Aktuale
Vdekja e punëtorit Visar Behramit dhe “gjumi” i inspektoratit të Komunës

Kjo është gjendja e një ditë me pas, kur pas thyerjes së shtyllës mbajtëse, një pjesë e ish-hotelit “Adriatik” në Mitrovicë u shemb. Nga këto rrënoja u zu i riu Visar Behrami, i cili po punonte.
Deri në orët e pasditës ai nuk mundi të nxirrej, e kur u nxor prej aty, vetëm kishte ndërruar jetë.
Pjesa e hotelit të shembur ishte rrethuar, mirëpo nga ana e përparme e tij mund të hyje lirshëm, sikur u fut ekipi jonë, duke treguar se inspektorati i kësaj komune nuk e kishte marrë seriozisht ngjarjen, aq sa edhe duhej.
Larg realitetit në objektin e komunës, zv.kryetari Faruk Mujka thoshte se komuna është në terren dhe se ka marrë veprimet e saj, por realiteti ishte ndryshe.
Pyetje: Zëvendës kryetar ne në këtë moment erdhëm prej vendit të ngjarjes, a jeni të vetëdijshëm që lokacioni nuk është i rrethuar, d.m.th prej anës tjetër, jo ku është shembë? Prej anës tjetër unë u futa brenda, mund të futet secili qytetar, përderisa isha unë aty u futen dy – tri gra, ku është inspektorati?
Përgjigje: Inspektorati është në terren, n’qoftëse keni qenë mbrëmë edhe sot e keni parë që vendi ka qenë i rrethuar. Është e mundshme që dikush i ka hekë rrethojat, mirëpo, siç thashë komisioni dhe inspekcioni janë tani në terren dhe me siguri së bashku me Policinë duhet të kryejnë detyrën e tyre.
Më tej i dyti i Mitrovicës ka treguar se punët aty po zhvilloheshin pa leje dhe në vikend, gjë që u ka ikur syrit të institucioneve. Mirëpo, objekti i ish-hotel “Adriatikut” është thellë në zonë urbane dhe shumë lehtë i qasshëm me sy për secilin mitrovicas.
Krejt më vonë, pasi Mujka foli para gazetarëve, objekti ishte rrethuar në të gjitha anët.
Lartë tek Kroni i Vitakut është shtëpia e familjes së Visar Behramit të ndjerë. Të afërm të mërzitur, mitrovicas e gazetarë të shumtë të martën ia mësynë derës së kryshnoshit.
Djali axhes së tij, Lavdim Behrami foli për media duke treguar se i ndjeri po punonte aty pa kontratë pune dhe sipas asaj që kishte dëgjuar po punonte edhe pa mjete mbrojtëse.
“Kontratë pune nuk ka pasë fatkeqësisht, në punë të rregullt nuk ka qenë për arsye se ka qenë punë sezonale. Se si kanë shkuar ato na jemi akoma në procedura me shtetin për të shiku se si kanë shkuar ato. Mjete mbrojtëse për dje saktësisht nuk e di, por kryesisht nuk ka pasë. Kanë qenë disa dëshmitarë që kanë qenë aty dhe kanë shpëtu, nuk ka pasë, por krejt detajisht nuk guxoj me dhanë fjalën përfundimtare”, ka thënë Behrami.
Ai nuk ka pasur asnjë komunikim me pronarin e kompanisë, pasi ai është në mbajtje nga Prokuroria e Shtetit.
E zëdhënësi i prokurorisë, Valon Preteni tregoi se janë arrestuar punëdhënësi (kontraktuesi), punëmarrësi (pronari i kompanisë që ka kryer punën) dhe janë intervistuar tre dëshmitarë.
Sipas rrëfimeve të mitrovicasve, Hotel Adriatiku kishte filluar punë në vitin 1966, duke qenë një prej hoteleve kryesore në qytetin e minierave, që dikur quhej Mitrovica e Titos.
