Connect with us

Aktuale

Si u përfshi kundërligjshëm në negociata Eset Berisha këshilltari i Pal Lekajt për 53 milionëshin?

Published

on

53 milionë e 100 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit një vendim i Qeverisë të cilës i printe Ramush Hardinaj.

Këto para u ndanë nga kuleta e shtetit për konsorciumin turko-amerikan Bechtel-Enka në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Një hetim dy vjeçar i Prokurorisë Speciale ka ardhur në përfundim se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i lartë i tij, Eset Berisha dhe Nebih Shatri, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës kanë tejkaluar kompetencat e tyre “me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës”, raporton Kallxo.com.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë për Lekajn, Berishën dhe Shatrin për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Historia nis në vitin 2017, shkruan Kallxo.com, kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Bechtel-Enka për shtyrjen e afatit të përfundimit të punësimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27.11.2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Pal Lekaj, si ministër i Infrastrukturës që në atë kohë drejtonte edhe Komitetin Ndërministror, po akuzohet nga Prokuroria Speciale se në kundërshtim me Statutin dhe Kodin e Sjelljes, pa i informuar dhe pa marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti, ka angazhuar këshilltarin e tij të lartë, Eset Berisha që të merr pjesë në negociata me Bechtel-Enka “për të përcaktuar koston financiare”.

Këto ishin detyra jashtë fushëveprimtarisë dhe kompetencave të një këshilltari politik, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, Eset Berisha, sipas aktakuzës, nën udhëzimet dhe në bashkëpunim të plotë me Pal Lekajn ka zhvilluar biseda me Bechtel-Enka-n dhe janë pajtuar që të zgjatet afati i përfundimit të punësimeve deri më datë 31.12.2018 dhe që Ministria e Infrastrukturës të paguaj koston financiare shtesë në llogari të kësaj kompanie në vlerë prej 45 milionë euro, shumë e cila sipas aktakuzës me shpenzimet e TVSH-së prej 18 për qind arrin shumë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Prokuroria Speciale ka përpiluar një aktakuzë prej 44 faqesh ku janë intervistuar disa dëshmitarë./Media Ndërtimi.

Aktuale

Vazhdon largimi i Evropës nga gazi rus, hapet tubacioni i ri i gazit Norvegji-Poloni

Published

on

Gazi ka filluar të rrjedhë në Poloni përmes një tubacioni të ri “Baltik Pipe”, thotë operatori i gazsjellësit të vendit Gaz-System.

Tubacioni, i cili shkon nga Norvegjia përmes Danimarkës, është një pjesë e madhe e përpjekjes së Polonisë për t’u larguar nga varësia e gazit rus.

Megjithatë, puna për tubacionin filloi vite përpara pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt, raporton skynews.

Gazi filloi të rrjedhë pak pas orës 4 të mëngjesit të sotëm (koha e Mbretërisë së Bashkuar) dhe tubacioni ka një kapacitet vjetor prej 10 miliardë metra kub.

Ai vjen një ditë pasi u zbuluan rrjedhje në tubacionet e gazit Nord Stream që lidhin Rusinë me Evropën, megjithëse Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në Poloni në prill pasi Polonia refuzoi kërkesën e Rusisë për të paguar në rubla.

Ndryshe, sabotimi është shkaku më i mundshëm i dëmtimit të tubacioneve të gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

ATK inkason mbi 700 mijë euro borxhe nga bizneset

Published

on

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se pas një aksioni të djeshëm në disa subjekte biznesore, të cilët kanë borxhe të pa-paguara, ka inkasuar borxhe në vlerën mbi 700 mijë euro.

Ky aktivitet është realizuar në regjionin e Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjilanit.

Në kuadër të këtij aksioni, sipas ATK-së, mbledhësit tatimor kanë mbyllur dhe sekuestruar prona të bizneseve për mos-pagesë tatimit, duke shtuar se të njëjtat aktivitete të mbledhjes së detyrueshme do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Përmes një njoftimi për media, Administrata Tatimore i njofton të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime të pa-paguara, të kontaktojnë Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme dhe të paguajnë detyrimet tatimore, në mënyrë që të mos ballafaqohen me masa të konfiskimit.

Gjithashtu, nga ATK-ja kanë bërë thirrje që tatimpaguesit të jenë bashkëpunues në pagesën e borxheve të tyre, si dhe të njoftohen për mundësitë që ofron Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat në pagesën e borxheve tatimore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Strehimoret prej bambuje një zgjidhje pas shkatërrimit të rreth 1 milionë shtëpive nga vërshimet në Pakistan

Published

on

Përmbytjet katastrofike në Pakistan kanë prekur rreth 33 milionë njerëz, shumë prej të cilëve po kërkojnë ende strehim të sigurt pas shirave që dëmtuan ose shkatrruan më shumë se 1 milion shtëpi.

Ndërsa një e treta e vendit është e zhytur nën ujë, dhe ekspertët thonë se mund të duhen deri në gjashtë muaj që uji të tërhiqet.

E për të adresuar nevojën urgjente për strehim të banorëve, arkitekti Yasmeen Lari dhe Fondacioni Heritage i Pakistanit kanë punuar gjatë gjithë kohës për të pajisur njerëzit në provincën Sindh me aftësitë dhe materiale për të ndërtuar strehimore prej bambuje.

Strehimoret, të quajtura Lari OctaGreen (LOG), mund të ndërtohen nga gjashtë ose shtatë persona brenda pak orësh.

Sipas arkitektit Lari synimi është që të ndërtohen rreth 1200 strehimore të tilla, dhe deri tani janë ngritur rreth 350 të tilla.

Ky aksion i ndërtimit të strehimoreve prej bambuje është përkrahur edhe nga rajone tjera të Pakistanit, dhe synohet të ndërtohet 1500 strehimore për muaj.

Strehimoret nuk janë të kushtueshme, janë të thjeshta dhe nuk kanë impakt negativ në mjedis.

Çmimi për ndërtimin e një strehimoreje nga bambuja kushton rreth 25 mijë rupi pakistanezë që përkthehet në rreth 110 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending