Aktuale
Lokacioni për shtatoren e Skënderbeut nxit përplasje në Prizren
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/04/prizren-3430988_1280.jpg)
Shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut planifikohet që të vendoset në Prizren më 28 nëntor 2019. Por lokacioni i mundshëm për vendosjen e kësaj shtatoreje ka filluar që të ngjallë debat në qytetin e vjetër. Anëtarë të caktuar të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, si dhe aktivistë të shoqërisë civile kërkojnë që shtatorja e Skënderbeut të vendoset në qendër të qytetit. Ndërkohë, Komuna e Prizrenit ditë më parë ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me shoqatën “Trojet e Arbrit”, në kuadër të të cilit shkruan se lokacioni më i përshtatshëm për vendosjen e saj është “rrethi i Benafit” në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë.
Ende nuk është bërë publike se në çfarë mënyre do të bëhet përzgjedhja e shtatores, përderisa as Komuna nuk ka organizuar ndonjë debat publik.
“Pushteti aktual lokal i Prizrenit po bëhet gati që shtatoren e Skënderbeut ta vendosë te rrethi (te Benafi). Mendoj se nuk i bëjmë nder as Skënderbeut dhe as historisë nëse Skënderbeun e vendosim në ‘bisht’ të qytetit. Gjergj Kastrioti- Skënderbeu e ka vendin në qendër të qytetit në Shesh, afër Urës së Gurit”, ka thënë shefi i këshilltarëve të AAK-së opozitare në KK-në e Prizrenit, Ilir Baldedaj
Në të njëjtën kohë aktivistë të shoqërisë civile në Prizren kanë krijuar në rrjetet sociale faqen “Skënderbeu në Prizren”, që “ka për qëllim të mobilizojë qytetarët për lokacionin e propozuar për ngritjen e shtatores së Skënderbeut: Rruga e Farkëtarëve, përballë Urës së Gurit”.
Reagimet lidhur me lokacionin për vendosjen e shtatores së Skënderbeut vijnë pasi që Komuna e Prizrenit dhe shoqata “Trojet e Arbrit” (ShTA) kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashihet që shtatorja të vendoset më 28 nëntor të këtij viti.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)