Connect with us

Featured

Urbanistika dhe arkitektura e qendrës historike të Beratit

Published

on

Një histori plot dëshmi nga kohët e lashta rreth 2600 vjet para krishtit e deri në ditët tona. Si ka ndodhur urbanizimi i Beratit, përshkrimi topografik i qytetit, rrjeti rrugor, planifikimi i qytetit dhe një shpjegim i argumentuar se si kanë qënë të ndërtuar shtëpitë në këtë qendër historike dhe si ka ndodhur evolimi i tyre.

Nga një vrojtim i përgjithshëm duket sikur arkitektura e pamjes së banesave beratase sidomos pamja e lagjes Mangalem ka qënë realizuar gjithnjë kështu e pa ndryshuar me disa rreshta banesash në linjë pothuajse horizontale me shumë dritare. Por kjo fizionomi e pamjes se lagjeve muze, është realizuar rikonstruktuar, adaptuar dhe përforcuar pas tërmetit të vitit 1851.

Vështrim i përgjithshëm mbi urbanizimin e qytetit

Gordon Childe (1892-1957) ishte arkeologu më me ndikim i shekullit të XX-të. Puna e tij e hershme kërkimore në terren në 1920 përmbysi modele arkeologjike të prehistorisë evropiane.

Ai pastaj u kthye në teori e sintezë dhe për herë të parë aplikohen modelet sociale në dhënat arkeologjike lidhur me transformimet e mëdha në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. (Michael E. Smith, V. Gordon Childe and the Urban Revolution: a historical perspective on a revolution in urban studies, TPR, 80 (1) 2009, f.1) Childe mendonte se ka pasur një Revolucion Neolitik i cili çoi në zhvillimin e bujqësisë (Man make himself, 1936) dhe me pas në Revolucionin Urban (The Town Planning Review, 1950) i cili u pasua me lindjen e qyteteve.

Gordon Childe paraqiti modelin 10 pikësh për ndryshimet që sjellin “The Urban Revolution”. Megjithëse modelet e shoqërive bashkohore komplekse urbane kanë pësuar progres pas formulimit të Childe, të gjithë bien dakort se ai ka hedhur bazën e shpjegimit të këtij transformimi.

Qendra Historike e qytetit të Beratit e shpallur trashëgimi arkitektonike botërore (Ëorld Heritage) përmbledh në territorin e saj kryesisht tre lagjet më të vjetra të qytetit, lagjen Kala, Mangalem dhe Goricë. Kuptohet lehtë se lagjja më e vjetër është ajo e Kalasë pastaj sipas arsyetimit llogjik vjen lagjja Mangalem poshtë në rrëzë të Kalasë dhe më vonë Gorica.

Mesazhet më të hershme që vijnë nga thellësia e shekujve janë dy çekanë të gurtë (fig.1) të gjetur në rrëzë të mureve rrethuese, të kohës së bakrit-fillimit të bronzit, kur këto metale ende nuk e kishin zëvendësuar plotësisht gurin. Këta çekanë dëshmojnë se në vitet 2600-1800 p.e.s., këtu ishte një qendër e banuar. (A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura, Tiranë, 1988, f.10)

Gjatë Epokës së Bronzit, si në periudhën e mëparshme, Evropa ishte e ndarë përtej ndërmjet një shumëllojshmërie të komuniteteve ose popujve të veçantë. Këto mund të dallohen nga njëri-tjetri nga ritet e varrimit, arkitektura, arti dhe llojet e mjeteve, armëve, enëve dhe stolive që përdorën. (Gordon Childe, The bronze age, Cambridge at the university press, Edinburgh, 1930, f.81).

Fakti që në Iliri kishte aglomeracione urbane, bile dhe të rëndësishme, që në gjysmën e parë të shek.IV p.e.s., lë të nënkuptohet se zanafilla e tyre duhet kërkuar më përpara, me qënë se qyteti nuk është fenomen që shfaqet menjëherë në formën e tij të përmbaruar, por është produkt i një procesi zhvillimi të gjatë historik. (Frano Prendi, Urbanizimi i Ilirisë së Jugut në dritën e të dhënave arkeologjike, “Studime historike” 3, 1972, Mihal Duri, Tiranë, 1972, f.81).

Që nga gjysma e dytë e shek.VII p.e.s vihen re ndryshime të rëndësishme në tiparet e fortifikimeve të lashta ilire, të cilat lidhen me fillimin e procesit të urbanizimit. Vendbanimet e fortifikuara marrin tani një funksion të ri, duke u bërë qëndra të prodhimit dhe të shkëmbimit. Gjatë shek.VI-V p.e.s., numri i vendbanimeve të fortifikuara të tipit të ri rritet dhe sipërfaqja e banuar zmadhohet, duke përgatitur kushtet për kalimin në qytetet e mirëfillta si qendra të prodhimit shkllavopronar. Kjo periudhë është karakterizuar për këtë arsye si protoqytetare dhe datohet për Ilirinë e Jugut dhe Epirin që nga gjysma e dytë e shek.VII p.e.s., – në gjysmën e dytë të shek.V p.e.s., kur dalin qytete të mirëfillta të tipit Amantie. (Neritan Ceka, Fortifikimet parahistorike, “Monumentet” 1/1986, Mihal Duri, Tiranë, 1987, f.49).

Vendbanimi protoqytetar i Beratit është klasifikuar në grupin e dytë të vendbanimeve protourbane të mbrojtura, jeta e të cilave zhvillohet në një terren të mbrojtur natyror, të pafortifikuar. (Po aty, f.255,256).

Gjetjet e disa fragmenteve të pakta qeramike nga Hëna Spahiu në Pikën B në shtresën e pestë kulturore lidhen me periudhën e parë të banimit në këtë kala (shek.VII-V p.e.s). Së bashku me to u gjetën dy pjesë suvaje prej balte me gjurmët e thuprave të pareteve të kasolleve. (Hëna Spahiu, Qyteti iliro-arbëror i Beratit, Tiranë, 1990, f.21).

Gjurmë të zbehta, jo dhe aq të sigurta, të një muri me blloqe të papunuara, të shtyjnë të mendosh se në këtë kohë, në kodrën ku u zhvillua më tej qyteti, lindi një vendbanim i fortifikuar. Zhvillimi i mëtejshëm ekonomik dhe shoqëror i krahinave përreth, i Myzeqesë, i Mallakastrës dhe i luginës së Osumit, solli lindjen e njëpasnjëshme të një vargu qytetesh antike, të Apolonisë në vitin 588 p.e.s., të Nikaes në shek.V p.e.s., dhe në shek.IV p.e.s., të Bylisit të Dimalit të qyteteve Cakran e Margëlliç dhe të një sërë qytetesh të vogla.

Pikërisht nga mesi i këtij shekulli u rrethua me mure të fuqishme me blloqe të latuara edhe kodra në të djathtë të Osumit. Lindi kështu qyteti i fortifikuar, me një sipërfaqe 9,60 ha. (A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura, “8 Nëntori’, Tiranë, 1988, f.10,11).

Kur flasim për qytete në viset e Ilirisë jugore, ne kemi parasysh jo çdo qendër të fortifikuar më mirë, por vetëm vendbanime, të cilat, pavarësisht nga sipërfaqja që zënë, shprehin praninë e një bashkësie të organizuar qytetare me funksione ekonomike dhe marrëdhënie sociale tipike urbane me mënyrë të re jetese, me një organizim të veçantë politiko-administrativ etj. Vendbanime me tipare të tilla urbane ka pasur në trevat e Ilirisë së Jugut dhe këto nuk kanë qenë të pakta. Të tilla ishin Scodra, Lisi, Dimali, Bylisi, Amantia, Antipatrea, Pelioni, e shumë të tjera, emri antik i të cilave ende nuk dihet me siguri. (Frano Prendi, Urbanizimi i Ilirisë së Jugut në dritën e të dhënave arkeologjike, “Studime historike” 3, 1972, Mihal Duri, Tiranë, 1972, f.80) Mbijetesa e plotë e urbanizmit ishte e lidhur dukshëm me vazhdimin e një ekonomie të parasë dhe tregtisë. (John Rich, The city in Late Antiquity, London and Neë York, 1992, f.18).

Në gërmimet e bëra në pikën “F”, në kuadratet I, II dhe III u zbuluan disa trakte muresh që dikur mbyllnin mjediset e ndonjë godine me karakter shoqëror ose privat. Teknika e ndërtimit të mureve, përmasat e tullave, materiali arkeologjik dhe monedha e Anastasit të I i lidhnin rrënojat e kësaj godine dhe mjediset rreth saj me kohën antike të vonë (shek.IVVI). (Hëna Spahiu, Berati qyteti iliro-arbëror, Tiranë, 1990, f.116-121 dhe Gjurmë të mureve rrethuese & të ndërtesave të Kohës së vonë antike në kështjellën e Beratit, “ILIRIA” 2011, Tiranë, 2012, f.55-68).

Gjatë shek.XII-XIV, qytetit shqiptar njohu një rritje të vazhdueshme si pasojë e zhvillimit të forcave prodhuese. Në këtë kohë qyteti ishte një qendër zejtaro-tregëtare, e cila kryente dhe funksionin e tregut për krahinat përreth. (Emin Riza, Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek.XII-XX), “Monumentet” 14, 1977, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.47).

Ndërtimet përgjithësisht dilnin drejtpërdrejt në rrugë, oborret thuajse mungonin, ose ishin tepër të vegjël. Zgjerimi i qytetit çonte shpesh dhe në ndërtime fare pranë, apo dhe mbështetur mbi mure rrethues. Nuk mungonin dhe ndërtimet shoqërore. Në pjesën më të mirë të qytetit, zakonisht në zonën më të lartë, ndërtonin shtresat e pasura. Qyteti në zhvillimin e tij, nuk paraprihet nga planifikimi. Në vitin 1280 flitet për një lagje të jashtme në Berat, siç duket këtu kemi të bëjmë me ansamblin në perëndim të kalasë. Në mesin e shek.XV, lagjet e jashtme të Beratit kanë qenë të fortifikuara. (Po aty, f.49).

Shek.XVII përbën një etapë të me rëndësi në zhvillimin e qytetit shqiptar, i cili hyn në rrugën e rritjes dhe forcimit ekonomik. Shtrirja e tij, në disa qendra të rëndësishme si Berati, Gjirokastra, Elbasani etj, kishte arritur thuajse atë, që u ruajt pak a shumë dhe gjatë shek.XVIII-XIX, natyrisht me një dëndësi më të vogël ndërtimesh. Pra qyteti kishte marrë fizionominë urbanistike që u ruajt në tiparet thelbësore dhe në shekujt pauses, duke qenë urbanistika për vet natyrën e saj elementi konservator, në krahasim me arkitekturën e ndërtimeve qytetare dhe veçanërisht banesës si elementi mbisundues i tyre. (Po aty, f.51) Që nga viti 1800 procesi i urbanizimit ka lëvizur me shpejtësi në të gjithë botën, dhe kulmi nuk është ende në horizont. (Kingsley Davis, World Urbanism (Mar., 1955), American Journal of Sociology, Vol. 60, No. 5, The University of Chicago Press, f. 429-437) Shek.XIX shënon një rritje të mëtejshme të qytetit shqiptar. Në Berat ka një intesitet të madh të veprimtarisë ndërtimore, sidomos në gjysmën e dytë të shek.XIX.

Përshkrimi Topografik Kalaja e Beratit ka specifikën e saj në realizimin urbanistik dhe arkitektonik sepse ajo shtrihet mbi sipërfaqen prej 9,6 ha të një kodre në formë trekëndore me kurriz në mes ku kulmin e saj e arrin në kullën me nr.13 në lartësinë 285 m nga niveli i detit. Lartësia e oborrit të hyrjes për në kala nga niveli i detit arrin lartësinë 243.8 m, pragu i portës së parë të hyrjes 240 m dhe është lartësia më e ulët nga niveli i detit. Brenda rrethimit me mur të kalasë ka dhe një vend më të ulët 243,8 nga niveli i detit, ku mblidhen të gjithë ujrat e shiut. Ky vend është në afërsi të portës Lindore të kalasë drejtuar nga mali i Tomorit dhe është lartësia me e ulët e kësaj kodre brenda rrethimt me mur guri të kalasë nga niveli i detit. (fig.2). Nga lartësia me e madhe pjerrësia e kalasë zbret në mënyrë të butë, kjo ka lejuar ndërtime në terren të pjerrët si nga ana lindore ashtu dhe ajo veriperëndimore ndërsa në drejtimin jugor ajo bie thikë (fig.3).

Rrjeti rrugor

Zgjidhja urbanistike, rrjeti rrugor i lagjes Kala është pak më i ndryshëm nga ajo i lagjes Mangalem dhe Goricë, kjo për arsye se kodra e kalasë ka dy pjerrtësi rënie terreni, ndërsa dy lagjet e tjera janë realizuar në një rënie pjërrtësie terreni. Dy lagjet e tjera shtrihen në shpatin e malit të Goricës dhe poshtë kodrës së Kalasë ku ndërmjet tyre kalon i famshmi lumi Osum.

Shkenca e urbanistikës përmbledh në zgjidhjen e saj një numër të pa kufizuar problematikash serioze ku ndërthuren ndërmjet tyre mjaft filozofi të thella dhe të gjera, nga më të ndryshmet në mënyrë të tillë që të arrihet qëllimi kryesor parësor, për të bërë sa më të jetueshëm jetën e banorëve. Qysh në periudhën e hershme zgjidhja urbanistike duke përdorur rrjetin e rrugëve ortogonale ka qënë më e preferuara. Po të shikojmë edhe sot shumë qytete që shtrihen në terrene të rrafshta apo edhe në kodra të ulëta sidomos në kontinentin amerikan kanë zgjidhje nëpërmjet rrjete rrugësh kuadratike. Por si e ka kalaja jonë rrjetin rrugor të saj? Cilat janë parimet që udhëzojnë planifikimin e qytetit të lashtë?

Lagjja “Kala”

Rrjeti rrugor niste nga hyrjet e fortifikimit duke u shpërndarë në një numër të dendur rrugësh të ngushta e të përthyera, shtruar me kalldrëm. (Emin Riza, Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek.XII-XX), “Monumentet” 14, 1977, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.48) Qysh prej fillimit të realizimit të saj duke pasur parasysh ndryshimin e lartësisë së terrenit 40 m brenda rrethimit me mur guri të kalasë, zgjidhjen e komunikimit e ka arritur duke ndërtuar tre rrugë arterie kryesore (fig.4). Dy rrugë shtrihen brenda mureve rrethuese rrëzë tyre dhe një rrugë e ndanë kalanë pothuajse përgjysëm. Qëllimi i saj është të arrijë nëpërmjet një gjatësie sa më të shkurtër, por lehtësisht të komunikueshme, pra me pendencë, pjerrtësi të pranueshme, lartësinë më të lartë. Dhe kjo rrugë ka qënë qysh në periudhën e parë të ndërtimit të kalasë në periudhën antike, ngjitja me pendencë e kësaj rruge të dërgon në Akropol, te pjesa më e lartë e fortifikuar e një qyteti antik, i cili shërbente si vend strehimi në rast lufte dhe njëkohësisht si vend i shenjtë, ku gjendeshin tempuj kushtuar perëndive më të rëndësishme të qytetit. Fakt deri tani kemi gjurmën e një mozaiku ende të pa zbuluar plotësisht që mendojmë se ka zbukuruar dyshemenë e një bazilike paleokristiane të shek.V-VI në pikën më të lartë të Akropolit. Kjo është rruga me pendencë të kalueshme për lëvizjen e mjeteve (karrocat) në periudhën antike nga porta e parë e hyrjes së qytetit të fortifikuar deri në vendin më të lartë. Sipërfaqen e kalasë kjo rrugë e ndan në dy pjesë. Rruga degëzohet në dy orientime, lindore & perëndimore, të cilat qarkojnë truallin e pjerrët. Krijuesit kanë planifikuar, realizuar nga tre rrugë paralele të përshkallëzuara (tarraca) në gjithë gjatësinë e terrenit të aksidentuar brenda këtyre dy hapësirave. Këto janë rrugët dytësore.

Fatkeqsisht në periudhën e fundit nga ndërhyrja pa kriter e kësaj rruge ju hoqën katër gurët e fundit origjinal të periudhës fillestare antike. Po kështu, kësaj rruge ju prish kalldrëmi (fig.5) dhe u shtrua duke iu improvizuar dhe zhdukur veprën autentike pjesën origjinale para hyrjes për në Akropol. Sot çuditërisht gurët e kalldrëmit të vjetër bëjnë roje në Akropol (fig.6, 7). Ne jemi të mendimit se kjo rrugë kryesore e kalimit nëpër lagjen “Kala” nën trasenë e saj origjinale ka vlera shumë të rëndësishme arkeologjike sepse ajo shpesh poshtë saj i është bashkëngjitur shkëmbit natyral dhe është një dokument i vlefshëm për punimet kërkimore për këtë qytet antik.

Funksioni i rrugëve dytësore që lidhen me rrugët kryesore lehtëson lëvizjen e pranueshme e të qetë të banorëve. Përveç tyre kemi dhe rrugë të treta që përqafojnë trualle ndërtimi dhe që janë më të vështirë në lëvizje. Funksioni i tyre është lidhës në drejtim sa më të shkurtër zakonisht perpendikular brenda hapësirave të truallit midis rrugëve dytësore. Në rastin e orientimit lindor të kodrës janë ndërlidhës të rrugës kryesore me ato dytësore. Janë planifikuar dhe realizuar edhe raste të komunikimit të rrugëve të treta paralelisht me rrugët dytësore si pasojë e realizimit të arkitekturës së banesave. Pra, në qoftë se e studiojmë në hartë rrjetin rrugor të kalasë del më se e qartë se zgjidhja e lëvizjes së banorit në lidhje me banesën është bërë jashtëzakonisht funksionale, e lehtë për të arritur komunikim të lehtësuar në funksion të realitetit ambiental faktik (fig. 8).

Një zgjidhje e tillë funksionale urbanistike ka sjellë që dhe realizimi i arkitekturës së banesave të jetë në funksion të orientimit të pjerrësisë se kodrës. Në lagjen kala ne kemi dy orientime kryesore të pamjeve të banesave njëra nga mali i Tomorrit nga lindja dhe tjetri nga Shpiragu perëndimi. Nuk ka qenë e mundur të orientoheshin në ndërtim banesat nga Jugu për shkak të vetë orientimit të sipërfaqes së kodrës. Pra, mund të themi qartësisht e bindshëm se, ata që kanë realizuar këto ndërtime në këtë sipërfaqe i kanë shfrytëzuar mundësitë e realizimit të banesave në mënyrë krijuese duke ja përshtatur ato terrenit, mundësive që lejon ai dhe duke shfrytëzuar në mënyrë mjaft të përshtatshme lëvizjen nëpër rrugica për të bërë komunikim me banesën, sipas rastit nga poshtë por edhe nga sipër.

Parimet që udhëzojnë planifikimin e qytetit

Megjithëse qyteti i Beratit është konsideruar vështirësisht i zgjidhshëm për të gjitha problemet që lidhen me këtë qytet duke arsyetuar mbi mundësinë që lejojnë gërmimet relativisht të kufizuara të bëra vetëm në zona të lira, ne do të mundohemi të japim mendimin tonë mbi disa parime që udhëzojnë planifikimin e qytetit (kalaja e Beratit).

Zhvillimi i qytetit të Beratit në mesjetë dhe vazhdimësia e banimit të tij deri në ditët e sotme kanë lënë gjurmë mbi kuptimin dhe interpretimin e planifikimit të tij. Përsa i përket trajtimit urbanistik të qendrave qytetare ilire mund të shënojmë se ai ka pasur disa kërkesa themelore, siç ishin: vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë: për banim, për veprimtarinë shoqërore dhe mbrojtjen; krijimi i unitetit të agorasë dhe komplekseve të banimit etj. (Neritan Ceka, Myzafer Korkuti, Arkeologjia, shblu, Tiranë, 1998, f.264).

Mënyra aktuale e planifikimit urban në qytetet e lashta përqafojë konceptin e variacionit në formë, si brenda traditave kulturore (p.sh. jo të gjitha qytetet romake janë planifikuar në të njëjtën mënyrë) dhe midis traditave. P.sh., dy komplekset e lashta egjiptiane të banimit – Kahun dhe Deir el – Medina – (fig.9) tregojnë shkallën e ndryshme dhe llojet e planifikimit, edhe pse të dyja ishin projektuar dhe ndërtuar nga agjentët e shtetit. (Michael E. Smith, V. Gordon Childe and the Urban Revolution: a historical perspective on a revolution in urban studies, TPR, 80 (1) 2009, f.18) Ndërsa, për të gjitha qendrat qytetare ilire ishte karakteristike vendosja e vendbanimit në një terren të pjerrët, në faqet e kodrave, që rrethoheshin me mure për të krijuar një vend të mbrojtur për zhvillimet e jetës së qytetit.

Kjo vendosje paraqiste vështirësi për krijimin e shesheve të nevojshme për ndërtimet private ose shoqërore, por gjeti zgjidhje përmes zbatimit të parimit të njohur që në parahistori, duke krijuar tarraca paralele me vijat rrushkulluese të kodrës. Tarracimi është një mënyrë e përgjithshme për krijimin e shesheve të ndërtimit në qëndrat qytetare ilire (Neritan Ceka, Myzafer Korkuti, Arkeologjia, shblu, Tiranë, 1998, f.264) dhe një ndër parimet kryesore të planifikimit të qytetit.

Zhvillimi urbanistik i këtyre qendrave të banuara qytetare, është kushtëzuar ndjeshëm nga fortifikimi me mure rrethues. Praktikisht ky rrethim kufizonte qartë truallin brenda të cilit zhvillohej qendra e banuar, duke bërë që ngushtësia e terrenit të ishte faktor me rëndësi i dorës së parë në kompozimin urbanistik. (Emin Riza, Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek.XII-XX), “Monumentet” 14, 1977, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.49).

Një tjetër parim i rëndësishëm në ndërtimet e qytetit, duke spikatur me volume dhe trajtimin arkitektonik, zinin ndërtimet e kultit, të cilat ngriheshin në trojet më të mira. Gjatë shek.XV në kalanë e Beratit veprimtaria ndërtimore, lidhet me ngritjen edhe të dy faltoreve islame (fig.10). Objektet e kultit si ndërtesa social-fetare, shërbyen jo vetëm si simbole të qarta të religjioneve, si ankorim për formën e qytetit, por simbolizonin edhe përqëndrimin e shumicës sociale. Kjo vihet re në formulimin urbanistik të kalasë gjatë shekujve XVI-XIX (shih fig.11 në hartën e kalasë së Beratit vendosjen e kishave dhe vendeve të shenjta ku frekuentohen edhe sot). Rritja demografike, shtimi i ndjeshëm i zejeve të ushtruara dhe ai i ritmeve të banimit dhe i atyre shoqërore në përgjithësi, karakterizojnë Beratin e shek.XVII. (A Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura, “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f.81) Në gjendjen e sotme lagjja “Kala” i përket shekujve XVIII-XIX, përsa u takojnë shtëpive të banimit që e formojnë.

Featured

Kompanitë kosovare ftohen të respektojnë Ligjin gjerman të furnizimit

Published

on

Ligji Gjerman i Zinxhirit të Furnizimit (Lieferkettensorgfaltspflichtengesetz – LkSG) ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit më 1 janar 2024, duke zgjeruar fushëveprimin e tij për të mbuluar të gjitha kompanitë në Gjermani me mbi 1000 punonjës.

Zgjerimi do të shtojë rreth 2,000 kompani gjermane në kuadrin rregullator. Këto kompani do të aplikojnë kriteret që parashihen me ligj përgjatë gjithë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe tek furnitorët jashtë Gjermanisë. Përfshirë këtu kompanitë nga Kosova që janë furnitorë të kompanive gjermane, apo që synojnë të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në vitin 2021 dhe zyrtarisht hyri në fuqi më 1 janar 2023, duke iu kërkuar kompanive gjermane të plotësojnë kritere për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjet mjedisore në zinxhirët e tyre të furnizimit global.

Ligji implementohet në tri faza: Në fazën e parë, ligji gjerman u aplikua për kompanitë me mbi 3000 punonjës në Gjermani. Përafërsisht 900 kompani të mëdha gjermane u detyruan ta zbatojnë ligjin.

Në vitin e parë të zbatimit, Zyra Federale për Çështjet Ekonomike dhe Kontrollin e Eksportit (BAFA) ishte përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit. BAFA kreu 486 inspektime të kompanive të mëdha për të vlerësuar pajtueshmërinë. Vlerësimi i përgjithshëm i BAFA ishte pozitiv, duke gjetur se kompanitë ishin përgjithësisht të suksesshme në krijimin e sistemeve dhe proceseve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e Ligjit në fazën e parë.

Megjithatë, zgjerimi i zbatueshmërisë së Ligjit Gjerman të Zinxhirit të Furnizimit në ndërmarrjet e  mesme pritet të paraqesë më shumë sfida.

Kompanitë kosovare që nuk i zbatojnë kushtet e parapara me këtë ligj, nuk do të mund të vazhdojnë apo fillojnë eksportin në Gjermani.

Continue Reading

Aktuale

‘Autostrada Hangar’ do të hapë dyert për publikun më 5 Mars 2022

Published

on

Autostrada Hangar synon të gjenerojë bashkëjetesë mes komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip dhe do të përdoret veçanërisht për të plotësuar nevojën urgjente të një edukimi joformal dhe programeve të ndërtimit të aftësive në mënyrë që të fuqizojë të rinjtë në Kosovë dhe rajon.

“Edhe pse hapësira jonë u përdor si një nga ambientet kryesore të edicionit të tretë në 2021, ku patëm një vit mjaft të suksesshëm me ekspozitën tonë ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, më 5 mars ajo do të jetë gati të hapë dyert e saj me një dizajn i ri dhe një program vjetor.

Deri më tani, ne kemi qenë të përkushtuar për të institucionalizuar “Autostrada Hangar” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren përmes krijimit të një programi publik vjetor bazuar në nevojat e komuniteteve dhe partnerëve duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes, duke e bërë programin të hapur për komunitete të ndryshme dhe më shumë. ekologjikisht të qëndrueshme”, shkruan në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve shpallë zgjedhjet për kryetar

Published

on

Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, njofton se duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 27, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2020, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e AAK-së

Kuvendi zgjedhor i Asociacioni i Arkitektëve kosovar, do të mbahet të mërkurën, më 30.03.2022 nga ora 17:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës – Prishtinë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurrencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 33, të statutit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending