Aktuale
Tenton ndërtim pa leje, arrestohet pronari në Pejë

Tentimi që në mënyrë joligjore t’ia shtojë edhe një kat objektit të tij “Semitronix”, që gjendet afër stacionit policor në Pejë, nuk i shkoi mirë biznesmenit nga Peja, B. Z. Kjo për shkak se Inspekcioni në Pejë, sot bëri rrënimin e katit që ishte në ndërtim e sipër.
Shpërfillja e paralajmërimeve nga Inspekcioni në Pejë, për të mos vazhduar punimet, bëri që policia të arrestojë djalin e biznesmenit B. Z., në emër të të cilit edhe është prona. I njejti është akoma në ndalim policor.
Rastin për Ndërtimi.info e ka konfirmuar Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Pejës, Leutrim Murtezaj, i cili tregoj se i arrestuari kishte pasur afat deri para dy ditësh për t’i ndërprerë punimet, por nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
“Në objektin “Semitronix”, që është pronë e biznismenit B. Z., ka pasë tentim për mbindërtim. Kemi shku me inspektorët e ndërtimit dhe ia kemi ndërprerë punimet, ia kemi vendos shiritat. Përkundër ndërprerjes së punimeve prapë ka vazhdu me punu. Kemi shku prapë me asistimin e stacionit policor në Pejë dhe me urdhër të prokurorit është arrestuar djali i B., në emër të të cilët edhe është prona, pra objekti. Ai është në ndalim policor akoma. Ka pasur afat deri para dy ditësh me i ndërpre punimet por i njejti nuk e ka rrënu objektin dhe sot e kemi përgatit aksionin për rrënimin e objektit, me asistimin e policisë, përmes operatorit të komunës që e kemi për rrënime”, ka bërë të ditur ai.
Murtezaj thotë se ky është rasti i parë që tentohet të shkohet kundër vendimeve të inspektorëve e policisë, duke thënë se në Komunën e Pejës janë ndaluar në tërësi ndërtimet pa leje.
“Në komunën e Pejës i kemi ndalur në tërësi ndërtimet pa leje. Ky është objekti i parë që tentoi me shku edhe përkundër vendimit që e kemi pasë për me i ndërpre punimet”, thotë Myrtezaj.
Sipas tij, luftimit të ndërtimeve pa leje, në ndihmë i kanë dalë ndryshimet që janë bërë në Kodin e ri Penal, ku ndërtimet pa leje konsiderohen vepër penale dhe të njejtat ndalohen menjëherë nga organet kompetente.
“Është një ndihmesë e madhe edhe Kodi i ri Penal, i cili i ka pësuar disa ndryshime ku ndërtimi pa leje po konsiderohet vepër penale dhe Prokuroria si të merr informacionin prej neve ajo është e obliguar të reagojë, të veprojë dhe t’i arrestojë personat që veprojnë në rrethana të tilla”, theksoi ai.
Edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti thotë se Kodi i ri Penal ka sjellë një lehtësim dhe se janë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, për të reaguar në raste të shkeljeve.
“Në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë edhe me Policinë e Kosovës kemi fillu tash me e përcjellë ndryshimin e Kodit Penal pasi që tash ndërtimi pa leje është vepër penale kemi fillu që të reagojmë menjëherë aty ku hasim raste të tilla dhe i ndjekim të gjitha procedurat dhe aty ku nuk respektohen inspektorët komunal vjen edhe ekzektuimi i rrënimit”, bëri të ditur ai.
Ndërtimi.info ka tentuar të komunikojë edhe me Prokurorinë Themelore në Pejë por nuk kanë qenë të qasshëm./Ndërtimi.info/
