Aktuale
Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për shembjen e ish-Hotel Adriatikut në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit A.H dhe Q.H, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit A.H dhe Q.H me datën 22.04.2019 rreth orës 16.55, sipas marrëveshjes gojore mes vete dhe pa konsultimin e ekspertit përkatës për rrënimin e objekteve kanë filluar ti kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish-hotelit Adriatik, të cilën pronë i pandehuri A.H e ka marrë me qera dhe në cilësinë e punë dhënësit, ndërsa i pandehuri Q.H në cilësinë e pune kryesit.
Në kohën kur punëtorët – dëshmitarët A.M, M.M dhe S.H po pastronin objektin në katin e parë, viktima V.B kishte hipur në skelë dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit, në këtë moment punëtorët-dëshmitarët e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit dhe fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes, ndërsa viktima nuk arrin që të ikë dhe i njëjti mbetet nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve nxjerrët pa shenja jete.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e mërkurë me 24 prill ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit prej një (1) muaji.
Shikojeni kronikën e përgaditur nga Ndërtimi.info për këtë ngjarje:
