Shuhet përjetë njeriu që nga punëtor ndërtimi u kthye në valltar ikonë, Rexhep Çeliku

0

Rrallë kush e di se “Nderi i Kombit”, mjeshtri i pavdekshëm i vallës shqipe Rexhep Çeliku, që sot ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare, ka qenë punëtor ndërtimi.

Ai vet në shumë intervista të gjata rreth jetës dhe angazhimit të tij në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, ka deklaruar se ai punonte si ndërtimtar në Tiranë, deri në ditën kur nga skelja e zbriti profesor Panajot Kanaçi dhe e çoi në sallën e ushtrimeve për valle.

“Të rinjtë në kohën e monizmit punonin ose në ndërtim, ose në fermë, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë isha një nga ata të rinj që nuk doja të rrija kot. Duke qenë me trup të madh mendova se, në ndërtim mund të jepja më shumë, pasi edhe lekë kishte më shumë. Kështu që, tri muajt e verës nisa ndërtimin dhe gjatë kësaj kohe, profesor Panajoti më ka parë teksa punoja mbrapa TKOB-së. Kështu, nisën hapat e parë në këtë institucion dhe më pas nisa kursin e valltarëve. Më përpara unë nuk e njihja dhe nuk e kisha idenë se kush ishte profesori i nderuar Panajot Kanaçi. Në klasë të shtatë kisha parë vetëm baletin ‘Peter dhe ujku’ që na mësonte shkolla, kaq njohuri kisha përsa i përket artit”, tha në një nga intervistat e tij, Rexhep Çeliku.

Ai ka vallëzuar për 47 vjet në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve deri sa ndërroi jetë më 12 Janar 2018 nga një sëmundje e rëndë që e kishe përcjellur vitet e fundit. Çeliku vetëm katër ditë më parë, bashkë me partneren e tij në valle, Liliana Cingi, u dekoruan nga presidenti Ilir Meta me çmimin “Nderi i Kombit”.