Aktuale
Në “Rexhep Luci” u diskutua për ndërtimin e mbrapsht, për çka u vra vet Luci
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/l2.jpg)
Hapësirat publike në Prishtinë po konsiderohet se po tkurren, e nuk po shihen si të përbashkëta, si dhe po mungon vetëdija për menaxhimin e tyre. Kështu u tha në diskutimin “ E drejta për qytetin”, që u mbajt në rrugën që mban emrin e arkitektit Rexhep Luci, i cili u vra pasluftës, për shkak të qëndrimit të tij për ndalimin e ndërtimeve pa leje.
Aty u diskutua për dimensionin e intervenimeve urbane, të komunikuarit përmes hapësirës publike dhe rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave publike nga qytetarët. E, ky diskutim u bë në “Pavilionin e Verdhë” që është vendosur ditë më parë në rrugën “Rexhep Luci” të Prishtinës, raporton Ndërtimi.info.
Në këtë diskutim u theksuan problemet me hapësirat publike në kryeqytet, mungesa e tyre e mungesa e planifikimit urban në Prishtinë. Gjithashtu, u kritikua edhe legjislacioni në fuqi, me arsyetimin se i jep më shumë rëndësi pronës private sesa asaj publike.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tregoi pse Prishtina ka ketë gjendje të hapësirave publike, derisa shtoi se 2.5 miliardë euro janë investuar në ndërtim e 150 milionë në infrastrukturë.
“Krejt legjislacioni jonë ka në fokus pronën private. Me ligj të urbanizmit duhet të përgjigjemi për 40 ditë për një leje. Ku në Evropë duhet të përgjigjesh për leje për objekt 20 kat për 40 ditë. Për 13 vjet kemi shti 2.5 miliardë euro në ndërtim në Prishtinë. Në infrastrukturë 150 milionë në infrastrukturë. Jemi mbrapa me infrastrukturë, me kanalizim, me ujësjellës. Unë kam në Prokurori mbi 5 kallëzime penale për mosfhenir të lejes. Në qytet ka grupe të interesit dhe duhet me gjet balancë mes bizneseve dhe qytetarëve. Intervenimet si kjo duhet të bëhen për me shkaktu debat. Mendoj që duhet t’i mbyllin disa rrugë në qytet. Kërkesa është me bo sa më shumë parkingje”, tha ai.
Ahmeti potencoi nevojën për moratorium në ndërtim, por theksoi se nëse kjo bëhet i rrezikohet jeta.
“Duhet të bëhet moratorium në ndërtim. Hajde po ndërtojmë kah Prishtina e Re. Por nëse e bëjmë unë do jem të burg ose i vrarë”, shtoi ai.
Arkitekti Arbër Sadiki, kritikoi hartimin e dokumenteve hapësinore, konkurset publike arkitektonike si mos ndërtimit të objekteve ikonike për Prishtinën gjatë periudhës së pas luftës.
“Kjo mënyra e intervenime të lëvizshme është mënyrë e mirë me pa një ndryshim. Këto eksperimente në 50 vitet e fundit janë prezentë në botë me iu tregu njerëzve që me pa se ka më mirë. Thelbi i urbanitetit është diversiteti. Të analizojmë se planet urbanistike si janë ndërtu e shohim se qyteti është hapësirë ku thyhen bizneset, përfitimet. Prishtina nuk është tragjike pse ka dështu në vitet e para të pas luftës, por ajo që nuk duhet t’i ndodhë Prishtinës është hartimi i dokumenteve hapësinore ku njeri nuk duke si fokus. Aty fokus duket parcela, koeficienti i ndërtimit, tendenca me u pasuru sa më shpjet dhe pak shihet aty brengat e qytetarit, sa ndien ai, sa fiton prej tij. Nuk kemi shkëlqim të Prishtinës në konkurset publike arkitektonike. Objektet ikonike janë objekte të ndërtuara në vitet e 70. Duhet pyetur se çfarë kemi bërë këto 20 vjet të fundit. Ikonat e Prishtinës kanë ndjek një proces të mirë, proces edhe të projektimit”, tha ai.
Sipas tij, fatkeqësisht e kemi ulë pjesëmarrjen e arkitektëve në publik. Ai, theksoi se nuk është normale qe dikush që punon në administratë me qenë në komision për një konkurs të madh. Ndërsa, arkitektja, Eliza Hoxha, tha se ekziston ideja me rimarr hapësirën dhe se nuk ka hapësira publike në lagje të reja.
“ Prishtina e vuan ndjenjën e përkatësisë, që ka të bëjë me qytetarët që kanë vendos të jetojnë në Prishtinë. Ideja me rimarr publiken është njësoj si qasje që e bëjnë bizneset. Ne nuk zhvillohemi sepse nuk kemi kujdes për të përbashkëtën, ajo është dhoma jonë urbane. Duhet të respektohet sfera publike. Kjo mendësi e qytetarit përcillet edhe në politik bërje. Duhet të kuptohet qyteti si mozaik i dëshirave dhe përplasjeve. Qyteti është shumëfishua. Nuk kemi hapësirë publike në lagje të reja. Ky është problem në të gjitha qytetet. Qytetin duhet të kuptojë si shtresim të shumë identiteteve. Kur përqafohet shumëllojshmëria, Prishtina ka me përparua. E kuptoj rezistencën e banorëve sepse ka mungesë të parkingjeve. Komuna duhet të jetë aty të mos lejojë përbuzjen e konceptit të publikes”, u shpreh ajo.
Linda Gusia, sociologe potencoi se hapësira publike shikohet si e huaj dhe armiqësore.
“ Ka kohe te gjatë hapësirat publike në Prishtinë janë tkurr. Publiken në përgjithësi jemi mësu me pa si të huaj, ai armiqësore. Ka qenë vështirë me ndërtu një relacion ku publikja është e përbashkët. Prishtina është trefishu dhe ka kriju idenë e kujt është publikja. Me vrasjen e Rexhep Lucit është kriju ideja që publikja është aty me grabit. Është një farë tentimi me marrë publiken”, deklaroi ajo.
Ajo, shtoi se nuk ka kënaqësi me Prishtinën e stome, e për këtë duhet reagim si të menaxhohen hapësirat publike.
Në anën tjetër Zana Sokoli, planifikuese urbane nga UN Habitat tha se publiku nuk përfshihet sa duhet në proceset që kanë të bëjnë me hapësirat publike, pavarësisht se kjo është e theksuar edhe në ligj.
“ UN Habitati ka qenë kryefjalë kur ka qenë fjala për përfshirjen e publikut në procese. Ligji për Planifikim Hapësinor e përmend pjesëmarrjen e publikut. Fatkeqësia në Kosovë është që këto procese kryhen sa për të thënë. Është krejt tjetër proces kur në te kyçet publiku. Nëse e kishim përdor hapësirat publike dhe i kishim trajtu si ato privatet kishin me qenë më të suksesshme. Është e vërtetë që dikush duhet ta iniciojë ndryshimin, por duhet të shihet si e të gjithëve. Të rinjtë duhet të përfshihen në procese, sepse ata kanë me qenë për të cilët bëhen planet, sepse planet bëhen për 10,20,30 vjet. Nesër kur pyetet dikush për intervenimin në atë hapësirë, ka trajtim ndryshe për atë hapësirë”, potencoi ajo.
Ndërsa, arkitekti krijues i Pevilionit të Verdhë, Rron Beqiri tregoi se këtij pavilioni i ka paraprirë një hulumtim rreth frekuentimit të rrugës “ Rexhep Luci” ku janë vendosu strukturat metalike.
Ai tha se vetëm për 8 orë në atë rrugë kalojnë 14 mijë qytetarë. Beqiri, theksoi se struktura është tash në menaxhim të Komunës së Prishtinës dhe do t’i ndërrohet vendi.
“Kemi dashtë dicka që bie në sy. Ka me vazhdu jetën në hapësira tjera të Prishtinës, ku nuk e dimë. Por, komuna të shtunën do t’i largojë”, tha ai.
“Pavilioni i Verdhë” është intervenim urban i realizuar në bashkëpunim mes shtëpisë filmike “MB Office” dhe studios së arkitekturës “Architecture for Humans”. Intervenimi i cili zë vend në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë ka për qëllim të inkurajojë shfrytëzimin e hapësirës publike nga qytetarët dhe rritjen e kualitetit të hapësirës publike në nivel njerëzor.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)