Aktuale
Hyseni: Me “Kosovën e Re” do të blejmë energji të shtrenjtë e do të shesim të lirë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/hyseni.jpg)
Blend Hyseni nga instituti GAP ka folur për ankesat që kanë bërë me disa organizata tjera në lidhje me marrëveshjen për “Kosovën e Re”.
Ai tha se ky projekt do të ketë ndikim të madh në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas tij, çmimi pritet të rritet në 60 për qind. Ai në Express Intervistën në KTV, tha se kontrata me “Kosovën e Re”, bie ndesh me ligjin për ndihmë shtetërore.
“Projekti gëzon shumë benefite, ai e ka kthimin në investim të garantuar, do të jetë një çmim që i garantohet kësaj ndërmarrje”, tha ai, duke shtuar se jetësimi i këtij projekti rrezikon të shkaktojë probleme sociale e ligjore.
Ankesa kryesore sipas tij është për ndihmën shtetërore që po i jepet kompanisë.
“Edhe ligji për investime strategjike bie ndesh me atë për ndihmë shtetërore. Vetëm Termocentrali “Kosova e Re” gëzon benefite që asnjë tjetër s’i gëzon. Ajo s’paguan as tatim”, tha ai.
Sa i përket aspektit social, ai tha se TC “Kosova e Re” do të ngritë çmimin e energjisë elektrike në mbi 60 për qind, i cili do të jetë i papërballueshëm për një numër madh të qytetarëve të Kosovës. Kjo ngritje, siç shpjegon Hyseni, do të jetë sfidë edhe për biznese të cilat do të jenë jokonkurrente edhe në tregun vendor, edhe në atë të jashtëm.
Sipas Hysenit, opinioni i departamentit për ndihmë shtetërore nuk është kërkuar para se të nënshkruhej marrëveshja. Ai thotë se nëse MZHR-ja nuk e ndal këtë projekt, Kosova rrezikon të largohet edhe nga Këshilli i ministrave.
“Kosovës mund t’i komplikohen rrugët për integrime sepse kjo ka lidhje edhe me MSA-në. Ky termocentral gëzon benefite të panevojshme. Me ndërtimin e këtij termocentrali, prodhimi i parë konsumohet brenda. Kosova edhe nëse gjen çmim më të lirë diku, nuk mund ta blejë sepse duhet ta blejë në “Kosova e Re””, tha Hyseni, duke shtuar se çmimi edhe mund të rritet.
“Gjatë periudhës së verës, kur çmimi do të jetë më i lirë, ne do të detyrohemi të blejmë energji të shtrenjtë e të shesim energji të lirë në rajon”, tha Hyseni.
Sipas tij, në aspektin ligjor, nëse Kuvendi e kalon këtë kontratë mund të përballet me padi.
“Operatorët tjerë që s’marrin benefite sikur “Kosova e Re” do të ankohen për Qeverinë e Kosovës që i jep përparësi këtij projekti”, tha ai.
Sipas tij, do të vijnë pasoja të mëdha nëse Kuvendi e miraton marrëveshjen për “Kosovën e Re”, e madje, deri në miliarda euro.
Ai ka përmendur vlerësimin preliminar të Sekretariatit të Energjisë, i cili thotë se kontrata në fjalë është në kundërshtim me ligjet evropiane mbi konkurrencën dhe ndihmën shtetërore. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka lidhur një kontratë me një subjekt, i cili do të ndërtojë termocentralin e ri pa kërkuar miratimin e departamentit për ndihmë shtetërore, siç kërkohet me ligj.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)