Në Tiranë u lëshuan 65 për qind e të gjitha lejeve të ndërtimit për ambiente banimi, me një shumë totale prej 400 milionë eurosh.
Nga 141 kompani që fituan leje ndërtimi për ndërtesa më të larta se gjashtë kate, gjatë periudhës 2017–2019, 59 për qind e tyre nuk i kishte burimet financiare për të përfunduar ndërtesat.
Sipas bilanceve të këtyre kompanive, të ardhurat e tyre ishin minimale, dhe nuk kishin prona apo kredi që mund t’i lejonte që të kryenin investime të tilla. Sipas vlerësimeve tona, afërsisht 60 për qind e kësaj vlere vinte nga para të pista, afro 240 milionë euro.156
Edhe kreditë bankare për blerje shtëpish mund të përdoren për të llogaritur nivelin e pastrimit të parave, dhe sektorit të pasurive të paluajtëshme.
Në vitin 2019, u lëshuan 200 milionë euro në kredi për shtëpi në Shqipëri. Bankat zakonisht financojnë 50–70 për qind të vlerës së apartamentit, ndërsa pjesa tjetër financohet nga kursimet personale.
Kjo do të thotë se gjatë viti 2019 kreditë për shtëpi financuan blerjen e 300–400 milionë eurove në ambiente banimi.
Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se u ndërtuan pasuri të paluajtëshme me vlerë 953 milionë euro, dhe mendohet se diferenca është paguar direkt nga blerësit e ambienteve, apo nëpërmjet kredive private.
Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri përllogariti se afërsisht 500 milionë euro janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtëshme në vitin 2019.
Duke përdorur të njëjtën formulë edhe për vitet 2017 dhe 2018, shifrat respektive janë 320 milionë euro dhe 570 milionë euro.
Sipas këtyre përllogaritjeve, del se një shumë totale prej 1.6 miliardë euro në para të pista janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtëshme në Shqipëri, gjatë këtyre tre viteve./Media Ndërtimi.
*Ky raport i prurjeve të paligjshme financiare është pjesë e angazhimit të Iniciativës Globale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Observatorit të Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore (SEE-Obs).
SEE-Obs është një platformë që mbledh së bashku dhe fuqizon organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, dhe në Serbi. Observatori kërkon t’i krijojë mundësi shoqërisë civile që të identifikojë, analizojë dhe të krijojë një tabllo të prirjeve dhe tendencave kriminale, si dhe ndikimin e tyre mbi prurjet e paligjshme, qeverisjen, zhvillimin, marrëdhëniet ndëretnike, sigurinë dhe respektimin e ligjit.
SEE-Obs mbështet organizatat e shoqërisë civile në punën e tyre për monitorimin e zhvillimeve dhe tendencave të krimit të organizuar në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.