Connect with us

Featured

Kulla e Sadik Nivokazit, që as lufta nuk mundi ta mposhtë [foto]

Published

on

20 kilometra larg Gjakovës gjendet fshati Nivokaz. Ky fshat “fsheh” diçka të veçantë. Ta përshkosh rrugën drejt tij në kohën kur pranvera ka filluar të bëj punën e saj, nuk mund të mos mahnitesh nga bukuritë që kjo stinë i ka hedhur në pah.

Shkruan: Zoje Sadiku

Rrugës për tek Kulla e Sadik Nivokazit, që mbanë shekuj mbi supe, nuk mund të mos bie në sy aty-këtu ndonjë copë muri i gurtë, që nga koha kur banorët e kësaj zoneje i përdornin gurët për çdo ndërtim. Kjo pamje rikrijon imazhin e një dokumentari të vitit 1976, të familjes 117 anëtarëshe, që jetonte në këtë objekt. Imazhin me gurë, të asaj kohe, tani e zënë blloqet e modeleve të fundit.

Pas rrugës, që përcjellet me bukuri e freski që sjell pranvera, del para shtëpia e  Mehmet Nivokazit, pasardhës i familjes më të madhe që kishte jetuar ndonjëherë. I buzëqeshur ai pret mysafirët, që vijnë me për t’u interesuar për kullën e familjes së tij. Të njëtën bën edhe bashkëshortja e tij, e cila nuk e lë pa shërbyer kafe. Me një të folur të qetë me zë të ulët e të matur, Mehmet Nivokazi  tregon se Kulla e familjes së tij është 200 vite e vjetër, në mos më shumë.

Për ndërtimin e saj ishin marrë mjeshtrit nga Dibra, dikur të njohur për zotësinë e tyre për ndërtimin e mureve dhe kullave, në të gjitha trojet shqiptare. Gurët e mureve ishin marrë nga lumi Erenik, të cilët ishin përzgjedhur një për një. E për lidhjen e tyre ishte përdorur llaçi më të cilin ishin furnizuar nga fshati Molliq, fshat shumë afër Nivokazit, i njohur për sasinë e madhe të gëlqeres.

Por, ata që ia shtojnë bukurinë kullave të Dukagjinit janë edhe gurët e latuar të këndeve, ngjyra e të cilëve ndryshon nga e atyre të faqeve. Kjo pjesë ka dashur mjeshtri të madhe tregon Mehmeti, Thuhet se ni qoshe, ni mjeshtër e ka ba për ni ditë, e ka gdhendë me daltë e me çekiq”, rrëfen ai me një admirim të theksuar.

Se për sa vjet është ndërtu saktësisht kulla nuk e di, por e di se n’fillim ka qenë dy kat, rrëfen Nivokazi, i cili ankohet, që nuk janë mbajtur shënime që të ketë tashmë diçka të saktë.

Me shtimin e numrit të anëtarëve të kësaj familjeje u rrit edhe nevoja për shtimin e hapësirës, por ndikoi edhe forcimi ekonomik dhe kështu u shtua edhe kati tretë.

Mirëpo, as një kullë e madhe me tre kat nuk kishte mjaftuar për 117 anëtarë, sa kishte dikur shtëpia. Për këtë u shtua edhe një shtojcë e kullës, që kishte disa dhoma për fjetjes, që dikur i quanin “qilere”.

Mehmeti, vazhdon me krenari tregimin, se si familja e tij ishte familja e parë e vendosur në fshatin Nivokaz dhe se edhe dikur kulla e madhe ishte tregues i një familjeje të kamur e me zë.

Të gjitha kullat që kanë qenë kanë qenë shumë më të vogla, sepse na kemi qenë edhe shpi e madhe edhe është dashtë me hapësirë ma të madhe”, rrëfen ai për Ndërtimi.info.

Para se të shkojmë tek kulla, që deri atëherë po flisnim për të, i zoti i shtëpisë kërkoi nga gruaja që t’i sjellë fotografitë, për të na treguar gjendjen e saj,  pasi kishte përfunduar lufta e Kosovës, kullë  që nuk e tundi as shiu e as bora e 200 viteve.

Mehmeti, çdo hap përcjellë me muhabet, derisa të arrihet te dyert e mëdha të drunjta. E, kur u hapen dyert, nuk duhet të jesh merakli i madh i kullave për të mbetur pa frymë.

Një ndërtesë e gurtë e madhështore del në qendër të imazhit. Aq e madhe sa duhet ngritur kokën lartë për ta parë dhe që ofron ndjesinë se do të të pushtonte madhësia e saj nga çasti në çast.

Pesë dritare të hapura harkore, janë pozicionuar në katin e sipërm të kullës, dekoruar me gurët e kuq të fshatit Botushë të Gjakovës. Shikimi nuk mund të mos rrëshqet sa nga pjesë në pjesën tjetër të kullës. Për të hyr brenda kullës është e pashmangshme kërrusesh. Duket sikur ajo derë ndante dy kohë: të tashmen dhe të shkuarën.

Sapo hapet dera ndriçohet hapësira e thellë më trarë të gjerë sipër saj. Tufa e dritës që hyn prej saj bënë që shumë gjëra të dalin në pah. Disa vrima janë të hapura në faqet e murit.

Mehmeti  shpjegon se ato vrima që quheshin frëngji dhe ishin përdorë për vrojtim dhe mbrojtje. Krahas kësaj, ai tregon funksionin që dikur kishte ajo pjesë e kullës.

Këto janë frëngjitë, ma përpara ky kat është përdorë si ahur për bagëti. Janë frikësu njerëzit që mundet me hi dikush , prandaj në katin e parë ka pasë vetëm dyer, të cilat kanë qenë të trasha nga dru bungu që ka qenë e vështirë për tu thy. Ndërsa në anën e brendshme  ka qenë edhe shuli i trashë për mbyllje të sigurt ”,  vazhdon tregimin Mehmeti.

Nga aty, afër gjenden shkallët e drunjta, që nuk janë lehtë të përshkueshme, si pasojë e modelit të vjetër. Kati i dytë nuk ka nevojë për të hapur ndonjë derë shtesë për të parë më mirë. Dritaret edhe pse të vogla, janë në numër më të madh nëpër të cilat hynë dritë e mjaftueshme. Kjo pjesë e kullës ka vetëm dhoma të gjumit, mjaft të mëdha, ku dikur secila familje e ngushtë kishte nga një dhomë, pavarësisht se sa anëtarë kishte ajo familje.

Edhe një palë shkallë të tjera. Kati i tretë. Në fillim divahajnja, një pjesë që ishte e përdorur si paradhomë për deri tek “dhoma më e rëndësishme”, oda e burrave. Ndoshta nuk kishte funksion të madh, si oda e burrave, por edhe ajo kryente shumë punë.

Është përdor si magazinë ku e kanë lanë ushqimin, edhe pasuli kur është mbledhë po edhe me hi deri në odë të burrave. Po verës e kanë përdor edhe për me fjetë”, rrëfen Mehmet Nivokazi me një nostalgji, që dikur sa ishte i ri kishte fjetur aty ndonjë natë vere.

Mu përballë derës së odës, është oxhaku nga guri, sikur edhe e gjithë kulla. Një tufë shkopinjsh si për të improvizuar ndezjen e zjarrit mund të gjenden ende aty. Përqark odës, dikur vendoseshin shtrojat e trasha për ulje. Burrat dredhnin duhan e merrnin vendime të rëndësishme.

 

Në Kullën e Sadik Nivokazit thuhet se kanë qëndruar personalitete të cilët i dhanë një kahje vendimtare çështjes shqiptare, në kohën e kryengritjes së përgjithshme, në maj të vitit 1912. Meqë fshati Nivokaz ishte shumë pranë Junikut, ku do të mbahej Kuvendi i Junikut, ata u pritën në Odën e respektuar të familjes Nivokazi. Nuk mund të mos mendohen patriotët e mëdhenj të kohës Bajram Curri e Hasan Prishtina që në këtë odë mendueshëm flasin për fatin e shqiptarëve.

Mehmeti tregon se e dinte që ata kishin qenë mysafirë në odën e tyre, por që kishin mbajtur mbledhje siç thuhej nuk kishte diçka të sigurt.

E thash edhe ma herët se fatkeqësia jonë është se nuk kanë shkru diçka edhe informatat shpesh kanë ngecë”, vazhdon të ankohet përsëri Mehmeti.

Diku në vitet 1915-1916, kullës iu shtua rëndësia edhe më shumë. Tashmë oda e burrave kishte edhe një funksion, kryerjen e ritualeve fetare.

Kur u vesh gjyshi si “sheh”, oda u shndërru edhe n’teqe. Ktu është mihrabi ku janë falë besimtarët”, tregon një lug të gurtë, në mes të dy dritareve, që vështirë shihej nga drita e cila hynte nga dritaret. Edhe Mehmeti që po rrëfente historinë e familjes së tij  është sheh. Ai e kishte trashëguar prej gjyshit. Por, me gjithë respektin që merrte nga gjithë ajo zonë, ai vazhdonte ta ruante thjeshtësinë.

 “Kjo teqe është shfrytëzu edhe për pajtim t’gjaqeve dhe pajtime tjera. Sepse si familje na kemi qenë edhe familja ma e madhe në Nivokaz, këta tjerët kanë ardhë prej fshatit Botushë. Katundi ka pasë respekt për familjen tonë, çdo gja që është ba, pa qenë ni anëtarë i familjes, ose pajtime ose dasma, dekë, nuk e kanë kry pa kanë dikush i joni”, rrëfen plot krenari ai, për rolin që dikur kishte familja e tij.

 

Nivokazi, që dikur njihej si “fshati i kullave”, sot i kanë mbetur vetëm disa, sa ti numërosh me gishtat e njërës dorë. Edhe teqja e Hazir Nivokazit do hidhej në lumin Erenik, aty ku dikur u morën gurët për ndërtimin e saj, sikur të mos “bëhej sebep”  kushëriri i Mehmetit, që ajo të mbetej aty edhe pse u shkatërrua nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai ka qenë ma xheloz edhe gjithmonë ka thanë unë do ta la deri sa t ‘vjen vakti, ndoshta ndodhë që dikush do ta ndreqë,  tregon buzagaz vendimin e kushëririt, tash pronarë i kullës.

 

“Nami” i kullës së njohur të Nivokazit nuk u shua, sepse në vitin  2008 u nënshkrua një marrëveshje 64 mijë euroshe me Ministrinë e Kulturës dhe kompanisë “Roeing” në Gjakovë, për konservimin dhe rindërtimin e kullës. Puna filloi në vitin 2010 dhe vazhdon edhe sot.

Largimi nga kulla bëhet duke bartur me vete kujtimet për jetesën e vjetër të gjeneratave para nesh, me vlera të cilat t’i kujton kulla madhështore e Sadik Nivokazit. E, derisa shiu pushon së rëni, mendimet që t’i imponon kulla vetëm shtohen./Ndërtimi.info/

 

Featured

Kompanitë kosovare ftohen të respektojnë Ligjin gjerman të furnizimit

Published

on

Ligji Gjerman i Zinxhirit të Furnizimit (Lieferkettensorgfaltspflichtengesetz – LkSG) ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit më 1 janar 2024, duke zgjeruar fushëveprimin e tij për të mbuluar të gjitha kompanitë në Gjermani me mbi 1000 punonjës.

Zgjerimi do të shtojë rreth 2,000 kompani gjermane në kuadrin rregullator. Këto kompani do të aplikojnë kriteret që parashihen me ligj përgjatë gjithë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe tek furnitorët jashtë Gjermanisë. Përfshirë këtu kompanitë nga Kosova që janë furnitorë të kompanive gjermane, apo që synojnë të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në vitin 2021 dhe zyrtarisht hyri në fuqi më 1 janar 2023, duke iu kërkuar kompanive gjermane të plotësojnë kritere për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjet mjedisore në zinxhirët e tyre të furnizimit global.

Ligji implementohet në tri faza: Në fazën e parë, ligji gjerman u aplikua për kompanitë me mbi 3000 punonjës në Gjermani. Përafërsisht 900 kompani të mëdha gjermane u detyruan ta zbatojnë ligjin.

Në vitin e parë të zbatimit, Zyra Federale për Çështjet Ekonomike dhe Kontrollin e Eksportit (BAFA) ishte përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit. BAFA kreu 486 inspektime të kompanive të mëdha për të vlerësuar pajtueshmërinë. Vlerësimi i përgjithshëm i BAFA ishte pozitiv, duke gjetur se kompanitë ishin përgjithësisht të suksesshme në krijimin e sistemeve dhe proceseve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e Ligjit në fazën e parë.

Megjithatë, zgjerimi i zbatueshmërisë së Ligjit Gjerman të Zinxhirit të Furnizimit në ndërmarrjet e  mesme pritet të paraqesë më shumë sfida.

Kompanitë kosovare që nuk i zbatojnë kushtet e parapara me këtë ligj, nuk do të mund të vazhdojnë apo fillojnë eksportin në Gjermani.

Continue Reading

Aktuale

‘Autostrada Hangar’ do të hapë dyert për publikun më 5 Mars 2022

Published

on

Autostrada Hangar synon të gjenerojë bashkëjetesë mes komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip dhe do të përdoret veçanërisht për të plotësuar nevojën urgjente të një edukimi joformal dhe programeve të ndërtimit të aftësive në mënyrë që të fuqizojë të rinjtë në Kosovë dhe rajon.

“Edhe pse hapësira jonë u përdor si një nga ambientet kryesore të edicionit të tretë në 2021, ku patëm një vit mjaft të suksesshëm me ekspozitën tonë ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, më 5 mars ajo do të jetë gati të hapë dyert e saj me një dizajn i ri dhe një program vjetor.

Deri më tani, ne kemi qenë të përkushtuar për të institucionalizuar “Autostrada Hangar” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren përmes krijimit të një programi publik vjetor bazuar në nevojat e komuniteteve dhe partnerëve duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes, duke e bërë programin të hapur për komunitete të ndryshme dhe më shumë. ekologjikisht të qëndrueshme”, shkruan në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve shpallë zgjedhjet për kryetar

Published

on

Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, njofton se duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 27, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2020, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e AAK-së

Kuvendi zgjedhor i Asociacioni i Arkitektëve kosovar, do të mbahet të mërkurën, më 30.03.2022 nga ora 17:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës – Prishtinë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurrencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 33, të statutit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending