Aktuale
100 euro gjobë qytetarit që hodhi baltë skaj hekurudhës

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se ka dënuar një qytetar, i cili ka hedhur baltë në hapësirën publike.
E tërë kjo ka ndodhur pas raportimin që kishte bërë një qytetar pranë organeve përgjegjëse, të cilët i kanë shqiptuar gjobën prej 100 eurove qytetarit që ndoti ambientin.
“100 euro gjobë qytetarit që hodhi baltë skaj hekurudhës. Politikat e qeverisjes lokale për mbrojtjen e mjedisit janë të pa kompromis në pikëpamje të shqiptimit të dënimeve, gjobave mandatore për ndotësit e mjedisit. Së fundmi, nga raportimi i qytetarit me iniciale H.E tek organi i Inspektoratit të Komunës, për hedhjen e baltës skaj hekurudhës në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, u ndërmorën menjëherë veprimet e nevojshme që rezultuan me identifikimin dhe dënimin e kryesit të ndotjes, qytetarit me iniciale E.B i cili duke punuar në hapjen e një pusi, mbeturinat, gjegjësisht baltën e ka hedhur në hapësirën publike skaj hekurudhës, duke shkaktuar kështu ndotje që dënohet me gjobë mandatore në lartësinë 100 euro”, thuhet në njoftimin për media nga Komuna.
Më tej në njoftim thuhet se “raste të këtilla janë shembull sesi Inspektorati i Komunës është vigjilent dhe përherë i gatshëm të reagojë në përmbushje të detyrës dhe punës të parapara me legjislacionin në fuqi”.
Në fund, inkurajohen qytetarët e Ferizajt që të raportojnë raste të tilla në Inspektoratin e Komunës, shembuj të betejës së pa kompromis të qeverisjes lokale në mbrojtjen e mjedisit.
“Ferizajasit meritojnë mjedis të pastër, andaj çdokush që ndot hapësirën tonë të përbashkët do të ndëshkohet”.
