Connect with us

Aktuale

Si u zhvlerësuan toka dhe ndërtimet në Durrës nga vet shqiptarët

Published

on

Aty ku të gjithë duan të shesin! Durrësi është kthyer në një dëshmi të qartë, jo vetëm të shfryrjes së flluskës së pasurive të paluajtshme, por edhe të masakrës dhe zhvlerësimit, që i është bërë bregdetit, që dikur ishte një copëz parajsë me rërë të praruar dhe kurorë të gjelbër pishash. Në pak vjet, çmimet kanë rënë me 30-40%

“Shitet”, “Shitet ose jepet me qira”, “Okazion, shitet me ulje 20%”, “Apartament me hipotekë i mobiluar”, “Nxitoni, ulje e madhe çmimesh deri në shtator”. Njoftimet për shitje apartamentesh në bregdetin e Durrësit dhe të Golemit janë të pafundme, si në vijën e parë pranë detit, ashtu dhe në anën tjetër të rrugës, teksa çmimet kanë shënuar rënie të ndjeshme në krahasim me më se 10 vjet më parë, kur u bë në “modë” të kishe një shtëpi të dytë në bregdet.

Por, sot, pas 10 vitesh të gjithë po nxitojnë të shesin, ndërsa pallatet e reja, që për çudi vazhdojnë e mbijnë nga hiçi, e kanë shtuar shumë ofertën. Por ata që duan të blejnë tashmë janë shumë të paktë. Durrësi është kthyer në një dëshmi të qartë, jo vetëm të shfryrjes së flluskës së pasurive të paluajtshme, por edhe të masakrës që i është bërë bregdetit, që dikur ishte një copëz parajsë me rërë të praruar dhe kurorë të gjelbër pishash. Pa infrastrukturë, pa gjelbërim, me pallatet që janë ngjitur me njëri-tjetrin jashtë çdo standardi, zona nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait (pas saj ka më shumë hapësira të gjelbra dhe zona vilash) po shkon me shpejtësi drejt zhvlerësimit dhe degradimit.

Vetëm për 15 mijë euro mund të blesh një apartament 50 metra katrorë në krahun përtej rrugës, në një pallat në rrëzë të kodrës në zonën e Shkallnurit, me një çmim prej 300 euro për metër katror. “Dikur i kam shitur me 500 euro/m2”, thotë ndërtuesi. Çmimet kanë rënë fare, thotë ai. Kur e pyes nëse ka shitje, të përgjigjet “Po të kishim kërkesë, nuk do të kishte këto çmime”.

Në pallatin 100 metra më tutje, ndërtuesi i Kristi Konstruksion nuk lëshon pe. Ai nuk i shet më lirë se 450 euro për metër katror, me gjithë zbritjen prej 20% që në reklamë e ka shënuar si një okazion. “Pallati është me hipotekë e ashensor”, thotë ai. Kur i thua që 100 metra më tutje e gjen me 300 euro për metër katror të përgjigjet: “Mua vetëm kosto më shkon 350 euro për metër katror, interesohuni mirë se pallati tjetër mos nuk ka hipotekë”.

Ndërtimi i rrugës kryesore disa vite më parë, e ndau si me thikë zonën përtej shinave të trenit, pikërisht në momentin që këto pallate sapo kishin filluar të ndërtoheshin. Pamundësia e daljes në det, pas ndërtimit të rrugës së bllokuar në të dyja anët dhe me pak dalje në det përmes mbikalimeve me shkallë, e shoqëruar me mungesën e hapësirave para pallateve, i zhvlerësoi me shpejtësi këto investime, që pak vite më parë arrinin të shisnin apartamente edhe me 500-600 euro për metër katror.

Nuk janë vetëm ndërtuesit përtej rrugës, që duan të heqin qafe apartamente që u kanë mbetur në derë. Individë të shumtë, në anën e bregdetit, kanë nxjerrë tabelat, “Shitet, ose jepet me qira”. Nuk bëhet fjalë që ata të dalin me fitim nga investimi. Ata përpiqen që të paktën të mos dalin me humbje, ose ajo të jetë shumë e vogël. Një apartament nga ana e detit, me pamje nga rruga, 57 metra katrorë, afër Shkëmbit të Kavajës, pronari thotë se e shet për 25 mijë euro, apo me rreth 440 euro për metër katror. “Na ka vajtur më shumë”, thotë pronari, e kemi blerë 30 mijë euro. Kur e pyet pse po e shet, ai thotë se nuk e përdor më. Për sa kohë që nuk e ka shitur, në muajt e verës e jep me qira 2000 lekë në natë.

Sa më afër detit të jetë apartamenti, aq më të lartë tentojnë ta vënë çmimin ata që duan të shesin. Një apartament 50 metra katrorë mbi lokal Pampas, ngjitur me Hotel Dolce Vita, shitet 40 mijë euro, me një çmim prej 800 euro për metër katror. Pronari është i vendosur dhe nuk e shet nën çmimin që e ka blerë, edhe pse ti ngul këmbë që vlera e apartamenteve ka rënë dhe nuk është më shumë se 700 euro, një apartament përballë me detin.

Një pallat pranë Shkëmbit të Kavajës, me pamje nga deti, ka apartamente të shumta në shitje dhe një lokal të madh poshtë. Ndërtuesi thotë se çmimet e apartamenteve fillojnë nga 500 euro, në 700 euro për metër katror për hyrjet përballë me detin, ndërsa lokali ka një vlerë prej 2500 euro për metër katror.

Pallati monstër në mes të plazhit

I hodhi themelet e stërmëdha rreth 10 vjet më parë dhe çdo vit pallati monstër, i ndërtuar në rërë në mes të Golemit, shtonte kat pas kati. Për të arritur në ditët e sotme, ku ai është kthyer në objektin më të shëmtuar gjigant të bregdetit, me rreth 25 kate, ndërsa zona e plazhit përreth është pothuajse jashtë funksioni, teksa hija e tij bie gjatë gjithë ditës mbi zonën e çadrave, ku rëra është zëvendësuar me pluhurin e çimentos.

Askush nuk preferon të blejë në pallatin monstër. Grilat janë të ulura në mes të verës, ndërsa në mbrëmje mund të shohësh ndonjë dritë tek-tuk. Të vetmet që shfrytëzohen janë disa kate që përdoren si hotel. Një pallat që jo vetëm nuk i ka sjellë asnjë vlerë bregdetit, por përkundrazi është kthyer në kryesimbolin e manisë shkatërruese të tranzicionit.

Pallati ka disa njoftime për apartamente që shiten. Kur e marrim në telefon, zotëruesi i apartamentit thotë se çmimi është 650 euro për metër katror dhe acarohet kur i thua që ai pallat nuk vlen aq. Ndoshta kujtojnë kohët e “lumtura”, kur i sapondërtuar, çmimi për apartamentet me pamje nga deti ishte 950 euro për metër katror.

Çmimet në bregdet kanë rënë me 30-40%

Shumëkush nxitoi të blinte një shtëpi në bregdetin e Durrësit rreth 10 vjet më parë. Për sa kohë që nuk kishin filluar ndërtimet masive, ky ishte një investim që justifikohej. Afërsia nga Tirana (nga ishin blerësit kryesorë) mundësonte shfrytëzimin e apartamentit edhe në fundjavë përgjatë gjithë vitit.

Por, shumë shpejt, shtëpia në bregdet filloi të kthehej në një sport të vështirë. Çdo vit, ndërtesat rreth e rrotull mbinin si kërpudha pas shiut, shumëkush që dikur shihte detin e pishat, nisi të shihte vetëm beton, njësoj si në qytet, uji shpesh mungonte, ose ai i pusit nuk ishte i përshtatshëm, ndërsa një erë mbytëse vinte nga kanalizimet me puseta, që gërryenin tokën. Ndërkohë alternativa të tjera filluan të bëheshin më interesante, si shtëpitë në periferitë e Tiranës, apo në jug, ndërsa shumëkush nxitoi të nxirrte shtëpinë në shitje. E ndërkohë, ndërtimet vazhdonin pa fre.

Rritja e ofertës, ndërsa kërkesa sa vinte e zvogëlohej, çoi në një rënie të çmimeve me 30-40% vitet e fundit.

Pak vite më parë, një apartament në vijën e parë të detit e gjeje me 900-950 euro për metër katror. Tani, një hyrje me pamje nga deti e gjen maksimumi 700 euro metri katror. Në zonën e detit, hyrjet janë me 400-500 euro për metër katror, ndërsa matanë rrugës kanë zbritur deri në 300 euro për metër katror.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

AKP-ja shpall për shitje dy asete në Mal të Zi

Published

on

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26 aseteve atraktive që gjenden në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Zëvendësdrejtori i AKP-së Muharrem Arifi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit duke e bërë të ditur se për herë të parë janë ofruar për shitje dy prona jashtë republikës së Kosovës.

“Ne sot po e përmbyllim procesin e tenderimit për – shitjen e 26 aseteve te Ndërmarrjeve Shoqërore ne likuidim përmes kësaj metode. Më lejoni të ju njoftoj se deri më tani janë privatizuar 2, 939 asete të ndryshme përmes shitjeve të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore në administrim të Agjencisë. Nga privatizimi i përgjithshëm i ndërmarrjeve shoqërorë dhe aseteve të tyre deri më tani janë grumbulluar 784 milionë e 114 mijë euro”, tha ai.

“Nga numri i përgjithshëm prej 602 Ndërmarrjeve Shoqërore në administrim te Agjencisë procesi i likuidimit deri me tani ka filluar për 589 Ndërmarrje. Deri me tani shuma e fondeve te shpërndara tek kreditorët e ligjshëm është 61 milionë e 700 mijë euro për 307 ndërmarrje shoqërore në likuidim. Për sa i përket shpërndarjes së 20 për qind, Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtoreve dhe shpërndarjen e shumës se 20 për qind të të  hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe deri me tani kemi arritur te shpërndajmë 163,379.229. EUR numri i përgjithshëm i përfituesve te 20 për qind është 52, 092 ish-punëtorë”, deklaroi ai.

Në rajonin e Prishtinës ofrohen për shitje 4 lokale afariste të madhësive të ndryshme duke filluar me lokalin 113m² në rrugën “Luan Haradinaj” deri në 24.66m² lokali në Dardani, të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive afariste. Në rajonin e Prishtinës, konkretisht në Lipjan ofrohet poashtu një objekt për shitje si dhe në Gadime.

Në rajonin e Mitrovicës ofrohen 9 lokale afariste për shitje, lokalet kanë hapësira të ndryshme duke filluar prej 168m² deri tek lokali me 56.4m². Në rajonin e Mitrovicës në këtë shitje është përfshirë edhe toka dhe objekti i NSh Agrokultura Stacioni i Vjetër i Veterinës në rrugën “Adem Voca”.

Ndërkaq në rajonin e Prizrenit ofrohen tri lokale atraktive të përshtatshme për zhvillim të industrive të ndryshme tjera afariste me hapësirë prej 134m² deri tek lokali me hapësire prej 60m². Në këtë shitje janë përfshirë edhe dy lokale të NSh IMF në Podgoricë, Mal të Zi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Hapet ekspozita tregtare e ndërtimit në Paris

Published

on

Ekspozita tregtare e ndërtimit Intermat u hap zyrtarisht këtë mëngjes në Paris nga drejtori i ekspozitës Christophe Lecarpentier, presidenti i Federatës Franceze të Ndërtimit Alain Grizaud, presidenti i Federatës Kombëtare Publike Botërore Olivier Salleron, së bashku me Philippe Cohet, president i DLR dhe Jean-Claude Fayat, president i EVOLIS.

Ekspozita, e cila zgjat nga 24-27 Prill 2024 në Parc des Expositions Paris-Nord Villepinte, do të shohë më shumë se 1000 ekspozues të pranishëm, me 70% të ardhur nga vende ndërkombëtare jashtë Francës.

Organizatorët e shfaqjes thonë se tema e këtij viti do të vendoset në mënyrë të vendosur mbi karbonin e ulët dhe qëndrueshmërinë dhe do të synojë të “përbëjë një vitrinë për përsosmërinë e sektorit në garën drejt zeros neto”, me qindra makineri elektrike dhe hibride që pritet të shfaqen.

Duke reflektuar më tej fokusin e tij në tranzicionin e energjisë, shfaqja do të mbahet për katër ditë në vend të gjashtë ditëve të mëparshme pasi organizatorët bëjnë oferta për të kursyer energji dhe për të reduktuar emetimet.

Intermat po rikthehet për herë të parë në gjashtë vjet pas anulimit të këstit të vitit 2021 për shkak të pandemisë.

Rikthimi i Intermat vjen gjithashtu mes një kohe të trazuar për industrinë e ndërtimit në Francë, me Indeksin e fundit të Menaxherëve të Blerjeve të Ndërtimit HCOB France (PMI) që parashikon një tjetër rënie të aktivitetit në vend në mars (duke rënë në një rezultat prej 41.0, nga 41.9 në shkurt).

Ndërkohë, perspektiva për sektorin e qirave në Francë është më pozitive, sipas Hervé Rebollo, drejtor i përgjithshëm i shoqatës franceze të qiradhënies dhe shpërndarësve DLR, i cili thotë se sektori kishte parë një “vit të mirë”, duke vënë në dukje disa fusha përmirësimi.

Duke folur për KHL në prag të shfaqjes, Rebollo tha se normat e qirave kanë qenë në rënie në Francë deri në 20% midis 2010 dhe 2020, ndërsa presioni i çmimeve nga kompanitë e mëdha të ndërtimit që negociojnë çmimet në avantazhin e tyre ka qenë në dëm të tregu./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës merr pjesë në punimet e konferencës Evropiane të arkitektëve

Published

on

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës mori pjesë në 2 nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për arkitekturën Evropiane: në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Arkitektëve të Evropës #ACE ku Republika e Kosovës, për herë të parë prezantoi temat me rëndësi të komunitetit të Arkitektëve dhe kërkoi përkrahje nga #architectscouncilofeurope në ato tema.

Poashtu, përfaqësuesit e Asociacionit – Kryetari Masar Dushi dhe nënkryetari Bledion Baraliu, morën pjesë edhe në punimet e konferencës Evropiane me temën ‘Internationalisation of the architectural profession & the Neë European Bauhaus’.

Me globalizimin e ekonomisë dhe progresin teknologjik, firmat arkitekturore tani kanë mundësi më të mëdha për të bashkëpunuar dhe punuar në projekte përtej kufijve, brenda Bashkimit Evropian dhe globalisht.

Sipas edicionit të fundit të Studimit të Sektorit ACE, në vitin 2022 5% e arkitektëve evropianë punonin në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe dy për qind jashtë BE-së. Studimi zbulon gjithashtu se gjatë vitit të kaluar, 16% e të anketuarve kishin menduar seriozisht të punonin në një shtet tjetër anëtar të BE-së dhe 6% jashtë Evropës, megjithatë pa marrë masa. Për më tepër, një numër në rritje i arkitektëve trajnohen në vende të ndryshme nga vendi i tyre, duke treguar një interes të vërtetë dhe një kapacitet në rritje të profesionit për të lëvizur përtej kufijve. Prandaj, ka çdo arsye për të besuar se potenciali për ndërkombëtarizim të mëtejshëm të profesionit është i fortë, me kusht që profesionistët të mund të gjejnë mbështetjen e duhur.

Konferenca kishte për qëllim të diskutojë sfidat e qenësishme të punës ndërkufitare dhe eksportit të shërbimeve dhe të paraqesë zgjidhje për të kapërcyer barrierat që hasin profesionistët, duke përfshirë mjetet dhe skemat e ofruara nga Bashkimi Evropian; udhëzim i zhvilluar nga Këshilli i Arkitektëve të Evropës; dhe mbështetjen e ofruar nga organet profesionale në nivel kombëtar. Arkitektët që kanë zhvilluar me sukses biznesin e tyre ndërkombëtarisht do të ndajnë gjithashtu përvojën e tyre. ACE mbështet fuqimisht lëvizjen e Re Bauhaus Evropian të iniciuar nga Komisioni i BE-së, pasi ajo ndihmon për ta bërë cilësinë e mjedisit tonë të jetesës një çështje të interesit publik dhe e ngrit arkitekturën në një nivel politik të paprecedentë. Përtej perspektivave të biznesit dhe sipërmarrjes, konferenca do të ofrojë gjithashtu një mundësi për të diskutuar rëndësinë e vlerave, temave dhe parimeve NEB për pjesë të tjera të botës dhe të theksojë vlerat e përbashkëta që bashkojnë profesionin në të gjithë botën./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending