Kompania e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, Mabetex, ka vendosur themelet e kryeqytetit të Kazakistanit, Astana për më shumë se dy dekada.
Siç thuhet në faqen e internetit të Pacollit, ka qenë Nazarbayev ai që e ka ftuar atë në vitin 1997, për të marrë përsipër projektimin dhe zbatimin e transformimit të kryeqytetit nga Almati në Astana, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në Astana, sot Nur-Sulltan, kompania e Pacollit, Mabetex, ka projektuar dhe ndërtuar objekte, si: ndërtesa e parlamentit, zyra e kryeministrit, ministria e jashtme, rezidencat shtetërore, pallati presidencial, qendrat sportive, pastaj objekte kulturore, si: teatri, opera dhe baleti, si dhe sallat e muzikës.
Mabetex ka ndërtuar edhe aeroportin, ndërsa gjatë viteve 2014-2017, ka projektuar dhe zbatuar pjesën më të madhe të punëve për “Expo 2017-2018”.
Aktualisht, në ndërtim e sipër është vendbanimi Saranda – VIP në Nur-Sulltan, në një hapësirë prej mbi 60 hektarësh.
Klient i këtij projekti, sipas ueb-faqes së Mabetexit, është administrata e presidentit të Kazakistanit.
Në Kazakistan gjenden rreth 2,000 shtetas të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët punojnë në kuadër të kompanisë së Pacollit.
Ata punojnë në qytetet: Ust Kamenogorsk (Oskemen), Almati dhe Nur-Sulltan.
“Dhe së fundi në Kazakistan, ku fillova dhe ku ende po ndërtoj kryeqytetin e Kazakistanit, një qytet ku sot ka tashmë 700,000 njerëz. Jam shumë i lumtur që jam ideologu i këtij projekti. Së bashku me një arkitekt japonez, vendosëm linjat e para se si do të duket qyteti. Qyteti është ndërtuar mbi bar dhe sot është një nga qytetet moderne në botë dhe ka 700,000 banorë.”, ka deklaruar Behxhet Pacolli, kryetari kompanisë ndërtimore Mabetex dhe deputet aktual në Parlamentin e Kosovës.
Të gjendur në mesin e shumë trazirave në vendin ku jetojnë, shumë shtetas kosovarë kanë rinisur punën në Kazakistan. Protestat kanë nisur më 2 janar për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe janë zgjeruar në pakënaqësi ndaj Qeverisë dhe ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili ka udhëhequr Kazakistanin për tri dekada dhe besohet se ka ende ndikim
/Media Ndërtimi.