Connect with us

Aktuale

Vetëm 6% të grave në Kosovë kanë marrë hise nga shtëpitë e prindërve (REPORTAZH)  

Published

on

“Kur i thashë vëllait tim se edhe unë kam hise në këtë shtëpi, ai nuk la të zezë pa më thënë. ‘Si s’po të vjen marre’, m’u drejtua në fund dhe përplasi derën para hundëve të mia”, kështu rrëfen, mes të tjerash, G.L. nga Prishtina, e cila aktualisht jeton me ndihmë sociale, ndërkohë që po rrit tre fëmijë. Për fat të keq, përvoja e saj nuk është një rast i rrallë, i shkoqitur nga realiteti.

Trajtimi i saj është i ngjashëm me trajtimin e shumë femrave të tjera kosovare, të cilat diskriminimin e përjetojnë qysh në familje. Duke qenë e përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë, femra në Kosovë përfundon e varur ekonomikisht, e si rrjedhim, jo rrallë përfundon si viktimë e dhunës në familje. G.L., çdo ditë përjeton dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, i cili në pamundësi për të gjetur një punë stabile, tërë energjinë negative e shfryn mbi gruan, është ky hulumtimi i gazetares Antigona Uka për revistën “Teuta”.

Por, femra në Kosovë mund të jetë edhe e punësuar, të siguroje të ardhura solide, porse ato janë të pamjaftueshme nëse pretendon të këtë në pronësi të saj një banesë apo shtëpi. Pavarësisht se e drejta në trashëgiminë familjare i garantohet me ligj, për shkak të traditës dhe normave kulturore, ajo nuk e gëzon këtë të drejtë.

Në një sistem patriarkal, çfarë mbizotëron tek ne, babai e ndan pasurinë mes djemve të tij, duke i përjashtuar me një lehtësi të padurueshme vajzat nga kjo e drejtë. Në jetën bashkëshortore, pavarësisht nga kontributi i femrës, gjendja paraqitet edhe më e rëndë, kur bëhet fjalë për ndarje të pasurisë me burrin, në rast ndarjeje apo kur gruaja mbetet e ve. Shifrat tregojnë se vetëm 6 për qind të pronave të regjistruara në Kadastër janë në pronësinë e grave.

Ngjashëm me traditën shqiptare, ndodh edhe në traditën e komuniteteve të tjera në Kosovë. P.sh., në komunitetin serb, Anamari Repić , ish-gazetare, tani zv/drejtoreshë e përgjithshme e RTK-së, tregon se në të kaluarën, pjesë e traditës serbe ishte që pasuria dhe trashëgimia t’u ndahej vetëm meshkujve të familjes. “Familjet e kanë festuar lindjen e meshkujve, sepse përmes tyre kanë kremtuar vazhdimësinë e familjes. Për gratë është konsideruar se, kur ato martohen, e ndryshojnë mbiemrin dhe me këtë pushojnë së qeni trashëgimtare, sepse tashmë i përkasin dikujt tjetër”.

Pabarazia totale, sipas znj. Repić ishte e pranishme kryesisht në fshat, deri diku edhe në qytete. Në periudhën e transicionit, ajo tregon se ka ndodhur që motrat, për shkak të presionit të anëtarëve meshkuj të familjes, kanë hequr dorë nga trashëgimia, ndërkohë që gratë në zonat rurale nuk e kanë pasur vetëdijen e zhvilluar për të drejtat e tyre. Por, me ndryshimin e sistemit, me modernizimin, gjërat kanë ndryshuar pozitivisht në këtë drejtim, edhe për komunitetin serb. “Sot gratë janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre, madje në qoftë se një anëtar mashkull i familjes dëshiron të jetë trashëgimtar i vetëm, femra të drejtat e saj i arrin përmes gjykatës. Sot, për shembull, në familjen time, në mënyrë të barabartë ndahet prona e të parëve të mi dhe çdo person i gjinisë femërore e trashëgon pjesën e vet”, tregon znj. Repić.

Gjendja më e përkeqësuar paraqitet në komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Nora Huseinoviq nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve, e cila është duke zbatuar një projekt me gratë e komunitetit RAE, tregon se një nga ankesat e këtyre grave është cenimi i së drejtës për trashëgimi dhe i së drejtës për të poseduar pasuri nga anëtarët meshkuj të familjes, gjë që, sipas saj, rezulton në mungesë të kapitalit dhe që pamundëson nisjen e bizneseve nga këto gra. Në fakt, pozita e femrës në këtë komunitet është e mjerë për shkak të një varg shkeljesh të të drejtave të tyre.

Për ta ndryshuar gjendjen duhen riedukuar burrat dhe gratë

Analizuar nga aspekti sociologjik, fenomeni i përjashtimit të femrës nga e drejta e saj në pronë ndërlidhet me fuqinë fizike të burrave. “Për disa çështje familjare, zakonet dhe praktikat sociale të pashkruara, nganjëherë janë më të forta sesa ligjet dhe rregullat e shkruara.

Kështu është rasti edhe me çështjen e trashëgimisë së femrës. Për të ndryshuar kjo praktikë, do të nevojitet kohë, punë e, mbi të gjitha, një riedukim i burrave dhe grave, i të rinjve dhe të moshuarve”, kështu shprehet sociologu Shemsi Krasniqi duke shtuar se e drejta e femrës në trashëgimi duhet të njihet, të lejohet dhe të zbatohet, ndonëse për këtë familja ende nuk është e përgatitur. “Një riedukim në frymën e së drejtës së gruas për trashëgimi, do të ndërronte shumëçka në strukturën familjare dhe shoqërore, sidomos në raportet mes gjinive dhe në përmirësimin e pozitës së gruas”, thekson z. Krasniqi.

Ai potencon faktin se familja shqiptare me shekuj ka funksionuar sipas modelit patriarkal, ku femra rëndom është konsideruar pronë, e asnjëherë pronare, porse, sipas tij, ky model po transformohet dhe këtë transformim duhet ta lehtësojnë edhe burrat edhe gratë./Media Ndërtimi.

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës për periudhën 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut

Published

on

Pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venedik të Italisë është hapur më 18.04.2024.

Kosova në edicionin e 60-të të Bienales së Venedikut prezantohet me instalacionin “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit me kuratore Erëmira Krasniqin.

Stafi i Pavijonit të Kosovës ka bërë të ditur se instalacioni shpalos pabarazitë në vendin e punës tek gratë dhe pasojat fizike të kësaj pune.

Instalacioni paraqet katër objekte skulpturore, dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e ëmbëlsirave dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjikale në gjunjë. Instalacioni shoqërohet nga një projekt zanor i kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.Në hapje të Pavijonit të Kosovës, përveç stafit prezantues nga Kosova, sipas njoftimit mori pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, e cila siç thuhet në njoftim, mbajti edhe një fjalë rasti.

Ndërsa komisionerja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Hana Halilaj, citohet të ketë thënë se sivjet Kosova prezantohet me një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati. “Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës shpërfaq hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore”- citohet të ketë thënë Halilaj.Nga një fjalë rasti mbajtën edhe autorja e instalacionit, Doruntina Kastrati dhe kuratorja Erëmira Krasniqi.

Sipas njoftimit të Pavijonit të Kosovës, me rastin e hapjes së Pavijonit është promovuar dhe është shpërndarë edhe një botim i bazuar në hulumtime, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjës të fabrikës së sallamit.

Pavijoni i Kosovës këtë vit është vendosur në “Museo Storico Navale della Marina Militare” në Venedik -Itali.

ienalja e Venediku do të qëndrojë e hapur deri më 24.11.2024.

Në vitin 2013, Kosova për herë të parë u prezantua në Bienalen e Venedikut me Petrit Halilajn, pastaj më 2015 me Flaka Halitin, më 2017 nga Sislej Xhafa, me Alban Mujën më 2019 dhe Jakup Ferrin më 2022./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending