Connect with us

Infrastrukturë

Familjet e prekura nga shpronësimet për interes publik nuk marrin dëmshpërblimin e duhur

Published

on

Qindra familje të prekura nga shpronësimet për interes publik nuk marrin as dëmshpërblimin e duhur e as në kohën e duhur. Ekspertët kritikojnë formulën e shpronësimeve dhe akuzojnë qeverinë se nuk e ka rishikuar qëllimisht hartën e vlerës së tokës, e cila është në fuqi që prej vitit 2016. Si pasojë, kostot e dëmshpërblimit për qeverinë janë krejt modeste, kurse pasojat sociale, të pamatshme.

Sh. Gj., iu shpronësuan 120 m2 për interes publik në vitin 2014, por paratë e dëmshpërblimit i mori vetëm në vitin 2021 pas një sërë procesesh gjyqësore për kompensim të padrejtë. Për pronën që prekej nga ndërtimi i segmentit Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës, qeveria i miratoi një kompensim prej 1.2 milionë lekësh, duke ia llogaritur si “tokë arë” dhe jo si “truall”.

Me pretendimin se jo vetëm nuk ishte shpronësuar siç duhej, por një objekt prej 164 m2, i ngritur në tokën e tij nga i biri dhe që ishte përfshirë në proces legalizimi nuk kishte përfituar kompensim, Sh. Gj., së bashku me të birin, H. Gj., nisën betejën ligjore. Sot, 88 vjeç, nuk ka forcë e as dëshirë të rikujtojë kalvarin, por të afërm të tij tregojnë se beteja për njohjen e një dëmshpërblimi të drejtë zgjati me vite të tëra.

Në vitin 2015 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë i dha të drejtë paditësit Sh. Gj., dhe konfirmoi se prona e tij nuk ishte vlerësuar si duhet.

“Detyrimin e palës së paditur, Autoriteti Rrugor Shqiptar, që të dëmshpërblejë paditësin, Sh. Gj., për sipërfaqen e truallit të shpronësuar prej 120 m2 sipas vlerës së tregut në shumën 2.502.360 lekë”, – thuhet në vendimin e kësaj gjykate, që pavarësisht kundërshtimit të palëve të paditura është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Ndërkohë, edhe i biri, H. Gj., fitoi me vendimin e Gjykatës së Lartë të shkurtit 2021 për gjyqin e hapur në vitin 2016 së bashku me të atin për përfshirjen në dëmshpërblim të pronës që ai e shfrytëzonte prej 15 vitesh si lokal. Megjithëse iu deshën 6 vite që të fitonte kompensimin, duke kaluar në disa shkallë, ndërtesa e tij u njoh si e ligjshme, duke përfituar një dëmshpërblim prej 21 milionë lekësh të reja.

Gjykata e Lartë vendosi që për të dyja pretendimet të jepej një kompensim kumulativ prej 23.5 milionë lekësh, një diferencë e konsiderueshme nga kompensimi i mëhershëm i qeverisë prej vetëm 1.2 milionë lekësh.

Fatkeqësisht, H. Gj., nuk mundi të gëzojë as pronën e vet dhe as paratë. Ai ndërroi jetë papritur në gusht të vitit 2021, kur vendimi i Gjykatës së Lartë për kompensim nuk ishte ekzekutuar për mungesë të fondeve buxhetore. Ekzekutimi i plotë i vendimit u bë në dhjetor 2021.

“Problematika më e madhe e të gjithë procesit ka qenë ekzekutimi i vendimit, sepse nuk ka fonde dhe buxhet shtetëror për ekzekutimin e vendimeve. Në rastin konkret vendimi është ekzekutuar pas 6 vitesh dhe drejtësia nuk është bërë në kohën e duhur, për shkak se, në momentin që e shpronëson pronarin, duhet ta dëmshpërblesh po në atë moment, pasi duhet të marrë masat për t`u akomoduar në një vend tjetër”, – thotë një i afërm, që e ka ndjekur të gjithë kalvarin gjyqësor të familjes.

Shpronësimet jo të drejta dhe zvarritjet e kompensimit kanë krijuar, jo vetëm konflikt social, por shpeshherë edhe barrë të papërballueshme për buxhetin e shtetit.

Dëshmi e qartë e barrës së këtyre vendimeve të padrejta është edhe çështja “Sharxhi dhe të Tjerët kundër Shqipërisë”, i njohur ndryshe si pallati i Bashës në Lungomare, Vlorë. Më 11 janar 2018, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i dha të drejtë 18 pretendentëve për shkatërrimin e pronës së tyre nga shteti, në kushtet kur ndaj saj kishte një vendim nga një gjykatë vendase. Kompensimi që u dha për këtë rast ishte 13.4 milionë euro. Ndonëse afati

për ekzekutimin e këtij vendimi ka qenë data 28 gusht 2018, ende kjo shumë nuk është paguar nga shteti shqiptar. Si pasojë, kamata për vonesën e pagesës ka fluturuar me mbi 1.1 milionë euro më shumë.

“Sipas njoftimit më të fundit nga Avokatura e Shtetit, deri më datë 15 prill 2021 vlera e akumuluar e interesave rezulton 1,138,691.57 euro”, – sqaron për INA MEDIA-n Ministria e Financave.

Në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sipas shifrave publike të kësaj të fundit për Shqipërinë, në 80 për qind të rasteve të paraqitura shteti është gjetur në shkelje të Konventës.

Ligji përcakton se marrja e pronës pa një pagesë të drejtë për vlerën e saj, si dhe e palikuiduar në mënyrë të menjëhershme, nuk mund të konsiderohet si një zgjidhje proporcionale mes palëve.

Ky shkrim është botuar në kuadër të projektit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albanian Center for Quality Journalism , Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias  dhe Qendra Fol , mbështetur nga U.S Embassy, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media/Media Ndërtimi.

 

Infrastrukturë

“Toka të është shitur” shitblerje të dyshimta e uzurpime – Lufta e pasuksesshme për kthimin e pronave në Kosovë

Published

on

Lubisha Ceroviq, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, ka mbi 20 vjet që po mundohet ta kthejë tokën e familjes së tij, që i ishte shitur, siç thotë, ilegalisht pas luftës në Kosovë, derisa ai dhe familja ishin shpërngulur në Serbi.

Këtë nuk arriti ta bëjë as pas një vendimi të gjykatës së Kosovës në favor të tij.

Ai thotë se toka e familjes në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se janë disa raste të ngjashme brenda kësaj komune.

Çështjet pronësore të ndërlidhura me tensione etnike në Kosovë janë përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të vitit 2023, të publikuar më 22 prill. Në veçanti, ky raport thekson se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare “dështuan të ekzekutojnë vendimet e gjykatës në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në kontestet pronësore”.

Probleme me pronën e uzurpuar kanë edhe shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), të publikuar më 2001, shkalla e shkatërrimit të pronave civile nga forcat qeveritare serbe më 1999 ka qenë shumë e madhe.

Në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.

Toka me sipërfaqe 54.13 ar, sipas Kadastrës së Komunës së Pejës, i takonte Milleta Ceroviqit së paku që nga viti 1956.

Në nëntor të vitit 2000 u nënshkrua një kontratë për shitje të kësaj toke, në mes të Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit nga Peja.

Në këtë kontratë, që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, thuhet se Agron Kelmendi ka qenë i autorizuar nga Milleta Ceroviq nga Peja, për ta shitur tokën, ndonëse në atë kohë, Milleta kishte qenë i vdekur për më shumë se tre vjet.

Kështu, në vitin 2005, Lubomir Ceroviq, djali i Milletës, ngriti padi në Gjykatën e atëhershme të Pejës, duke kontestuar vlefshmërinë e kësaj kontrate.

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës dhe në atë kohë gjyqtari nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në tetor të vitit 2013, morën vendim mbi këtë çështje.

Në këtë vendim që më vonë u shpall i plotfuqishëm, Gjykata e konsideroi kontratën mes Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit pa forcë ligjore.

Brenda vendimit të Gjykatës thuhet se “është e qartë që nënshkrimi [i Milleta Ceroviqit] në autorizim ishte i rremë dhe kontrata e shitblerjes ishte e falsifikuar”.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar dokumentin që Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm, me të cilin Agron Kelmendit i jepet autorizim për shitje të tokës së Milletës, si dhe disa ngastrave tjera të serbëve të tjerë nga Kosova.

Në anën tjetër, Blerim Krasniqi, po ashtu nga Peja, thotë se përtej kontratës që kishte me Agronin, nuk ka të bëjë më asgjë me tokën në fjalë.

“Kemi pasur pretendim për blerje, i kemi besuar Agronit. Nga ti po dëgjoj që ka qenë autorizimi i falsifikuar. E gjitha që di, është kjo. Nuk kam pasur ndonjë pretendim të keq”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ndonëse ka pasur një kontratë të nënshkruar, të vërtetuar në Gjykatë dhe madje ishte pronar i regjistruar i tokës në Kadastrën e Pejës, Blerim Krasniqi thotë se tokën nuk e mori asnjëherë.

Sipas Krasniqit, pasi që kishte nënshkruar kontratën dhe e kishte vërtetuar në Gjykatë, kishte pasur një reagim nga pjesëtarë të familjes Dinaj nga Peja./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Ndërtimi pa kriter perceptohet si faktori që dëmton më shumë cilësinë e jetesës në Tiranë

Published

on

Ndërtimi pa kriter dhe planifikim perceptohet nga publiku si faktori kryesor që dëmton cilësinë e jetesës në Tiranë.

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e saj të internetit dhe rrjetet sociale, pyetjes “Çfarë e dëmton më shumë cilësinë e jetesës në Tiranë?” 41% e pjesëmarrësve iu përgjigjën me alternativën “ndërtimi pa kriter dhe planfikim”.

Faktori i dytë me më shumë ndikim negativ në cilësinë e jetesës në kryeqytet rezultoi “ndotja atmosferike dhe akustike”, me 21% të votave në sondazh. Vijon “mungesa e parqeve dhe hapësirave të përbashkëta”, me 19% të votave dhe “trafiku e mungesa e parkimeve”, me 18% të votave nga pjesëmarrësit në sondazh.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u përball me një proces intensiv të emigrimit të brendshëm, që e zhvendosi një pjesë shumë të madhe të popullsisë në qytetet kryesor edhe sidomos në Tiranë. Megjithatë, është e qartë se zhvillimi urban i kryeqytetit në më shumë se tre dekada ka qenë kaotik dhe pa një planifikim të mirëfilltë.

Shumë shpesh, ndërtimi i objekteve të reja është bërë në dëm të hapësirave ekzistuese, madje nevoja për rrugë, hapësira të përbashkëta, parqe, lulishte, etj, nuk është përmbushur as në zonat e reja të banimit, që janë zhvilluar nga fillimi pas viteve ’90.

Në vitet e fundit, Tirana po përballet me një vrull të ri të ndërtimit, i nxitur nga rritja e fortë e kërkesës dhe çmimeve. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në periudhën 2022-2023, në Tiranë janë dhënë leje të reja ndërtimi për një sipërfaqe prej më shumë se 3.2 milionë metra katrorë.

Por, rritja e ndërtimeve të larta ka tkurrur hapësirat e lira dhe korridoret e qarkullimit të ajrit.

Shumica e banorëve të Tiranës nuk kanë në lagjet e tyre të banimit hapësira të lira për çlodhje, rekaracion apo aktivitet sportive.

Ndërkohë, shtimi i banorëve është shoqëruar me rritje të numrit të automjeteve, trafik të rënduar, më shumë emetimeve të gazrave të dëmshëm dhe më shumë zhurma.

Matjet e kryera në vitet e fundit në Tiranë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se ndotja e ajrit është disa herë më e lartyë se niveli mesatar i Bashkimit Europian dhe sipër limiteve të konsideruara të dëmshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Për shembull, udhëzimet e OBSH thonë se përqendrimet mesatare vjetore të grimcave të dëmshme PM2.5 nuk duhet të kalojnë kufirin mesatar të 5 mikrogramëve për metër kub. Matjet e kryera në Tiranë kanë treguar se ky nivel është disa herë më i lartë, në varësi të zonave./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

A mundet druri i inxhinieruar të dekarbonizojë industrinë e ndërtimit

Published

on

Në një kohë kur shqetësimet mbi qëndrueshmërinë dhe ESG (mjedisore, sociale dhe qeverisje) janë të përhapura, ekziston një nevojë thelbësore për t’u fokusuar në një sektor që përbën 38% të të gjitha emetimeve globale të CO₂ dhe konsumon 30% të burimeve globale: industria e ndërtimit.

Në vitin 2022, në COP27, Kombet e Bashkuara shpallën Përshpejtuesin e Ndërtimit të Pastër, një program me veprime të krijuara për të reduktuar prodhimin e gazit serrë deri në 50% deri në vitin 2030.

Një raport nga ARUP dhe Këshilli Botëror i Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm sugjeron se gjysma e ndërtesave emetimet vijnë nga karboni i mishëruar, i cili gjenerohet në prodhimin dhe transportin e materialeve, jo vetëm në kantieret dhe vetë ndërtesat. Është pikërisht në këtë skenar që ne shohim një mundësi për sektorin. Cili është i vetmi material i rinovueshëm në ndërtim që ruan karbonin në vend që ta emetojë atë? Druri.

Kur mendojmë për drurin, priret të lindë një pyetje tjetër: “Si mund të jetë druri i qëndrueshëm nëse duhet të presim pemë për të?” Ana Belizário, Drejtoresha Tregtare e Urbem, një industri masive braziliane e drurit në shkallë të gjerë, shpjegon gjatë këtij artikulli se si mbjellja e pemëve posaçërisht për konsum është jo vetëm një alternativë e qëndrueshme, por edhe një praktikë e shkëlqyer në luftimin e krizës klimatike dhe mund të rigjenerojë sektorin e ndërtimit.

Një nga strategjitë më të rëndësishme të ekuilibrit ekologjik për pyjet e mbjella është menaxhimi i kombinuar; domethënë, në zonat e mbjelljes pyjore, ruajtja ose restaurimi i biomit origjinal përkatës kërkohet nga legjislacioni brazilian. Në rastin e pyjeve me pisha, bioma e lidhur do të jetë gjithmonë Pylli i Atlantikut.

Përderisa pemët rriten, dioksidi i karbonit i përdorur në fotosintezë hiqet nga atmosfera dhe ruhet brenda drurit. Kur prodhojmë çimento ose çelik, duhet të djegim lëndë djegëse fosile, të cilat lëshojnë sasi të larta karboni në atmosferë gjatë procesit të prodhimit. Kështu, silvikultura mund të shihet si një strategji kryesore sektoriale për zbutjen e emetimeve të karbonit nga industria e ndërtimit.

Një pyll i mbjellë ndihmon në rivendosjen e tokës, rimbushjen e ujërave nëntokësore dhe rritjen e lagështisë së ajrit. Nëse lidhen me zonat e përcaktuara për rigjenerimin e pyjeve të Atlantikut, pyjet e mbjella mund të ndihmojnë në kthimin e degradimit të mjedisit nëpërmjet aktiviteteve afatgjatë me ndikim ekonomik dhe të qëndrueshëm.

Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, mbjellja e pemëve për të ndërtuar ndërtesa është një nga strategjitë më efektive për dekarbonizimin e industrisë së ndërtimit sot. Siç u përmend më herët, druri masiv fillon të ruajë karbonin edhe përpara fillimit të ndërtimit, ndryshe nga materialet e tjera të ndërtimit, duke e bërë atë të fillojë si karbon-negativ, me pjesën tjetër të ndërtimit që kontribuon në një rezultat të qëndrueshëm në fund.

Kjo dëshmon se pavarësisht se sektori i ndërtimit është aktualisht ndotësi më i lartë, ka ende mjete dhe metoda për t’u eksploruar, duke e bërë atë gjithnjë e më të qëndrueshëm dhe të dobishëm për mjedisin për planetin./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending