Vitet e fundit profesioni i arkitektit ka marrë një hov të rëndësishëm, kjo për disa arsye, nga ku mundet të rreshtojmë: qasja në edukim, rrjedhimisht më shumë arkitektë në treg, rritje të kërkesave të klientëve dhe dëshira për të realizuar një investimi të sukseshëm …etj.
Gjithashtu, dëshira për krijuar ambiente sa më funksionale, estetike dhe që përshtaten në shije dhe me karakterin e përdoruesve e ndjejnë domosdoshmërinë e një profesionisti! Por sa realisht e njohin klientët rolin e arkitektit dhe nuk janë thjesht duke ndjekur trendin e momentit për të thënë “e realizuar me arkitekt”?
Duke mos patur një kulturë të mëparshme rreth bashkëpunimit me një arkitekt/e shpesh ndodh që kufijtë zbehen, shtyhen dhe i lënë vend pakënaqësive. Pikërisht për të shmangur pritshmëri të gabuara nga të dyja palët ju parashtrojmë disa pika rreth rolit të arkitektit për të qartësuar bashkëpunimin, që sidoqoftë ndryshon nga projekti, profesionisti, klienti etj.
Gjithsesi kijini parasysh kur të vendosni të zgjidhni një bashkëpunoni me një arkitekt.
1.Profesioni i arkitektit, në thelb është një profesion krijues!
Çka përkthehet në një punë që përtej afateve dhe njohurive tenkike kërkon frymëzim, i cili jo gjithmonë do të ndodhë në momentin që ju kërkoni, mundet të kërkojë pak kohë sidomos kur ju vetë jeni të paqartë në vizionin tuaj! Bëni një here një kërkim se çfarë doni, atmosferën që doni të sillni, çfarë ju pëlqen, kujt i drejtohet biznesi juaj, profilin e klientëve tuaj të ardhshëm ( nëse e keni biznes ) dhe drejtojuni arkitektit së bashku me detyrat e projektimit ku sqarohen funksionet, sipërfaqet etj. ( çdo biznes, shtëpi ka karakteristika të ndryshme ). E gjithë kjo do ta bëjë shumë më të lehtë realizimin e projektit tuaj dhe do të ndihmojë në nxitjen e imagjinatës së arkitektit.
2.Qartësohuni mbi llojin e bashkëpunimit!
Në rast se vendosni të bashkëpunoni me një arkitekt, puna zakonisht ndahet në dy opsione:
Një version ky arkitekti ju bën vetëm projektin dhe ju merreni me realizimin, gjeni materialet, grupet e punës, kontrolloni kantierin dhe të gjitha hapat deri në finalizimin e projekti. 02.Versioni i dytë, ku bashkë me projektin arkitekti merret dhe me ndjekjen e projektit!
Le të qartësojmë pak çfarë do të thotë ndjekje:
Arkitekti realizon vizatimet për zbatim dhe gjatë zbatimit së projektit kujdeset të jetë prezent në momente kyçe apo dhe sqarimin e paqartësive që zbatuesi mundet të hasë. Kurrsesi arkitekti është i detyruar të rri 8 orë në kantier që të mbikëqyre kantierin, kjo detyrë i ngarkohet drejtuesit të kantierit ( në rastin më të mirë një inxhinier ) i cili drejton punimet dhe koordinon grupet e punës dhe radhën e punimeve.
Drejtuesi i kantierit, është i pavarur nga studioja e arkitekturës dhe më e volitshme do ishte të zgjidhej nga klienti. Sidoqoftë e rëndësishme është të kuptoni rëndësinë e prezencës së drejtuesit të kantierit dhe mirëkuptimin e tij me arkitektin apo studion e projektimit.
3.Kontributi i klientit në projekt është themelor!
Realizimi i projektit është bashkëpunim, pa kontributin e klientit nuk mundet të realizohet!
Sa më i qartë, i vendosur dhe mbi të gjitha bashkëpunues të jeni, aq më të lehtë e ka arkitekt/ja të përkthej dëshirat tuaja në realitet. Nëse ju endeni në përshtypjet e pafundme të miqve tuaj, apo dhe shembujve nga bota e internetit, do të gjendeni në një rreth vicioz pavendosmërie e cila sjell dhe ftohjen e krijimtarisë duke rezultuar ne një projekt kolazh të copëzave të projekteve të para në internet dhe në fund nuk ju pëlqen sepse i mungon karakteri!
4.Niseni punën me mirëbesim! Arkitekti është aleati juaj
Arkitekti nuk vjen për t’ju penguar në punën tuaj apo të sjellë rrënimin tuaj ekonomik!
Përkundrazi roli i tij/saj është t’ju ndihmojë në të gjitha hapat e projektimit duke ju sjellë një projekt të veçantë brenda buxhetit dhe kohës së duhur! Arkitektët janë gjithmonë të interesuar për të sjellë projekte të bukura, funksionale dhe të veçanta, sepse në ADN-ne e tyre është e domosdoshme që çdo projekt të jetë sa më arrirë, në fund të fundit secili projekt është kartëvizita e tyre!
Besojuni pak më shumë, sidomos kur vjen fjala për cilësinë, sepse në fund të fundit kur projekti mbaron jeni ju që do shfrytëzoni ambientin dhe investimi duhet të rezistojë në kohë dhe të jetë komod! Një cilësi më e lartë e produkteve, sidomos kur bëhet fjalë për ndriçimin, pajisjeve, zgjedhjen e sistemit Hvac, apo dhe mobilimit ju kursen shpenzime të panevojshme në kohë!
5.Mos e lini për momentin e fundit!
E keni hasur shprehjen ”E dua dje”? Kjo frazë lakohet në bashkëbisedimet e me arkitektët gjithmonë! Një projekt që të konceptohet, piqet dhe marrë formën e duhur do pak kohë! (kjo nuk do të thotë të zgjas pafund!) Më lini t’ju sjell shembuj konkret kur investitori kërkon realizimin e një biznesi për 15 ditë!
Projekt ideja edhe mundet të realizohet por zbatimi vështirë, sepse e para grupet e punës mundet të mos jenë të disponueshme me një njoftim kaq të shkurtër, materialet vonojnë (sidmos tani) dhe mbi të gjitha nëse projekti i zbatimit nuk është mbyllur është e sigurt që gjatë rrugës do të ndodhin gabime (sërish në kurrizin tuaj!). Të gjitha përkthen në shpenzime më të mëdha, vonesa në kohë dhe sërish ju do keni kaluar afatet kohore te cilat kishit menduar!(Pikark)/Media Ndërtimi.