Aktuale
Ura tibetiane në Grykën e Rugovës, do t’i kushtojë Komunës së Pejës mbi 14 mijë euro
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/Urat.jpg)
Në kilometrin e gjashtë të Grykës së Rugovës do të ndërtohet ura bashkëkohore tibetiane, për t’u bërë e dyta në këtë zonë.
Për realizimin e këtij projekti Komuna e Pejës ka filluar procedurat e prokurimit publik, duke e përzgjedhur edhe operatorin ekonomik që do t’i kryej punimet.
Në mesin e ofertuesve është përzgjedhur kompania BK- Construction SH.P.K.; N.P.T, me vlerë të ofertës 14 mijë e 620 euro, raporton Ndërtimi.info.
“Komuna e Pejës shpërblenë me kontratë BK – CONSTRUCTION SH.P.K.; N.P.T. Berisha Com, në vlere totale të ofertës: 14.610,00€”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës.
Ura do të jetë 60 metra e lartë dhe 60 metra e gjatë, e do të shndërrohet në një ndër atraksionet më të mëdha në vend. Kështu bëri të ditur për Ndërtimi.info, Marigona Gashi, anëtare e organizatës “Marimangat”.
“Ka me qenë njëra prej atraksioneve më të mëdha në vend. Ura ka me shërby për me konektu ‘Via Ferraten’ dhe do të ndërtohet në kilometrin e 6-të të Grykës së Rugovës. Ura ka me qenë diçka shumë e veçantë, ka me qenë 60 metra e lartë dhe 60 metra e gjatë dhe ka me kriju një adrenalinë në vete”, tha Gashi.
Ajo ka theksuar se i gjithë unikaliteti i projektit bie pikërisht mbi thjeshtësinë e saj, pa përdorur materiale të komplikuara siç është betoni.
Tutje ajo ka bërë të ditur se edhe kjo urë do të jetë e njëjtë me atë që aktualisht ekziston në kilometrin e 3-të të Grykës së Rugovës, e që gjithashtu shërben për “Via Ferraten”.
“Është pak a shumë njëjtë si ‘Via Ferrata’. Janë vetëm 2 litarë metalik që kurdo munden me u heq. Nuk është ndonjë konstruksion prej betoni. Janë vetëm 4 litarë dhe në dy litarët e poshtëm vendosen disa lloj metali në formë shkallësh për me kalu”, ka theksuar ajo.
Në përshkrimin e objektit tregohet se për ndërtimin e saj nevojitet litari metalik që duhet të jetë 16 mm(sajl) dhe 13mm. Për t’u pajisur edhe nga shkelëset për këmbë që do të jetë pllaka metali të cilat lidhen për fijen metalike dhe shërbejnë për ta vendosur këmbën.
Do të ketë edhe rrethoja afër hyrjes së urës që do të pamundësojnë qarkullimin e njerëzve dhe do të minimizojnë rrezikun. E litari metalik mbajtës i urës duhet të jetë 8 mm si dhe morsa shtrënguese.
Në brendi të shkëmbit duhet të anerkohet dhe të futet 10 metra kub beton. Kjo bëhet në bazament ku do të bëhet lidhja e urës.
Shtylla e parë I-Profil do të jetë 280 mm e që do të vendosen në beton me gjatësi prej 3 m.
Më poshtë sjellim edhe fotografitë që ka siguruar Ndërtimi.info se si do të jenë litarët metalikë me të cilët do të ndërtohet kjo urë e veçantë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)