Aktuale
Ky konsiderohet propozimi më inovativ për rindërtimin e katedrales së Notre Dame
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/01_-_VCA_-_PALINGENESIS-TRIBUTE_TO_NOTRE-DAME_-_BIRDS_EYE_VIEW.jpg)
Studio e arkitekturës “Vincent Callebaut Architectures” ka zbuluar imazhet se si do të mund të bëhej rikonstruktimi i katerdrales historike të Notre-Dame, në Paris, e cila u përfshi nga zjarri që i shkaktoi dëme të mëdha, veçanërisht në kulm dhe spirale.
Projekti transcendent që krijon simbolin e një të ardhme elastike dhe ekologjike, është i frymëzuar nga biomimika dhe nga një marrëdhënie më e mirë simbiotike mes njerëzve dhe natyrës, transmeton Ndërtimi.info.
I quajtur “Palingenesis” (që rrjedh nga fjalët greke për “rilindje” dhe “rigjenerimi”), projekti i “Vincent Callebaut Architectures”, që njihet ndër studiot më të mira ekoperspektive dhe vizionare, synon të përzihet natyrshëm me çatinë dhe spiralen, duke respektuar strukturën parësore të objektit.
Ky ridizajnim do të ofronte një transparencë të plotë të pjesës së sipërme të katedrales.
Ideja e Callebaut është shndërrimi i Notre-Dame në një ndërtesë me energji pozitive, duke prodhuar më shumë energji sesa konsumon.
Korniza prej druri është e mbuluar nga xhami i kristaltë tre-dimensional. Kulmi i çatisë në papafingo të katedrales siguron një hapësirë termale, e cila akumulon ajër të nxehtë në dimër, për të izoluar më mirë katedralen dhe liron ajër të pastër gjatë verës përmes evapotranspirimit të bimëve. Kështu, katedralja do të bëhej një strukturë ekologjike shembullore.
Në qendër të tij, projekti përmban një kopsht ku njerëzit mund të sodisnin dhe të meditonin. Duke shkuar përtej estetikës, kopshti mund të kultivohet nga vullnetarë dhe shoqata bamirësie.
Në kopsht, përmes sistemeve të “aquaponics” dhe “permaculture”, do të mund të prodhoheshin 25 kg fruta dhe perime për metër katror, brenda vitit. Prandaj, çdo vit do të mund të korreshin dhe të shpërndaheshin falas deri në 21 ton fruta dhe perime brenda vitit.
Projekti i “Vincent Callebaut Architects” është referuar si arkitektura më e mirë eko-perspektive dhe vizionare.
Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv më 15 prillit, rreth orës 18:30, i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.
Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe çatia u shembën krejtësisht.
Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është vërtetuar po hetimet e para kanë treguar se dyshimi kryesor është tek qarku i shkurtër elektrik.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është zotuar se brenda pesë vitesh do të bëhet rindërtimi i saj, madje se kjo katedrale do të bëhet edhe më e bukur se që ka qenë më parë.
Por për këtë gjë ekspertët janë treguar skeptik, duke e lutur Presidentin Macron të mos nxitojë.
Deri tani për rindërtimin e katedrales janë grumbulluar më shumë se 1 miliardë dollarë./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)