Çfarë tregon tragjedia e katërfishtë e familjes Gjoka në Velipojë për sigurinë e tregut të gazit në Shqipëri dhe një zinxhir pandëshkueshmërie, që stimulon shkelje të reja ligjore dhe aksidente me pasoja fatale.
Alketa Gjoka u zgjua herët mëngjesin e së dielës më 4 korrik 2021, me planin që të bënte gati për pushuesit hotelin e vogël të familjes, që ndodhet buzë detit Adriatik në Velipojë.
Rreth orës 6.45, ajo vendosi xhezven e kafesë mbi një bombul gazi kampingu, por dhoma shpërtheu në flakë me shkëndijën e parë.
Kur flakët u shuan dhe tymi u shpërnda, familjen Gjoka e pllakosi një tragjedi e rëndë.Alketa, 40 vjeç dhe tre fëmijët e saj, Danjela 19 vjeç, Klarisa 15 vjeç dhe Enriko 12 vjeç u nxorrën të plagosur nga hoteli, por humbën jetën njëri pas tjetrit në një spital në Itali, ku ishin dërguar për kurim të specializuar.
Katër muaj pas tragjedisë, Gjergj Nikaj –babai i Alketës, pret i brengosur që ta mësojë të vërtetën nga hetimet, raporton BIRN.
“Ka shpërthy sapo vajza e ka ndezur sobën për të pjekur kafe,” tha ai për BIRN. “Për ngjarjen nuk mund t’i drejtoj gishtin askujt..,” shtoi ai.
Sipas të dhënave të INSTAT, dy burimet kryesore të ngrohjes së familjeve shqiptare janë druri dhe energjia elektrike. Gazi i lëngshëm, i cili tregtohet kryesisht përmes bombulave, edhe pse më i lirë në çmim, përdoret nga vetëm 10,2 për qind të familjeve në Shqipëri.
Ekspertët besojnë se arsyet kryesore të përdorimit të ulët të gazit nga familjet shqiptare janë mungesa e sigurisë dhe aksidentet e shumta –shpeshherë me pasoja fatale.
“Incidentet me bombulat e gazit janë shtuar shumë gjatë kohëve të fundit,” tha specialisti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Lezhë, Agustin Pepkolaj.
Legjislacioni shqiptar dhe rregulloret e sigurisë së Gazit të Lëngëzuar Natyror, GLN, kërkojnë që çdo bombul të jetë e kolauduar nga kompania që e tregton, e pajisur me certifikatë dhe e regjistruar tek ISHTI.
Ligji kërkon gjithashtu që vendosja e bombulave dhe lidhja e tyre me sistemin e gatimit apo të ngrohjes duhet të bëhet nga një specialist i kualifikuar i kompanisë tregtuese, ndërsa gazi duhet të jetë i aromatizuar, në mënyrë që në rast rrjedhje të mund të ndjehet.
Megjithatë, në terren qarkullojnë një numër i panjohur bombulash të vjetra dhe të pacertifikuara.Kurtaj nga Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve nën Presion tha për BIRN se 90 për qind e aksidenteve ndodhin te përdoruesi fundor familjar dhe se në të gjitha rastet “janë gabime teknike gjatë instalimit ose nga pakujdesia e tyre”./Media Ndërtimi.