Edhe pse ishte thënë se punimet do të kryhen në më pak se një vit, ndërtimi i rrugës “Skënderbeu” në Podujevë ka pasur vonesa në finalizimin e punimeve.
Komuna e Podujevës fajin e ka hedhur tek kushtet atmosferike, kompania ndërtuese ka thënë se janë duke pritur KEDS-in për largimin e disa shtyllave, ndërsa opozita në Podujevë thotë se pati keqpërdorime.
Punimet në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë nisën më 17 qershor 2022, ndërsa në dokumentin për njoftimin e nënshkrimit të kontratës, thuhet se punimet do të kryhen për 210 ditë pune.
Gjatësia e kësaj rruge në të cilën janë zhvilluar punimet është vetëm 2.4 kilometra. Në të përfshihej baza e re e asfaltit, ujësjellësi, kanalizimi, trotuari, gjelbërimi dhe shtegu i biçikletave.Kompania fituese e tenderit të shpallur nga Komuna e Podujevës është “Rahovica Comerce”, ndërsa vlera e kontratës së nënshkruar më 10 qershor 2022 ishte 1 milion e 316 mijë e 502 euro.
Komuna e Podujevës e ka nënshkruar edhe një kontratë të re për punët shtesë me të njëjtën kompani në vlerë prej 98 mijë e 183 eurove.Para afatit për dorëzim të ofertave, një nga operatorët ekonomikë (“Gashi Ing”) ishte ankuar në Komunën e Podujevës me pretendimet se janë kërkuar sasi e madhe e mjeteve motorike, e të cilat janë diskriminuese.
Komuna e Podujevës ka marrë vendim në shkallën e parë, duke e miratuar kërkesën për rishqyrtim dhe kësisoj e ka parandaluar ankimimin në Gjykatën e Tenderëve.
“Pas shqyrtimit dhe kontrollit të dosjes së tenderit konsiderohet se këto pretendime të kritereve të mjeteve në dosjen e tenderit (DT), edhe pse AK-ja nuk ka pasur qëllim që këto të jenë kritere diskriminuese apo favorizuese, sepse kur dihet se një projekt i tillë me vlerë të madhe e për realizimin e saj duhen më shumë mjete që i përgjigjen të gjitha punëve për të përfunduar këtë projekt me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, sepse punët janë brenda në qytet. Por, pavarësisht, AK do t’i bëj këto ndryshime që mundësohet ofertimi i të gjithë operatorëve pa dallim apo selektim sipas afateve të përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik” – thuhet në vendim e Komunës së Podujevës mbi ankesën e kompanisë “Gashi Ing”.
Pas këtij vendimi, Komuna e Podujevës më nuk ka pranuar ankesa gjatë fazës së paratenderimit apo edhe pas vlerësimit të ofertave.
Në tenderin për rikonstruktimin e rrugës “Skënderbeu” me infrastrukturë përcjellëse që ishte iniciuar më 18 shkurt 2022, kishin ofertuar 11 operatorë ekonomikë dhe vetëm njëri prej tyre ishte shpallur i papërgjegjshëm.
Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1 milionë e 400 mijë euro, ndërsa fituese ishte shpallur kompania “Rahovica” me çmimin e ofertuar prej 1 milionë e 316 mijë e 502 euro.
Çka thonë nga Komuna e Podujevës rreth punimeve dhe tenderit?
Punimet në këtë rrugë kishin filluar më 17 qershor 2022, por ato ende nuk janë finalizuar. Nga Komuna e Podujevës kanë thënë se arsyeja e vonesës së punimeve, janë kushtet atmosferike.
Në një përgjigje me shkrim, Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës më 20 maj 2023, ka thënë se punimet janë në fazën finale.
Vonesat e përfundimit të projektit nga Komuna e Podujevës kishin si arsye kushtet atmosferike, por nga kompania fituese e tenderit thonë se vonesat janë shkaktuar për shkak të punimeve të KEDS-it.
Kompania “Rahovica” në fund të muajit korrik 2023 kishte thënë se brenda një jave ose 10 dite punimet pritet të përfundojnë.
“Rruga shumë shpejtë do të përfundojë, kemi vonesa kjo madje prej KEDS-it jo prej anës tonë. Po presim me i largu disa shtylla nga aty dhe projekti thuajse është i kryer” – kanë thënë nga kompania “Rahovica”, në korrik të vitit 2023./Media Ndërtimi