Këshilli i Ministrave zbaton çmime shumëfish më të ulëta se ato tregut për të shitur te privatët tokën shtetërore në bregdet apo në zonat më të shtrenjta të Tiranës, një praktikë që sipas ekspertëve është tregues i kapjes së shtetit nga oligarkët.
Në një nga brigjet më të bukura të Jonit në Palasë, vilat e reja të fshatit turistik “Green Coast” në pronësi të grupit ‘Balfin’ ofrohen me qira ditore deri në 300 euro apo në shitje deri në 1 milion euro. Edhe çmimi i tokës truall në këtë zonë është i shtrenjtë – ai varion deri në 350 euro për metër katror sipas njoftimeve të agjencive imobilare.
Megjithatë, kur qeveria shqiptare vendosi t’i shiste një sipërfaqje toke truall prej gati 9 mijë metrash katrorë kompanisë ‘Green Coast’ shpk një muaj më parë, aplikoi një çmim shitjeje shumëfish më të ulët, të barabartë me 2135 lekë [18.2 euro] për metër katror.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 13 korrik, kompania ‘Green Coast’ do t’i paguajë buxhetit të shtetit në total 18.7 milionë lekë [160 mijë euro] për një sipërfaqe prej 8774 m2, mbi të cilën pritet të ndërtohet një hotel luksoz.
Ky nuk është rasti i vetëm kur toka shtetërore të lakmuara në bregdet ose në kryeqytet i shiten investitorëve privatë për çmime shumë herë më lira se ato të tregut imobiliar. Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto transaksione edhe pse formalisht të ligjshme, përbëjnë një favorizim klientelist të qeverisë për oligarkët dhe dëmtim të interesave publike.
“Rasti kur qeveria me VKM i shet një investitori jashtë kushteve të konkurrencës, nuk është asgjë më shumë se sa një tregues i kapjes së shtetit nga oligarkët dhe klientët e qeverisë dhe një simbiozë e dëmshme, e rrezikshme dhe jokushtetuese midis tyre,” tha Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike në Tiranë.
E pyetur nga BIRN për favorizimin e biznesmenëve në dëm të qytetarëve, qeveria nuk iu përgjigj një kërkesë për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërsa kompania ‘Green Coast’ shpk theksoi se trualli ishte blerë në përputhje me ligjet në fuqi dhe me vlerën e përcaktuar në metodologjinë e përllogaritjes së çmimit të tokës – një dokument i miratuar nga akte normative dhe vendime të Këshillit të Ministrave.
“Toka të cilës ju i referoheni do të përdoret për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe nuk është përfituar duke paguar më pak nga çfarë përcakton metodologjia e përllogaritjes së çmimit të tokës në Republikën e Shqipërisë,” tha kompania ‘Green Coast’ në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike.
“Nga ana jonë nuk është kërkuar marrja e tokës pa pagesë apo me 1 euro për metër katror, pavarësisht se aktet nënligjore në zbatim të nenit 29, Ligji Nr. 93/2015 për Turizmin apo/dhe akteve nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike, lejohej,” shtoi kompania, duke theksuar se truallin mund ta merrte dhe falas.
Grupi “Balfin” është një nga konglomeratët më mëdhenj të investimeve në Shqipëri dhe rajon. Ai drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Samir Mane që përshkruhet si njeriu më i pasur në vend ose etiketohet si ‘oligark’ me ndikim në politikëbërje.
Vlera e përdorur nga qeveria për privatizimin e pronave publike është bazuar mbi një hartë të vjetër të vitit 2014 për çmimet referencë të tokës, që nuk pasqyron çmimet e tregut të lirë dhe krijon dëm financiar për të ardhurat publike. Harta u kritikua se ishte larg çmimeve reale të tregut që në momentin kur u miratua nga qeveria./Media Ndërtimi.