Connect with us

Aktuale

Sektori privat “i diskriminuar” nga ndihma e shtetit

Published

on

“Nuk e ndiejmë që jemi shtetas të Republikës së Kosovës. Shteti po na diskriminon”, thotë Hysni Gashi, i punësuar në një kompani pastrimi në sektorin privat.

Gashi, sikurse të punësuarit tjerë në këtë sektor, nuk ka marrë ndihmën prej 50 eurosh, të ndarë nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit.

Qeveria ka ndarë ndihma të ngjashme katër herë nga shtatori i vitit të kaluar, por vetëm për punonjësit e sektorit publik.

“Kjo është e padrejtë. Inflacioni na ka prekur edhe neve. Tatimin në pagë e paguajmë njëjtë si unë që punoj në sektorin privat, si ata që marrin pagë nga buxheti i shtetit”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare vjetore të inflacionit 11.6 për qind, krahasuar me 3.1 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

Rritja e çmimeve ka nisur në fakt nga viti 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Gashi thotë se në kompaninë ku punon tash e 16 vjet, paguhet rreth 300 euro në muaj dhe se nga kjo pagë varet gati e gjithë familja e tij 4-anëtarëshe.

“Nuk janë vetëm çmimet e rritura që nuk po i përballojmë, është edhe qiraja, uji, rryma. Po e kemi problem t’ia dalim. Kam pasur nevojë jo vetëm për 50 euro, por edhe për më shumë”, thotë ai.

*Video nga arkivi: Qytetarët thonë se, “mishi është harruar, krejt rrallë e hiç”

Nga pakot mbështetëse të Qeverisë së Kosovës, punëtorët e sektorit privat me pagë mujore nën 1.000 euro kanë marrë në maj të vitit të kaluar nga 100 euro.

Paga mesatare në Kosovë, vitin e kaluar, ka qenë rreth 480 euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar në muajin dhjetor një raport për kushtet e jetesës në vitin 2020, në të cilin është konstatuar se 52 për qind e ekonomive familjare kanë pasur vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme, ndërsa 57 për qind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të mbulojnë me mjete vetanake një shpenzim të papritur prej 100 eurosh.

Për shkak të rritjes së inflacionit, këto shifra tani mund të jenë edhe më të larta.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, thotë se vendimi i Qeverisë për t’i ndihmuar vetëm të punësuarit në sektorin publik është i padrejtë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se sindikata ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria që të ndihmohen edhe të punësuarit në sektorin privat, por se nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Inflacioni ka prekur më shumë të punësuarit në sektorin privat, pasi që pagat janë më të ulëta. Në sektorin privat, punëtorët vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Janë në situatë të vështirë e të diskriminuar nga shteti”, thotë Azemi.

Vlera e pagës minimale në Kosovë, që sillet nga 130 deri në 170 euro, nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së saj është miratuar në lexim të parë në qershor të vitit të kaluar dhe, nga ajo kohë, nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër.

Në shtator të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka nisur të ndajë ndihma prej 50 eurosh për punëtorët në sektorin publik, ajo ka miratuar edhe një pako mbështetëse për bizneset që u rrisin pagat punëtorëve.

Qeveria ka thënë se do të subvenciononte 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët – maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Por, tash për tash, nuk ka të dhëna se sa punëtorë të sektorit privat mund të kenë përfituar nga kjo pako.

Ministri i Financave, Pumës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha në një konferencë për media më 27 janar se punëtorëve në sektorin publik u është ofruar ndihmë, sepse punëdhënës e kanë shtetin.

Nisur nga kjo, sipas tij, edhe punëtorët në sektorin privat duhet të ndihmohen nga punëdhënësi.

“Kam bërë thirrje që punëdhënësit t’i rrisin pagat [e punëtorëve], sepse ka mundësi dhe ne do ta mbështesim këdo që rrit pagat”, tha Murati.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në sektorin privat ka pasur lëvizje të pagave, sipas mundësive që kompanitë kanë pasur.

“Diku më shumë e diku më pak. Por, Qeveria është dashur ta ndihmojë edhe më shumë sektorin privat që të rriten pagat deri në normën e inflacionit”, ka thënë Rafuna.

Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.

Muajve të fundit, sektori privat është përballur vazhdimisht edhe me mungesa punëtorësh dhe shumë prej ankesave që kanë raportuar ata në Inspektoratin e Punës, kanë pasur të bëjnë me pagat e ulëta, me orar të stërzgjatur të punës, me mohim të pushimit vjetor e të tjera./Media Ndërtimi.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending