Featured
Ujërat atmosferikë degradojnë rrugën njëkilometërshe
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/auto_degrad21556867619-1.jpg)
Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Shtime, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se rruga në drejtim të grykës në fshatin Mollopolc e asfaltuar para disa vjetësh nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Shtimes është degraduar tërësisht nga ujërat atmosferikë dhe vërshimet, shkruan sot Koha Ditore.
Sidoqoftë, subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është shqetësuese që brenda një periudhe të shkurtër, si shumë rrugë të tjera malore është bërë e pakalueshme.
“Para pak kohësh është asfaltuar rruga ’Flamuri’ në fshatin Mollopolc, që të çon në Gryken e Mollopolcit, konkretisht te bukuria e madhe natyrore e kësaj zone, që njihet si ‘Ujëvarat’. Shkatërrimi ka ardhur si shkak i punës jo të mirëfilltë dhe mungesës së mbikëqyrjes”, thuhet në komunikatë. Ky subjekt ka sugjeruar Komunën të bëjë punë cilësore dhe të mos bëjë marketing siç ka ndodhur me këtë rrugë. “Problemi do të zgjidhej sikur të ishin vendosur gypa me diametër më të madh dhe sikur të ishin vendosur në vendet e duhura. Pra, si në rastet e tjera edhe në këtë rast vërehet punë pa kritere, prandaj kryetari dheKomuna duhet të jenë në krye të detyrës dhe të punojnë dinjitetshëm në interesat e qytetarëve të vendit, ashtu që të kemi punime cilësore e jo të tilla sa për sy e faqe”, thuhet në komunikatë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)