Aktuale
“Paguhem më së paku, por edhe ankohem më së paku”

Kushtrim Mehmeti, aktivist për të drejtat e punëtorëve, për 1 Maj ka shkruar për sfidat dhe vështirësitë që kanë punëtorët sapo nisin ditën, duke u bazuar në rrëfimet e tyre.
Për Mehmetin ata janë gjithkund, ku ushqehemi, ku punojmë e ku shëtisim. Në çdo aktivitet të jetës sonë, prekim veprat e tyre, por që sipas tij, për të gjitha këto nuk marrin merita por përkundrazi fyhen e poshtërohen.
Sipas rrëfimit të një punëtori që ai e përmend në tekst, shefi ua ndal nga 20 euro nga paga që me ato para ta shërbejë kolektivin me pije. Madje edhe dëmet që bëhen në veglat e punës duhet që të paguhen vetë nga punëtoret. Ndodhë që ndonjëherë shefi të tregohet edhe “zemërgjerë” e nuk ua ndal komplet rrogën.
“Shefi vjen herë pas herë në vend punishte, me raste na qerasë me nga një pije, e kemi zakon që kur marrim pagat shefi na i ndal nga 20€ për me qerasë kolektivin, gjysma e punëtorëve një muaj gjysma muajin tjetër. Dëmet që i shkaktojmë i paguajmë vetë, duhet kujdes, unë meshalicen e kam pas prishur, edhe pse ajo dreq kishte kohë që nuk punonte mirë, por nga ngutia e mbusha me shumë sesa duhet, shefi ma ndihmojë nuk mi ndalin parat ne një muaj, por tre muaj nga pak”, ka shkruar Mehmeti një pjesë të rrëfimit.
Ai para disa ditësh ka paraprirë Ditën e Punëtorëve me një protestë, mirëpo instalacioni që u krijua përpara Qeverisë “SHESIM KURBANA” , u largua për shkak se leja që ai e kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës nuk i ishte dhënë.
Mehmeti, është pjesë edhe i dokumentarit të realizuar nga Media Ndërtimi “Kur me punën vjen dhe vdekja”, në të cilin ka folur për vendosjen e 93 helmetave në rrethojat e Qeverisë së Kosovës, në tetor të vitit të kaluar.
Sipas tij, ata i kanë lënë aty tri javë, deri sa është qetësuar situata, por nuk kanë thirrur asnjë takim për të treguar arsyet pse ato helmeta janë larguar.
