Aktuale
Arkitektja Yllka Kosumi jep detaje rreth projektit për Kompleksin Qafa

Arkitektja Yllka Kosumi, ka dhënë detaje rreth projektit të saj bazuar në të cilin, Komuna e Prishtinës ka vendosur të investojë në lagjen e Kompleksit Qafa.
Kosumi në Sytë 7 të Klan Kosovës tha se ky projekt ishte temë e punuar me të cilën do të përfundonte studimet Master në Arkitekturë në Universitetin e Prishtinës, por pas disa analizave të bëra, ai u pranua për tu jetësuar.
”Projekti im ka qenë temë e Masterit ku kam përfunduar punën time të studimeve disa vjeçare. Komuna e Prishtinës ka filluar punimin e këtij projekti i cili ka parqe të llojeve të ndryshme, por që bashkon një karakter dhe një koncept”, ka thënë ajo.
”Si projekt kompleksi do të përmbajë fusha të basketbollit, të përcjellura me disa tribuna, fitnes të hapur, parqe shahu, tabela shahu dhe një mini-fushë të futbollit. Saktësisht jemi duke folur për pjesën e Kompleksit Qafa, duke përfshirë hapësirat prapa të ish-objektit të OSBE-së, objektin e selisë së LDK-së etj”, ka shtuar ajo.
Kosumi pohon se kjo mënyrë e ideve të studentëve për të dhënë ide të projekteve të tilla në komuna apo qytete të ndryshme, funksionon në gjithë botën, por thekson që pati disa kritika nga miqtë e saj, njofton Klan Kosova.
Ajo thotë se këto kritika iu bënë për shkak se ajo vendosi ta jap donacion për komunën projektin e saj të përgatitur.
”Kjo funksionin në gjithë botën, dhe përzgjedhin tema bashkë me komunën dhe marrin ide të reja. Pasi fillova me analiza, pata ftuar disa arkitektë të zyrës për rigjenerim në ditën e mbrojtjes së temës së diplomës. Pata kontaktuar me ta dhe më gjerë”, ka thënë ajo.
”Familja më ka mbështetur qysh nga fillimi në studime. Shoqëria ime më kanë kritikuar dhe janë çuditur që projektin tim e kam dhënë si donacion për Komunën e Prishtinës. Ashtu pata ta bëjë temë të Masterit dhe pse jo të mos bëjë diçka që edhe komuna do të mund të investonte me një kosto investimesh të kapshme”, përfundon ajo, njofton Klan Kosova.
