Zyrtarë të Drejtorisë së Prokurimit në Prizren flasin për problemin e Pishinës Olimpike

0

Shkak i një ankesë që ishte bërë në Gjykatën e Tenderëve për dhënien e tenderit të ndërtimit të Pishinës Olimpike në Prizren, lënda për këtë është dashtë të kthehet në rivlerësim, shkruan Ndërtimi.info

E gjithë çështja po ka të bëjë që operatori ekonomik fitues i këtij tenderi, nuk ka paraqitur qarkullimin bankar lidhur me ndërtimin e një pishine private, e për të cilën kompania ankuese “Kag Asphalt” Sh.P.K Prizren&Powatec GMBH” po pretendon se kjo kontratë është fiktive.

Për këto pretendime Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) kanë kërkuar nga Komuna e Prizrenit që lëndën ta kthejnë në rivlerësim dhe operatorit fitues t’i kërkojnë qarkullimin bankar për ndërtimin e pishinës private.

Të kontaktuar nga Ndërtimi.info, kompania ankuese nuk ka qenë e gatshme të përgjigjet duke thënë se personi përgjegjës për këtë është i zënë.

Ndërsa, në drejtorinë e Prokurimit Publik në Prizren thonë se ankesa ka ardh nga operatori më i shtrenjtë.

Isa Osmankaj, nga Drejtoria e Prokurimit për Ndërtimi.info tha se do ta kthejnë lëndën në rivlerësim duke respektuar udhëzimet e OSHP-së, por që ka theksuar se me këtë janë shpallur tre operator të përgjegjshëm, e që operatorit ekonomik do t’i duhet edhe katër herë të bëjë ankesë për tu afruar marrjes së tenderit.

“Sot është marr vendimi, tenderi është kthyer në rivlerësim do të rivlerësohet do të veprohet sipas udhëzimeve që i ka dhënë në vendim OSHP-ja, kaq nuk ka diçka tjetër. Ka bërë ankesë operatori që ka qenë më i shtrenjti me çmim mes atij dhe këtij operatori që ne i kemi shpërblye tre operator të përgjegjshëm kështu që edhe nëse kthehet në rivlerësim operatori ankues duhet me shku edhe katër herë me bo ankesë për me ardh deri te ai”, tha Omankaj.

Megjithëkëtë ai tha se operatorit fitues “Çlirimi” do t’i kërkohen qarkullimi bankar për atë projekt, dhe nëse ofron këto dëshmi atëherë sërish do të shpallet fitues.

“Operatori ka ofruar kontratën dhe ka ofruar referencën sipas kërkesës në dosje që ne e kemi pas në dosjen e tenderit. Kemi pas kërkuar referenca të bashkangjitur kontrata, mirëpo operatori ankues ka pretenduar se kjo mund të jetë fiktive dhe se nuk ka elemente të mjaftueshme që na bindin që ky operator e ka përfunduar atë pishinë. Andaj OSHP-ja tash, krahas këtyre dokumenteve që na i ka ofruar operatori, ka kërkuar që ne nga operatori të kërkojmë edhe transaksionet bankare që janë lidhur me pagesën e kësaj kontrate. Pra, qarkullimi bankar që është realizuar mes operatorit dhe pronarit të pishinës dhe me ato do të shkohet prapë dhe me të njëjtin operator do të shpallet fitues. Nëse operatori na ofron këto dëshmi”, ka përfunduar ai.