Connect with us

Gjykim

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-gjeodetit të Komunës së Prishtinës, Haxhi Haskajt

Published

on

Për shkak se prokurorja Merrushe Llugiqi mungoi për shkaqe shëndetësore, ka dështuar seanca e paraparë për të mërkurën në rastin ndaj ish-gjeodetit të Komunës së Prishtinës, Haxhi Haskaj, i akuzuar për përvetësim në detyrë.

Lidhur me mungesën e prokurores Llugiqi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi tha se e njëjta e ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë e pranishme në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk prezanton prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi e cila më 20 shtator 2022 përmes e-mailit zyrtar ka njoftuar gjykatën se e njëjta nuk mund të prezantojë për shkaqe shëndetësore dhe gjendet në pushim mjekësor”, deklaroi gjykatësja Bytyqi.

Ndërkaq, në këtë seancë ishin të pranishëm i akuzuari Haskaj, përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, avokati Ndue Kurti dhe të dëmtuarit Millanka Popoviq, Milotin Popoviq dhe Jelena Popoviq – Jevtoviq.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, seanca e radhës është caktuar për 31 tetor 2022.

Haskaj, sipas aktakuzës, pretendohet se ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronarë të ndryshëm, sipas fletëve poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, Popoviq.

Me anë të shitjes së këtyre parcelave, sipas aktakuzës, Haskaj kishte përfituar mbi 315 mijë (DM) marka gjermane, të atëhershme, të cilat para nuk ua kishte dhënë familjarëve të të ndjerit Mirosllav, duke i shkaktuar dëmin e lartcekur.

Gjykim

5 vite burgim ndaj ish-zyrtarëve të MI-së, detyrohen t’ia kthejnë afro 30 mijë euro ministrisë

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, duke i dënuar me pesë vite burgim.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykes, gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bekteshi u dënua me 2 vite burgim, ndërsa i akuzuari Tahiri u dënua me 3 vite burgim.

Gjykatësja Dermaku tha se për të akuzuarin Tahiri, dashja dhe kontributi i tij në kryerjen e veprës penale ka qenë dukshëm më i madh.

Dënimin me burgim, dy të akuzuarit do ta mbajnë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, të njëjtëve iu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit detyrohen që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë dëmin në vlerë 29 mijë e 828 euro.

Bekteshi dhe Tahiri obligohen  që secili veç e veç të kompensojnë shumën nga 50 euro për fondin e viktimave të krimit dhe nga 50 euro për paushallin gjyqësor.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Gjykatësja Dermaku deklaroi se pasi kjo çështje është kthyer në rigjykim, gjykata pas vlerësimit të të gjitha provave erdhi në përfundim se të akuzuarit janë fajtorë.

Ndryshe, dy të akuzuarit, më 6 gusht 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vite burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të njëjtëve iu ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burg, si dhe ata ishin obliguar që të dëmtuarës MI t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar në shumën prej 29 mijë e 828 euro e 3 centë./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Gjykim

Prokuroria kërkon dënimin e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës-së të akuzuar për korrupsion, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri

Published

on

Në fjalën përfundimtare prokurori, Bashkim Zeqaj, ka kërkuar dënimin e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa mbrojtësit ka kërkuar nga gjykata lirimin e tyre.

Prokurori Zeqaj në fjalën e tij përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shpall fajtor dhe t’i dënoj të lartcekurit sipas ligjit, duke kërkuar kështu edhe dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të profesionit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne prokuroria kërkojmë që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit dhe krahas dënimit prokuroria kërkon që t’i shqiptohet ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratën publike dhe të obligohen të pandehurit që shumën prej 29,828.83 euro t’ia paguajnë Qeverisë së Republikës së Kosovës në mënyrë solidare në emër të kompensimit të dëmit”, ka thënë i njëjti.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bekteshi avokati Skender Musa, në fjalën e tij përfundimtare të cilën po ashtu e dorëzoi me shkrim duke e elaboruar, ka deklaruar se është shqetësues fakti se si ndiqen zyrtarët e republikës sonë kur ndryshon pushteti qeverisës.

“Është me të vërtetë jashtëzakonisht shqetësuese të ndiqen dhe përndiqen njerëzit dhe zyrtarët e Qeverisë së Republikës së Kosovës kur ndryshojnë qeveritë, është fakt i ditur botërisht që ky sekretar ka qenë në kohën e Isa Mustafës dhe në momentin e ndryshimit i ngritët aktakuzë”, ka thënë avokati Musa.

I njëjti gjithashtu ka propozuar që gjykata ta hedh poshtë aktakuzën si të pabazuar ose të marr aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të tij.

“Me vendos drejtësinë në këtë rast ju duheni me marrë veç një vendim, me hedh poshtë aktakuzën me aktvendim të pabazuar në ligj dhe në prova ose me marr aktgjykim lirues për shkak se nuk u provu me asnjë provë të vetme se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë”, ka thënë ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, i cili gjithashtu dorëzoi fjalën e tij përfundimtare me shkrim, ka thënë se është vërtetuar që pretendimet në aktakuzë janë të pabazuara dhe si të tilla duhet të refuzohen si të pabazuara duke propozuar kështu që i mbrojturi i tij Tahiri të lirohet nga akuza për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“I gjithë procesi gjyqësor i realizuar deri më tani, dëshmitarë të dëgjuar, fakte të konstatuara si dhe prova të administruara në tërësi në këtë çështje penale kanë vërtetuar se akti akuzues duhet të refuzohet nga ana e gjykatës, i tërë procesi ka konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet që i akuzuari Besim Tahiri të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga barra e fajësisë”, ka deklaruar i njëjti.

Të akuzuarit Bekteshi dhe Tahiri kanë mbështetur tërësisht fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre e gjithashtu Bekteshi gjithashtu që ta lirojë atë.

“Kërkoj që gjykata të merr aktgjykim lirues ndaj meje sepse jam tërësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Bekteshi.

Paraprakisht gjatë kësaj seance avokati Musa ka propozuar që të bëhet një ekspertizë e prokurimit publik, propozim ky që u kundërshtua nga prokurori Zeqaj dhe u refuzua nga trupi gjykues.

Avokati Musa gjithashtu ka dorëzuar edhe një ekspertizë për të cilën ai tha se i mbrojturi i tij ka angazhuar ekspertin Agim Sheqiri dhe të njëjtën e ka propozuar si provë materiale dhe ka kërkuar nga gjykata që ta administrojë si të tillë.

“Në pajtim me nenin 141 par.2 të KPRK-së ,i pandehuri ka nxjerrë ekspertizë në mnëyrë vetanake dhe ka angazhuar ekspertin Agim Shaqiri për të gjitha qështjet që janë përfshirë në dispozitiv dhe arsyetim të aktakuzës. Raportin e kësaj ekspertize e propozoj si provë materiale dhe kërkoj nga gjykata që ta administrojë si provë materiale”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me propozimin për një provë të tillë, prokurori Zeqaj i ka propozuar gjykatës që e njëjta të refuzohet pasi që lidhet me vendimin e mëparshëm të avokatit Musa për ekspertizë të prokurimit public dhe pasi që sipas tij e njëjta nuk ka të bëjë me objektin e akuzës.

“Edhe pse unë nuk kam këtë provë dhe as se kam lexuar i propozoj gjykatës që kjo provë të refuzohet sepse është e lidhtë me vendimin që e murrët ju paraprakisht sepse e njëjta siç e theksova më lartë nuk ka të bëjë asgjë me objektin e akuzës”, ka deklaruar i njëjti.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Tahiri akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

Continue Reading

Gjykim

Si i lejoi inspektori i ndërtimit Zenë Rushiti mbindërtimet në Skenderaj?

Published

on

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Skenderajt, Zenë Rushiti, i akuzuar se lejoi mbindërtime pa leje në këtë komunë, deklaroi se ka vepruar sipas Ligjit mbi Ndërtimin dhe se nuk ka qenë i vetmi për të marrë vendime për rrënimin e ndërtimeve pa leje.

Ndërsa, prokurori Naim Beka, në fjalën e tij përfundimtare, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar që i akuzuari Rushiti të dënohet sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht në fazën e administrimit të provave, palët pranuan që dy vendimet e legalizimeve të dorëzuara nga i akuzuari Rushiti, njëra për kompaninë “Rukolli”, ndërsa vendimi tjetër në emër të personit Muhamet Fejza, të lexohen si prova.

Tutje, në fjalën përfundimtare prokurori Beka deklaroi se nga administrimi i provave në këtë shqyrtim gjyqësor është provuar se i akuzuari ka kryer veprën përkatëse penale.

“Nuk është kontestuese se i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime të nevojshme për të parandaluar mbindërtimet, nuk ka përcjellë në mënyrë adekuate mbindërtimet të përshkruara si në dispozitiv të aktakuzës, i njëjti nuk ka vendosur ndonjë shenjë zyrtare (shirit), për të konstatuar dhe paralajmëruar mosvazhdimin e punimeve si dhe nuk ka ndërmarrë veprime të tjera relevante konform ligjit të sipërcekur”, shtoi prokurori Beka.

Ndryshe, i akuzuari Zenë Rushiti në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se ka vepruar sipas dispozitave të Ligjit për Ndërtimin, dhe se nuk ka qenë personi kompetent për të ndërmarrë vendime nëse një ndërtim pa leje duhet të rrënohet, pasi këto vendime i marrin organet më të larta të komunës.

Ai shtoi se ato veprime nuk ka qenë në kompetencën e tij, ndërsa tha se nuk ka asnjë lidhje me personat që kanë bërë ndërtimet pa leje, dhe se as nuk iu ka ndihmuar për një gjë të tillë.

“Unë si inspektor jam munduar me i ndërpre këto ndërtime, por unë i vetëm nuk kam mundur ta bëjë këtë”, deklaroi i akuzuari Rushiti.

Gjyqtari Radosllav Markoviq e shpalli të përfunduar këtë çështje penale, ndërsa aktgjykimi do të shpallet sot në orën 14:15.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zenë Rushiti, prej vitit 2013 e deri në muajin prill të vitit 2014, duke vepruar si person zyrtar në Komunën e Skenderajt dhe atë inspektor i ndërtimit, më qëllim që të krijojë dobi për të tjerët, kishte tejkaluar autorizimet e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Rushiti nuk kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare dhe nuk kishte ndërmarrë masa për ndalimin e mbindërtimeve e objekteve sipas projektit më etazhitet B+P+6 në parcelën që gjendet vendin e quajtur “Fshat Pllac”, më pronar Rrustem Rukollin.

Siç thuhet në aktakuzë, nga kjo mënyrë e veprimit është mundësuar mbindërtimi në sipërfaqe prej 475.57 m2, objekti banues më leje ndërtimi sipas projektit më P+2E, në parcelën që gjendet në vendin e quajtur “aroqe”, më pronar Abaz Abazin.

Po ashtu, thuhet se ishte mundësuar mbindërtimi prej 97.35 m2, objekti banues më leje ndërtimi sipas projektit më P+1, në parcelën që gjendet në vendin e quajtur “Fshat”, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, në Skenderaj më pronar Muhamet Fejzën si dhe ishte mundësuar mbindërtimi prej 175.50 m2, objekti banues më leje ndërtimi sipas projektit më B+P+1, në parcelën që gjendet në vendin e quajtur “Fshatë”, në rrugën “Xhon Buzuku”, më pronar Idriz Mecinaj ku ishte mundësuar mbindërtimi prej 90.75 m2.

Më këtë, Zenë Rushiti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi.1 të KPRK-së.

Continue Reading

Trending