimeve po kërkojnë që t’iu kthehet borxhi në vlerë të 900 mijë eurosh.
Fillimisht këto 25 kompani ishin nënkontraktuar nga kompania kroate “Suma Engineering Platform” që kishte qenë e kontraktuar drejtpërdrejt nga Bechtel-Enka, e cila është fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës.
Nga protestuesit foli përfaqësuesi i kompanisë ‘Metal Fix’ Burim Devetaku i cili tha se kompania Bektel -Enka nuk ka kryer asnjë pagesë ndaj tyre që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.
Ai tha se është shumë e vështirë për kompaninë që ai përfaqëson që të mbulojë shpenzimet të cilat janë bërë për ndërtimin e urave në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.
“Jemi 25 kompani që po protestojmë për të drejtat tona, për punën që kemi bërë në ndërtimin e urave në autostradën ‘Arbën Xhaferi’. Thjeshtë kompania na mbetur obligime, ne kërkojmë të drejtën tonë, punën tonë, djersën tonë që kemi bërë në autostradë. Rreth muajit tetor-nëntor janë pagesat e fundit që janë bërë të vitit të kaluar. Prej atëherë nuk kemi pranuar asnjë pagesë’. Çdo material , çdo punëtor të gjitha obligimet i kemi paguar, dhe është shumë e vështirë për kompaninë, gjithashtu kemi paguar edhe taksat, të gjitha qe na kanë dalë në këtë projekt. Kërkojmë të na përkrahin për të drejtën tonë… Rreth 800 mijë-900 mijë euro borxh”, tha Devetaku.
I mashtruar ndjehet edh Vladimir Xhana, nga kompania ‘Xhana Group’, pasi që, siç thotë ai, për shkak të mospagesave e kanë ndërprerë punën në muajin maj të vitit të kaluar, por se Bektel- Enka u ka premtuar se të gjitha detyrimet për këtë ndërtim do të kryhen. Xhana thotë se kompanitë vendore u përdorën nga ato të huajat.
“Kemi pasë premtime nga kompania Bektel Enka që puna të mos ndërpritet, pasi ne kemi bërë njëherë ndërprerjen e punës në muajin maj 2018 për probleme pagesash me kompanitë që ne e kemi pasë kontratën. Por kompania Bektel Enka që e ka pasë projektin në menaxhim, na ka thirrë në një takim dhe na ka bërë një premtim që të gjitha detyrimet për këtë ndërtim do të kryhen në kohë, gjë që nuk ndodhi…u bë një mashtrim i hapur për këtë çështje u përdorën kompanitë vendore nga kompanitë e huaja për të kryer punimet e rrugës dhe në fund ngelëm pa marrë pagesat tona”….Ne kemi kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë për të përkrahur sepse ne jemi qytetarë të këtij vendi por deri tani nuk kemi asnjë përkrahje, kështuqë do të protestojmë”, tha ai.
Hapja zyrtare e autostradës do të bëhet më 29 maj 2019 dhe sipas kryeministrit Ramush Haradinaj është ndër veprat më të mëdha infrastrukturore në Ballkan.
E, kjo autostradë pati nisur në korrik të 2014-s, dhe është e gjatë rreth 60 kilometra ndërsa realizmi i saj kushton 600 milionë euro.
Në anën tjetër, kjo autostradë nuk u përfundua siç ishte planifikuar në fillim. Vonesat u shkaktuan edhe për shkak se Qeveria e Kosovës nuk kishte bërë pagesat me kohë ndaj “Bechtel & Enka”-s. E, kjo i ka kushtuar buxhetit të shtetit. Tashmë shteti duhet t’i paguaj kësaj kompanie hiç më pak se 53 milionë dëmshpërblim.
Gjatë ndërtimit të kësaj autostrade nuk shkoi gjithçka siç është më së miri, edhe për punëtorët. Në vitin 2017 Tafil Tafallari gjeti vdekjen derisa ishte duke punuat në ndërtimin e kësaj rruge, që shkurton distancën mes Prishtinës dhe Shkupit. Puna në terren të pa përshtatshëm kishte bërë që në fshatin Kovaqec Tafallari të vdes.
E, problem, si pasojë kësaj autostrade kishin edhe banorët përreth zonave ku zhvilloheshin punimet. Po në fshatin Kovaqec shumë shtëpi ishin rrezikuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut, duke detyruar që disa edhe të zbrazën.
Derisa Tafallari kishte vdekur, kolegë të tij kishin mbetur të lënduar, terrene të tjera të punës për këtë autostradë. Në tetor të viti të kaluar një trar kishte rënë nga ura më të gjatë në Ballkan, që është pjesë e kësaj autostrade. Në këtë aksident kishte të lënduar, e Përparim Sadiku kishte mbetur i varur të një lartësi qindra metra për rreth dy orë.
Kjo urë, në të cilën ndodhi aksidenti, është e gjatë rreth 6 kilometra. Në këtë urë janë vendosur mbi 1400 trarë të prodhuara në vend, në dimensione nga 35 deri në 45 metër të gjatë; janë vendosur rreth 165 shtylla, lartësia e të cilave varion nga 3 metra deri në 80 metra.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)