Për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri gjendet në pushim mjekësor, ka dështuar të fillojë të mërkurën gjykimi në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Toka 2”.
Kjo është konfirmuar nga zyra e gjykatëses Gërguri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe seanca e caktuar më 20 maj 2022 kishte dështuar, për shkak se prokurorja Merita Bina-Rugova gjendej jashtë vendit.
Ndryshe, gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, të cilët akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera.
Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi ka arritur parashkrimi absolut ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ndryshe, deri tani nuk është mbajtur asnjëherë seanca e shqyrtimit gjyqësor, pas vërtetimit të aktvendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhjen e aktakuzës.
Ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.
Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.
Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu, Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.
Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.
Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emerllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.
Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.
Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emerllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim te të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.
Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.
Për “shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.
Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.
Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”./Media Ndërtimi.